Opozita nuk do zgjedhje!

Politika

Opozita nuk do zgjedhje!

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 25 prill 2018 Në ora: 23:26
Pamje nga tryeza e partive politike

Pas një periudhe të gjatë rivaliteti, akuzash e kundër-akuzash subjektet politike të Kosovës, u bënë bashkë për të diskutuar rreth së ardhmes që e pret vendin.

Një tryezë e thirrur nga Lidhja Demokratike e Kosovës, bëri bashkë partitë politike. Ajo që në fakt pritej të diskutohej nuk u diskutua. Zgjedhjet, të cilat ishin kryefjalë e ditëve të fundit, nuk u bënë pjesë e diskutimit të mbledhjes. Madje nikoqirja e takimit, Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila kishte bërë thirrje të vazhdueshme për mbajtjen e zgjedhjeve, nuk i zuri fare në gojë ato.

Për këtë temë, foli vetëm PDK e cila edhe u shpreh e gatshme për zgjedhje me kushtin, që edhe opozita të ketë të njëjtën gatishmëri.

U vendos që tryezat të mbahen me rotacion. Në këtë mënyrë, iu zgjatë jeta qeverisë Haradinaj, e cila ka më pak se 60 deputetë në Kuvendin e Kosovës.

Qytetarët e Republikës së Kosovës, do ta kenë rastin, që për disa javë rresht të shohin “spektaklet” e partive politike, por jo edhe ndonjë zgjidhje konkrete për të ardhmen e vendit dhe temat e mëdha që presin për t`u përmbyllur.

Shpresat veniten, kur kësaj ia shtojmë edhe faktin, se me një nismë të tillë për zgjidhjen e temave të mëdha, është paraqitur edhe Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli.

Nisma e LDK-së për tryeza të përbashkëta dhe Platforma e Kadri Veselit, më shumë krijojnë përshtypjen e një gare dhe rivaliteti partiak LDK-PDK, se sa që ofrojnë zgjidhje për temat e rëndësishme të pazgjidhura për vendin.

Me platforma dhe Nisma të tilla, anashkalohet Kuvendi, institucioni ku secila parti politike tregon fuqinë e saj elektorale.

Fakti që nuk përmend çështja e zgjedhjeve të parakohshme në mbledhjen e thirrur nga Lidhja Demokratike e Kosovës, tregon se interesi i opozitës nuk është që vendin ta dërgojë në zgjedhje. Është mjaft ironike të kërkohen zgjedhjet e parakohshme nga partitë që janë në pushtet.

LDK para takimeve me të gjitha partitë politike, do të duhej të takohej me Vetëvendosjen dhe pjesën tjetër të opozitës, për ta diskutuar ngritjen e mocionit të votëbesimit ndaj Qeverisë Haradinaj, e tek pastaj të diskutonte për çështjet e mëdha të pazgjidhura për vendin.

Në anën tjetër, kemi një PDK që mund t`i befasoj të gjithë, në çdo moment, ashtu siç kishte bërë vitin e kaluar me LDK-në dhe Qeverinë e Isa Mustafës.

Gjithë kjo situatë, tregon se opozita në Kosovë nuk është aq e fuqishme sa paraqitet vazhdimisht në publik. Opozita, sikurse edhe koalicioni qeverisës, vazhdojnë të jenë të varura nga pazaret politike që e kanë shoqëruar vendin qe një kohë të gjatë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat