Përpjekja e Kadri Veselit për të dalë nga hija e Hashim Thaçit

Politika

Përpjekja e Kadri Veselit për të dalë nga hija e Hashim Thaçit

Faton Mehmeti Nga Faton Mehmeti Më 24 prill 2018 Në ora: 20:45
Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli

Të bërit politikë është art në vete që zbërthen më së miri profilin e njeriut, përmes të cilave synon të arrij diçka në jetë. Përmes politikës ka mundësi të shumta që një popull të rregullojë jetën e  tij, përmes përfaqësimit të denjë të politikanëve. Natyrisht se divergjencat janë krejt normale, në kuadër të përpjekjeve për të bërë me të mirën për vendin. Në këtë kuadër s`ka asgjë të keqe, bile janë edhe të shëndosha dallimet, ato janë produkt i koloritit të jetës.

Kur përfaqësimi është dinjitoz, faktikisht edhe jeta e qytetarëve është më e mirë dhe si e tillë, manifestohet përmes mirëqenies. Pavarësisht dallimeve të mëdha duhet theksuar unifikimin e tërësisë politike kur vjen puna për çështje madhore, të cilat nuk kanë të bëjnë vetëm me të tashmen, por edhe me të ardhmen e vendit. Këtu edhe peshohet më mirë modaliteti i një klase politike për dhe kundër interesave  të qytetarëve, ngase artikulimi i interesave përmes politikës  ka të bëjë direkt me jetën e qytetarit të rëndomtë.  Fatkeqësisht, shqiptarë nuk janë shquar aq për unifikim, përjashto këtu epokën e Skënderbeut dhe afër një dekadë të presidentit Rugova. Periudha tjera historike janë manifestuar me ndasi, përçarje dhe tradhti.

Pothuajse të gjitha shtetet kanë ujdi sa i përket temave të mëdha nacionale, ndërsa ne jo. Kjo si pasojë e gjenit të trashëguar ku dëshira për triumfe personale mbizotëron thelbin e unitetit të një shoqërie, e cila në sentencë të saj ka vetëm një qëllim–interesin e Atdheut. Pasojat e mos unifikimit janë të marrëveshjet e arritura në Bruksel, ku Kosova ka humbur mbi 8200 hektar tokë, pastaj Asociacioni që pritet të hyj në fuqi etj. Nga këto marrëveshje, dhe shumë të tjera, Kosova vetëm sa ka humbur.

Tanimë që nuk ka mbetur asgjë pa u humbur, del një propozim nga kryetari i kuvendit për unifikimi për tema të mëdha. Të gjitha këto janë përpjekje e një  njeriu të harruar, pa asnjë relevancë, pasi edhe si kryetar i partisë së tij askush nuk e pyet, ngase Hashimi është pronari ndërsa Kadria vetëm një drejtor i përkohshëm. Kujt i kërkon unitet Kadriu? LDK-së, që njerëzit e shërbimit të tij ia kanë vrarë aktivistët, apo VV-së së cila i ka vrarë aktivistin në burg. Kjo përveç se e pandershme, është edhe krejtësisht naive në llojin e saj. Kadriu, që rrugën e tij për të ardhur në pushtet e ka shtruar me gjak shqiptari, kërkon unitet, ka vallë njeri normal që e kupton këtë si ide e sinqertë për të mirën e vendit?. Nuk besoj, mbase edhe ka ndonjë servil që s`ka lexuar as abetaren. 

Ajo shprehja e vjetër “ mos shiko çfarë të thotë, por kush të thotë”, përfaqëson më së miri këtë rast. Do të ishte shumë ide e qëlluar sikur të ishte bërë qysh në fillim, kur vendi s’do të humbiste tokë dhe enklavizim. Por tani është shumë vonë, dhe për më tepër  ai që e thotë këtë, s`ka kredibilitet as kombëtar dhe as moral për një gjë të tillë. Kjo është vetëm një përpjekje e njeriut të dëshpëruar, për të dalë në sipërfaqe, ide e vdekur qysh në start e njeriut të nëntokës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat