“Kosova mund të vë kushte në dialog, kurrë më jo Serbia”

Politika

“Kosova mund të vë kushte në dialog, kurrë më jo Serbia”

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 26 prill 2018 Në ora: 22:41
Hashim Thaçi, Federica Mogherini dhe Aleksandar Vuqiç

Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk ka porositur institucionet e Kosovës  që të angazhohen në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë si dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura në bisedime, në të kundërtën Kosova nuk mund të avancojë drejt Bashkimit Evropian.

Ai gjatë vizitës së sotme në Prishtinë, tha se Kosova ka shënuar progres duke veçuar kështu votimin në Kuvend të marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi, por që sipas tij, ende mbetet punë për tu bërë, sidomos në procesin e bisedimeve me Serbinë.

“Pa një normalizim gjithëpërfshirës të marrëdhënieve me Serbinë dhe implementim të plotë të marrëveshjeve, unë nuk di se si mund të arrihet përparim në raportet me Bashkimin Evropian. E di se do të jetë e vështirë, por unë ende jam optimist, dhe pas takimit të djeshëm me Aleksander Vuçiqin dhe takimit të sotëm më presidentin tuaj jam më optimist”, ka deklaruar presidenti, Donald Tusk.

Image
Rexhep Shahu

Lidhur me këto deklarata dhe mundësinë e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, publicisti Rexhep Shahu, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se thirrjet e tilla të evropianëve ngjajnë në avokatë të Serbisë dhe duket sikur Kosova ka qenë pushtuese e Serbia viktimë dhe nuk mund të bëjnë që Kosova të lejojë që ta shkelë Serbia.

“Thirrjet e evropianëve që Kosova të normalizojë marrëdhëniet me Serbinë ngjajnë shpesh sikur bëhen nga avokatë të Serbisë dhe sikur Kosova ka qenë pushtuese e dhunuese e Serbia ka qenë viktimë. Inferioriteti i disa evropianëve që para 20 vitesh kanë qenë periferike dhe nuk kanë memorie politike e historike, nuk mund ta vërë në darë Kosovën dhe ajo të shtrihet përtokë e ta shkelë Serbia”, është shprehur ai.

Sipas Shahut, presioni ndaj Kosovës nuk zgjidhë asgjë dhe se Kosova mund të vë kushte dhe jo Serbia, andaj ajo duhet të sillet e barabartë me Serbinë në dialog, e jo si koloni.

“Disa evropianë harrojnë se Kosova është shtet, shtet me vete, i ri, i njohur nga shumica e vendeve, ndoshta jo dëshirë evropiane, por është shtet dhe nuk vlen asnjë presion ndaj Kosovës se nuk zgjidh asnjë punë presioni ndaj Kosovës. Kosova duhet ta mbajë drejt kurrizin, të sillet si e barabartë me Serbinë në bisedime jo si koloni por si shtet i barabartë. Kosova mund të vë kushte, kurrë më jo Serbia”, ka deklaruar Rexhep Shahu për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat