Asociacioni në një pako me ulësen në OKB, përbën rrezik për Kosovën

Politika

Asociacioni në një pako me ulësen në OKB, përbën rrezik për Kosovën

Arben Sylejmani Nga Arben Sylejmani Më 26 prill 2018 Në ora: 23:19
OKB

Deklarata e zëvendëskryeministrit të parë, Enver Hoxhaj, që Asociacioni i komunave me shumicë serbe dhe anëtarësimi i Kosovës në OKB, duhet të bëhet në të njëjtën kohë, përbën një ide të rrezikshme, e cila duhet të kundërshtohet me çdo kusht.

Jo që anëtarësimi i Kosovës në këtë organizatë ndërkombëtare nuk është i rëndësishëm, por ama kjo nuk duhet të bëhet në dëm të integritetit dhe Kushtetutës së vendit.

Por, nëse analizohet deklarata e Hoxhajt, kjo tregon se institucionet e Kosovës janë në gjendje të bëjnë kompromise të tilla që e minojnë ekzistencën e shtetit tonë.

Kjo për faktin se Gjykata Kushtetuese ka nxjerrë një aktgjykim ku i tregon vijat që duhet të ndiqen për themelimin e Asociacionit në mënyrë që mos të shkelet akti më i lartë juridik në vend.

Këtë vendim të kushtetueses po e kundërshtojnë zyrtarët e Listës Serbe dhe ata të Beogradit. Sipas tyre, Bashkësia serbe duhet të themelohet në bazë të Marrëveshjes së Brukselit. Po ashtu, Serbia e kundërshton me çdo kush ulësen për Kosovën në OKB.

Nga ana tjetër institucionet tona e kundërshtojnë Bashkësinë e komunave serbe qysh po e kërkon Beogradi (edhe pse institucioneve tona nuk u besohet se do të jenë konsistente deri në fund sa i përket këtij kundërshtimi).

Kështu që futja në bisedime për këto dy çështje të kundërshtuese patjetër që çon në një kompromis, sepse kur dy palë të ndryshme në dialog kanë qëndrime të kundërta, atëherë duhet të arrihet një mes. E ky mes nuk është i artë, siç e ka thënë Aristoteli në veprat e tij filozofike, por është një kompromis i dhimbshëm.

Kjo pasi që nëse themelohet Asociacioni në bazë të Marrëveshjes së Brukselit që Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se 23 pika të kësaj marrëveshje bien ndesh me kushtetutën, atëherë ky entitet politik serb, është më i fuqishëm se “Srpska Republika” në Bosnje, veç që e ka emrin Asociacion për të relativizuar fuqinë e tij.

Në të ardhmen ky Asociacion mund të kërkojë edhe kompetenca shtesë. Plus, shtoja zbrazëtitë ligjore në dy Marrëveshjet për Bashkësinë e komunave serbe që institucionet e Serbisë dhe ato të Kosovës i interpretojnë ndryshe. Ky Asociacion në të ardhmen mund të kërkojë shpalljen e një shteti të vogël ose bashkimin me Serbinë.

Nga ana tjetër, institucionet e Kosovës nuk e kanë të sigurtë anëtarësimin në OKB, edhe për këtë nëse pajtohet Serbia, pasi që në Këshillin e Sigurimit, janë anëtarë me të drejtë vote, Kina dhe Rusia.

Rusia prej fillimit, aneksimin e Krimesë e ka arsyetuar me Kosovën. Zyrtarët rusë shumë herë kanë thënë se nëse qytetarët e Kosovës kanë të drejtë për të pasur shtet, atëherë pse ata të Krimesë nuk kanë të drejtë t’i bashkohen Federatës Ruse.

Kështu që Rusia do të votojë kundër pranimit të Kosovës në OKB, nëse shtetet perëndimore nuk e njohin Krimenë si pjesë përbërëse të Federatës ruse.

Andaj, institucionet e Kosovës nuk duhet të lëshohen në aventura të tilla të rrezikshme duke bërë kompromise të rrezikshme sa i përket Asociacionit në këmbim të ulëses në OKB, sepse rrezikojmë të bëjmë Asociacionin me kompetenca ekzekutive, e anëtarësimi në OKB mund te mbetet vetëm premtim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat