LDK dhe VV kundër Thaçit: I padenjë për të përmbyllur dialogun

Politika

LDK dhe VV kundër Thaçit: I padenjë për të përmbyllur dialogun

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 26 prill 2018 Në ora: 11:34
Hashim Thaçi

Tash e një kohë, dialogu me Serbinë ka kaluar në nivel presidentësh, duke u udhëhequr nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe presidenti i Serbisë.

Tani, kur ky proces po i afrohet fazës finale, Qeveria e Kosovës ka miratuar një platformë për dialogun politik me Serbinë, e cila do t’i procedohet Kuvendit të Kosovës për shqyrtim dhe miratim në formë të rezolutës. E sipas kësaj platforme, roli udhëheqës në dialogun me Serbinë i besohet presidentit të shtetit. Ky i fundit, obligohet që në baza të rregullta ta informojë Kuvendin e Kosovës për bisedimet që zhvillohen në Bruksel.

Deputeti nga LDK, Naser Rugova, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se asnjë vendim i rëndësishëm për Kosovën nuk mund të merret pa pëlqimin e Kuvendit dhe LDK e konsideron platformën me ngecje.

Image
Naser Rugova

“1.Republika e Kosovës ka rregullim shtetëror parlamentar dhe asnjë vendim i madh dhe krucial për interesin e popullit të Kosovës, nuk mund të merret pa pëlqimin e Kuvendit të Kosovës. 2. Si LDK konsiderojmë se si platformë ka ngecje mjaft të mëdha, mungon çështja e personave të pagjetur që është e dhimbshme dhe mjaft sensitive për popullin e Kosovës, nuk janë përfshirë edhe fondi pensional i kontribuuesve të asaj kohe në Kosovë dhe konsiderojmë që këto janë çështje edhe ekzekutive që i takojnë edhe Qeverisë së Kosovës dhe janë punë teknike dhe operative që fare nuk kanë të bëjnë me rolin dhe përgjegjësitë kushtetuese që i ka presidenti”, është shprehur ai.

Rugova thotë, se LDK e konsideron të papranueshme që presidenti të jetë udhëheqës i këtij dialogu, andaj ajo kërkon që të ketë një diskutim për këtë çështje, pasi për kaq vite nuk ka pasur arritje nga dialogu.

“Prandaj, deklarimet e kryeministrit se presidenti nuk ka shumë punë dhe duhet të bëjë diçka dhe le ta merr dialogun me Serbinë që është një prej çështjeve më sensitive që njëfarë forme po ndikon shumë edhe në proceset integruese të Kosovës në BE, konsiderojmë se është e papranueshme. LDK kërkon një konsensus nacional, një diskutim me të gjitha partitë politike, shoqërinë civile, me qarkun kulturor, akademik dhe universitar se duhet një platformë e mirëfilltë, sepse që nga 2011-12 kanë kaluar 6-7 vite që kur Kosova është në proces të këtij dialogu dhe arritjet janë minimale dhe në njëfarë forme nuk i kanë sjellë Kosovës asgjë konkrete në procesin e integrimeve euroatlantike”, ka thënë deputeti i LDK-së.

Presidenti dhe Kryeministri të mos futen në një rrugë pa krye

Sipas tij, LDK nuk i pranon kombinime e tilla për interesa partiake, andaj bën apel që kryeministri e presidenti të mos i futen një rruge pa krye.

“Prandaj LDK e ka bërë të ditur edhe zyrtarisht përmes një konference të shefit të GP-së, Avdullah Hoti se LDK thjeshtë nuk i pranon këto kombinime dhe pazare politike që bëhen në emër të Kosovës dhe popullit të saj për interesa partiake dhe për koalicion qeverisës, i cili nuk e ka më shumicën në Kuvend dhe aq më pak nuk e ka shumicën tek populli shumicë në Kosovë, vlerësojmë se qasjet dhe veprimet e tilla të qeverisë, një gjë serioze nuk do të mund të realizohet. Në këtë kuptim i bëj apel publik kryeministrit në radhë të parë por edhe presidentit që të mos futen në një rrugë pa krye”, ka deklaruar Naser Rugova për “Bota sot”.

Vetëvendosje kundër Presidentit

Image
Ismail Kurteshi

Kundër kësaj platforme është edhe Lëvizja Vetëvendosje, e cila kërkon që ajo të sillet në Kuvend për plotësim.

“Platforma do të duhej të vinte në Kuvend të diskutohet për të, të plotësohet ose të hiqet diçka nga ajo platformë për të qenë një platformë që përfaqëson edhe vullnetin edhe interesat e përfaqësimit të gjerë politik të qytetarëve të Kosovës. Kjo formë arbitrare e përcaktimit të presidentit e të pajtimit të kryeministrit, është vërtetë e papranueshme si formë”, ka thënë deputeti i VV-së, Ismail Kurteshi.

Sipas tij, VV është kundër që presidenti ta përmbyllë fazën finale të dialogut, pasi deri më tani nuk ka qenë në nivel të detyrës dhe se Kosova po pëson nga vendime që po merren kokë në vete.

“Pastaj edhe si personalitet, Hashim Thaçi, ka dëshmuar se nuk ka qenë në nivel të detyrës gjatë tërë kohës sa i ka udhëhequr bisedimet ose ka qenë pjesë e tyre. Për ne një gjë është e papranueshme dhe ne insistojmë që kjo çështje të vjen në Kuvend dhe vendimin ta marrin të gjitha subjektet politike sepse po i marrim kështu çështjet kokë në vete, me kryeneçësi dhe pastaj po e fusin vendin në kriza siç ishte kriza që 3 vjet të përballemi me Demarkacioni dhe në fakt epilogu ishte tepër i keq për Kosovën, kështu që ne jemi kundër saj’, ka vlerësuar Kurteshi për “Bota sot”.

Image
Enver Hoti

Në anën tjetër, deputeti i Nismës për Kosovën, Enver Hoti, ka thënë se është ende herët për të dhënë koment për këtë temë.

“Nuk kam koment njëherë për këtë temë. Është ende herët”, ka thënë shkurt ai për “Bota sot”.

Abdullahu: Haradinaj nuk është “koka” e Qeverisë

Kurse, analisti politik, Faton Abdullahu, duke folur për këtë temë për “Bota sot”, ka thënë se ka disa arsye pse presidenti Hashim Thaçi është zgjedhur që ta udhëheqë edhe fazën finale të dialogut.

Image
Faton Abdullahu

“Janë disa arsye pse Presidenti aktual Thaçi merr mandatin për t’i udhëhequr bisedimet me Serbinë në fazën finale. Në rend të parë duket se ai është më i preferuari për Serbinë sepse ka gjasa të jetë pushtetari i cili mund të lëshojë pe më së shumti në dëm të interesave nacionale të Kosovës dhe sidomos të ardhmes së saj. Ai është më i përshtatshmi edhe për faktin se çfarëdo opozitarizmi brenda Qeverisë apo pushtetarëve aktual, për lëshimet që do të bëhen në dëm të Kosovës, mund t’i amortizojë suksesshëm me metodat e tij tashmë të njohura, herë me shantazhe, herë me linçime. Ai që në Kosovë i shkon për dore ta bëjë këtë lloj amortizimi me këto metoda, duket se ka pushtetin real dhe të pakontestueshëm”, vlerëson ai.

Sipas tij, Thaçi nuk e ka të garantuar këtë pushtet me Kushtetutë dhe tregon pse Haradinajt nuk i konvenon që të jetë në krye të bisedimeve.

“E këtë pushtet Presidenti Thaçi, nuk e ka sepse kështu ja garanton Kushtetuta, por pse ai ka tejkaluar në mënyrë klandestine dhe për kohë të gjatë këtë kornizë. Arsye tjetër pse bisedimeve u prinë Thaçi e jo Haradinaj është se kjo i konvenon vogëlsisë së tij Haradinajt, i cili e ka kuptuar si duket se, punët qeveritare nuk shtyhen me gjoks, por ndryshe. Dhe kjo ndryshe e ka bërë që ai të kuptojë se është Kryeministër, por jo KOKA e Qeverisë në krye të së cilës në të vërtetë nuk është vetëm ai. Haradinaj e ka kuptuar se më pak pushtet për të si Kryeministër, do të thotë parakusht jetik që ai të mbetet në pushtet, për t’i gëzuar troshat e mbetura të Thaçit”, shprehet ai.

Abdullahu thotë, se duhet të ketë zgjedhje që qeveria të largohet dhe që të ndalohet Thaçi të jetë në krye të dialogut.

“Kështu që atij i konvenon që të mos i prijë bisedimeve dhe ka hequr dorë me lehtësi për t’i prirë atyre. Prandaj, zgjedhjet e jashtëzakonshme sot bëhen domosdoshmëri, por mundësisht që me to jo vetëm për ta dërguar këtë Qeveri në shtëpi, por edhe për ta ndaluar Thaçin që të jetë në krye të bisedimeve me Serbinë”, ka deklaruar Faton Abdullahu për “Bota sot”.

Image
Skënder Zogaj

Zogaj: Është e pritshme që bisedimet t`i përmbyllë Thaçi

E analisti politik Skënder Zogaj, flet për “Bota sot” thotë se bisedimet që nga fillimi kanë qenë nën “protektoratin” e Hashim Thaçit, si kryeministër e tani si president dhe nuk është çudi që ta kurorëzojë edhe fazën finale.

“Mënyra e zhvillimit të bisedimeve të deritashme shqiptaro-serbe të cilat nga fillimi kanë qenë nën “protektoratin” e ish kryeministrit dhe tash presidentit Hashim Thaçi! Prandaj, është krejtësisht e pritshme që presidenti Thaçi të kurorëzojë edhe fazën finale të bisedimeve me Serbinë! Kundërshtimet e opozitës gjithashtu, janë shumë normale dhe të arsyeshme, sepse, kundërshtimi i pozitës është detyra e saj kryesore dhe e vazhdueshme, mirëpo, në rrethanat e krijuara, zgjidhja është fikse, mirë ose keq, i përket Thaçit”, është shprehur ai.

Sipas Zogajt, nëse rezultati final nuk është i mirë, opozita edhe mund të fitojë elektorat por dhimbja do të jetë e rëndë për Kosovën.

“Nëse rezultati final nuk vjen i mirë, atëherë opozita ka shansin që të mburret e ndoshta edhe të përfitojë elektorat! Mirëpo, ky do të ishte ngushëllim i thartë, sepse, Kosovës do t’i rëndohet barra me dhembje të reja, të cilat nuk do t’i dëshironim, sepse do të jenë të përsëritura për popullin e mjaft vuajtur shqiptar të Kosovës”, vlerëson Skënder Zogaj për “Bota sot”.

Ndryshe, si rezultat final, platforma e miratuar nga Qeveria synon që Kosova dhe Serbia, me lehtësimin e BE-së, të arrijnë një marrëveshje ndërkombëtare, ligjërisht të obligueshme për të dyja palët, dhe e cila për Kosovën do të ratifikohej nga Kuvendi si organi më i lartë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat