Haradinaj në panik, po e përcjellë “kapitullimin” e tij

Politika

Haradinaj në panik, po e përcjellë “kapitullimin” e tij

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 26 prill 2018 Në ora: 07:14
Ramush Haradinaj

“LDK nuk mund ta qoj vendin në zgjedhje, PDK mund ta bëj atë. Mendoj se ky mandat duhet të shkoj në fund. Nëse partitë kanë interes për të shkuar në zgjedhje, ne jemi të gatshëm sepse paritë serioze gjithmonë janë të gatshme. Ne mendojmë se nuk duhet të shkojmë në zgjedhje, mendojmë për një reformë zgjedhore”, ka thënë ndër të tjera Memli Krasniqi, Kryetar i Grupit Parlamentar të PDK-së.

Lidhja Demokratike e Kosovës, ka vlerësuar se vendin e ka kapluar një krizë politike. Për këtë arsye, ajo ftoi të gjitha partitë politike në një tryezë diskutimi, me qëllim që të diskutohet gjendja e një zgjidhjeje  për zhbllokimin e kësaj krize.

Të mërkurën, u mbajt ky takim, ku morën pjesë të gjitha partitë politike, përfshirë edhe AAK-në dhe PDK-në.

Konsensusi për tema të mëdha ishte arsyeja që partitë në koalicionin qeverisës morën pjesë në këtë tryezë.

Aty, u shfaq shpresa se do të gjendet një gjuhë e përbashkët me opozitën për bashkëpunim të ndërsjellët, me qëllimin për ta mbajtur ende në këmbë këtë qeveri, ani pse PDK-ja tha në tryezë se nëse janë të gjithë numrat e opozitës për zgjedhje të reja, atëherë edhe partia e Veselit do jetë, shkruan “Bota sot”.

Ndër tjera PDK i ofroi një ofertë Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke thënë se ajo mund të jetë udhëheqëse e dialogut me Serbinë, e që ishte tentim i parë i PDK-së për një konsensus.

Nënkryetari i  LDK-së, Agim Veliu, e ka hapur këtë takim, duke i falënderuar për pjesëmarrje të gjitha partitë, ndërsa ka kërkuar nga ata që të japin mendimin e tyre për krizën politike që e ka kapluar vendin.

Të pranishëm në takim ishin Agim Veliu i LDK-së, Glauk Konjufca i VV-së, Memli Krasniqi i PDK-së, Dardan Sejdiu i GDP-së, Bilall Sherifi i Nismas, Blerim Kuçi i AAK-së, Avni Islami i OBKD-së, Ilir Deda i Alternativës, Agim Bahtiri i AKR-së, Valon Murati i LB-së, Gëzim Kelmendi i Fjalës dhe minoritetet.

Tryezat me rotacion

Në tryezën e partive politike, të ftuar nga LDK-ja, nuk është përmendur fare data e zgjedhjeve, pavarësisht se ishte paralajmëruar se do të ishte temë e tryezës.

Në këtë takim, vendimi më i madh që u morr ishte që të ketë rotacione të vazhdimit të tryezave të tjera nga të gjitha partitë politike.

Pas përfundimit të tryezës së organizuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, nënkryetari i kësaj partie, Agim Veliu, në konferencën për media ka thënë se partitë janë marrë vesh për mbajtjen e tryezave tjera, të cilat do të organizohen me rotacion.

“Secila e dha qëndrimin e vet për problemet aktuale dhe në fund u morëm vesh që tryezat të fillojnë me rotacion me subjektet që janë të interesuara për të organizuar tryeza të tilla. Ndoshta në javën e ardhshme do të jetë tryeza e radhës për të gjetur zgjidhje për çështjet që janë në interes të Kosovës”, ka thënë Veliu, përcjell “Bota sot”.

Kryesuesi i këtij takimi, Agim Veliu, ndër tjera ka thënë se nuk është diskutuar për zgjedhje, porse ka bërë të ditur se partitë janë dakorduar që takimet e tilla të vazhdojnë edhe më tutje.

“Diskutuam problemet aktuale që na preokupojnë bashkërisht dhe është një fat i mirë që kësaj tryeze i janë përgjigjur të gjitha subjektet politike. Sot secila ka thënë këndvështrimin e vet. Në fund jemi marrë vesh që tryezat të fillojnë me një rotacion nga subjektet që janë të interesuara që të organizojnë tryeza. Këto tryeza do të vazhdojnë, ndoshta tryeza e ardhshme do të jetë në javën e ardhshme. Në këtë takim nuk i kemi ftuar të diskutohet për zgjedhje, por për të gjetur zgjidhje për çështjet që janë në interes të vendit”, deklaroi Veliu pas takimit.

PDK e gatshme për zgjedhje

Memli Krasniqi, i cili edhe një herë shfaqi qëndrimin se PDK-ja nuk pajtohet për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, para se të bëhet reforma zgjedhore.

“Me LDK-në trajtuam një gamë për disa çështje që pajtohemi se duhet një gjithë përfshirje me qëllim që të kalojmë më shpejt dhe më të lehtë, sidomos për themelimin e Ushtrisë, dialogun me Serbinë, themelimin e asociacionit të komunave serbe dhe reformën zgjedhore. Ne do të ftojmë shpejt një takim tjetër dhe besoj se do të jetë një format i ngjashëm”, ka thënë Krasniqi.

“Mendoj se ky mandat duhet të shkoj në fund. Nëse partitë kanë interes për të shkuar në zgjedhje, ne jemi të gatshëm sepse paritë serioze gjithmonë janë të gatshme. Ne mendojmë se nuk duhet të shkojmë në zgjedhje, mendojmë për një reformë zgjedhore”, ka thënë veç të tjerash ai.

Shefi i Grupit të Deputetëve të Pavarur, Dardan Sejdiu, në konferencën për media sqaroi se në tryezën e LDK-së partitë janë marrë vesh për dy gjëra: Për mbajtjen e tryezave të reja dhe për mbajtjen e tyre në rotacion.

“Sot u morëm vesh vetëm për dy gjëra: të kemi takime të tilla dhe këto takime të organizohen me rotacion nga secili subjekt. Ky është hap përpara sepse po ndodh një takim i të gjitha partive”, ka thënë Sejdiu.

Blerim Kuçi i AAK-së, ka thënë se partitë  janë marrë vesh që të vazhdohet me tryeza dhe që partitë të dalin para medieve të thonë se kanë dhënë qëndrimet e veta për temat e diskutuara.

“Ne do të vazhdojmë më tutje, besoj se tryezën e radhës do ta ketë PDK-ja. Institucionet tona vazhdojnë punën”, ka thënë Kuçi.

Sherifi i kundërpërgjigjet Krasniqit

Bilall Sherifi i Nismës ka thënë:  “Sot është diskutuar për gjithçka. Gjithkush i ka thënë tërë ato që mendon për mazhorancën, për opozitën, a i kemi apo nuk i kemi numrat. U morëm vesh që të respektojmë pikëpamjet e secilit”.

Memli Kransiqi si përfaqësues i PDK-së në këtë takim, tha se partia e tij është e vetmja që mund ta rrëzoj qeverinë aktuale, e jo partitë e tjera.

I menjëhershëm ishte reagimi i shefit të grupit parlamentar të NISMA-së, Bilall Sherifi, i cili tha se askush nuk duhet të mendoj se është aq i fuqishëm sa të varët shkuarja ose jo në zgjedhje pre tyre.

“Kushdo që beson që është shumë i fuqishëm dhe se pa të vendi nuk shkon në zgjedhje, e ka gabim. Pra, nuk është që kanë shumë fuqi partitë e mëdha. Mund të kenë fuqi të madhe brenda koalicionit, në parlament gjatë punimit të seancave, por jo që e kanë në dorë shkuarjen ose jo të vendit në zgjedhje”, ka thënë Sherifi.

Islami:  Duhet konsensus i gjerë për temat e mëdha

Përfaqësuesi i Ballit Kombëtar Demokrat, Avni Islami, në tryezën e organizuar nga LDK-ja tha se kjo mënyrë është dashur që të mbahet më herët madje e vonuar, sepse qeveria aktuale është ne krizë për shkak të mos funksionimit si duhet.

“Mendoj se për çështje madhore si  bisedimet me Serbinë, Asociacioni i Komunave Serbe dhe Formimi i Ushtrisë, do të duhej të vijë deri te konsensusi i gjithë spektrit politik. Edhe ne si Balli Kombëtar Demokrat pajtohemi që të vazhdohet me tryezat e thirrura ne rotacion”- tha Islami.

Sipas të gjitha gjasave, një tryezë e radhës do të mbahet javën që vjen, e organizatore do të jetë PDK-ja, duke iu përmbajtur rotacionit të akorduar nga të gjitha partitë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat