Të pagjeturit, plaga që politika nuk po di ta shërojë

Politika

Të pagjeturit, plaga që politika nuk po di ta shërojë

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 29 prill 2018 Në ora: 22:53
Personat e zhdukur

Java e kaluar iu dedikua 1650 personave, të cilët vazhdojnë të figurojnë në listën të pagjeturve në Kosovë.

Kjo javë, u shënua  në vigjilje të shënimit të 27 prillit – ditës së të pagjeturve të Kosovës.

Kjo javë u përcoll me fjalime “patetike” të politikanëve të Republikës së Kosovës, të cilët sikurse edhe në përvjetorët e tjerë premtuan se do ta rrisin presionin ndërkombëtar ndaj Serbisë, për zbardhjen e fatit të më të dashurve të tyre.

Për të pagjeturit, folën edhe deputetët e Kuvendit të Kosovës, mirëpo ata nuk qenë në gjendje të qëndrojnë në sallë apo të vijnë në Kuvend, të paktën për të votuar një rezolutë zyrtare me anë të së cilës do të kërkoheshin informacione për këtë çështje.

Kjo tregon shumë për mos-seriozitetin e deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Ata që e përfaqësojnë popullin, ka një kohë të gjatë që nuk i japin përgjegjësi popullit. Kjo u dëshmua të premten, kur nuk u arrit të votohej rezoluta për të pagjeturit.

Në anën tjetër, familjarët e të pagjeturve vazhdojnë të ngrisin zërin, pa pasur mundësi të bëjnë më shumë, që të dinë për fatin e më të dashurve të tyre.

Lotët, mallin e pikëllimin që ata e përjetojnë çdo ditë të jetës së tyre, na e treguan më datën 27 prill, kur edhe zyrtarisht u shënua dita e të pagjeturve të Kosovës.

Institucionet e Kosovës, janë treguar të pafuqishme apo edhe të paafta që familjarëve t`ua kthejnë përgjigjen që e presin që nga viti 1999.

Kurse, në raportin e Komisionit Ndërkombëtarë për Persona të Zhdukur, të publikuar vitin e kaluar, kanë lindur dyshime serioze se civilëve shqiptar të marrë peng nga forcat serbe, kur janë dërguar në Serbi u janë hequr organet.

Ky raport, i hartuar nga  antropologu i lartë i ICMP-së, për mjekësi ligjore Dr.Mark Skinner,flet për të paktën 82 persona të cilët janë dërguar të gjallë në Serbi, dhe të njëjtëve u janë marrë organet.

Më pas ata ishin varrosur me arkivole dhe qese të etiketuara në varrezat e Rashkës, Batanjicës dhe Petrovosellës.

Por, pavarësisht këtyre dyshimeve zyrtare të paraqitura në raportin e lartcekur, institucionet e Kosovës, ende nuk kanë kërkuar zyrtarisht që të dihet e vërteta lidhur me këtë çështje.

Paaftësia apo edhe pafuqia e institucioneve të Kosovës që të bëjnë diçka më shumë lidhur me zbardhjen e fatit të personave të pagjetur, ka nxitur familjarët që të kërkojnë rritjen e presionit ndërkombëtar.

Për më tepër, në fazën përmbyllëse të dialogut me Serbinë, tema e të pagjeturve do të duhej të ishte nga më kryesoret që do të duhej të shqyrtoheshin në dialog.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat