Platforma e Veselit përballë tryezës së LDK-së dhe domosdoshmëria për zgjedhje

Politika

Platforma e Veselit përballë tryezës së LDK-së dhe domosdoshmëria për zgjedhje

Arben Sylejmani Nga Arben Sylejmani Më 24 prill 2018 Në ora: 10:00
Kadri Veseli- Isa Mustafa

Dy partitë më të mëdha opozitare në Kuvend e konsiderojnë jo serioze, ‘platformën konsensuale dhe gjithëpërfshirëse të agjendës shtetërore' të propozuar nga kreu i PDK-së, Kadri Veseli.

Veseli i PDK-së, këtë ia ka drejtuar krerëve të partive politike, ku ka kërkuar nga ata që të arrihet një konsensus ndërmjet tyre për çështjet madhore të vendit.

“Duke marrë për bazë interesin më të mirë të Republikës së Kosovës, me qëllim të avancimit në agjendën e shtetndërtimit; Duke synuar arritjen sa më të shpejtë të qëllimeve për integrime euroatlantike të Kosovës; Me qëllim që të përmbyllet dialogu me Serbinë, për t’u ndërtuar një partneritet i fqinjësisë së mirë; Duke vlerësuar situatën e tanishme politike në Republikën e Kosovës; Me vullnetin dhe përkushtimin për të përmirësuar të tashmen dhe garantuar të ardhmen e qytetarëve të Republikës së Kosovës, Propozoj: Platformën konsensuale dhe gjithëpërfshirëse të agjendës shtetërore në Republikën e Kosovës”, ka shkruar Veseli.

Por, deputetët e LDK dhe ata të Lëvizjes Vetëvendosje thonë se kjo iniciativë e kreut të Kuvendit, është jo serioze dhe ka për qëllim aministimin e atyre që i kanë shkaktuar dëme të mëdha vendit.

Osmani thotë se partitë politike duhet të dakordohen për mbajtjen e zgjedhjeve

Deputeti i LDK-së, Naser Osmani nuk ka dashur të komentojë iniciativën e Veselit, por ai thotë se LDK-ja ka ftuar të gjitha partitë politike në tryezë që do të mbahet ditën e mërkurë, për t'u dakorduar për mbajtjen e zgjedhjeve.

Image
Naser Osmani

“Është iniciativë e grupit parlamentar të LDK-së dhe të kryesisë që të ketë një takim ndërmjet liderëve të partive politike për t'u marrë vesh për datën e zgjedhjeve”, thotë Osmani për “Bota sot”.

“Pra, kjo është çështje kryesore pse LDK-ja ka thirrur këtë tryezë të përbashkët”.

Sa i përket formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, për të cilën është cekur në platformën e Veselit, Osmani thotë se kjo çështje duhet të bëhet duke u bazuar në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

“Çështja e Asociacionit është një çështje e negociuar në Bruksel dhe kryeministri Isa Mustafa e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese, ashtu siç e parasheh Marrëveshja e Brukselit. Gjykata Kushtetuese e ka dhënë interpretimin e vet dhe nuk ka më marrëveshje jashtë vendimit të saj”, thotë me tej Osmani.

Osmani thotë se institucionet e Kosovës nuk duhet assesi të pranojnë, që në Bruksel të rinegociohet themelimi i Bashkësisë së komunave me shumicë serbe.

“Këtu nuk duhet të ketë marrëveshje, por vetëm implementim të marrëveshjes në bazë të rekomandimeve që i ka bërë Gjykata Kushtetuese dhe nuk do të ishte mirë për të hyre në kësi aventura të bisedimeve për Asociacionin, sepse kjo çon në një kompromis”, deklaron Osmani.

Ai shtoi se për vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk ka kuptim që të zhvillohen biseda politike, e as që të tentohet politikisht për të bërë diçka.

Qeveria e udhëhequr nga ish-kryeministri Mustafa, në gusht të vitit 2015 nënshkroi marrëveshjen e parimeve për themelimin e Bashkësisë së komunave serbe.

Në këtë marrëveshje, është dakorduar që ekzekutivi të themelojë një statut për Asociacionin, e më pas ky dokument t’i dërgohet Gjykatës Kushtetuese për interpretim.

Por, për shkak të situatës së krijuar politike ndërmjet partive opozitare dhe Qeverisë që çoi vendin në një prag të luftës civile, ish presidentja e vendit, Atifete Jahjaga e dërgoi këtë Marrëveshje në kushtetuese.

Institucioni më i lartë juridik konstatoi që 23 pika të kësaj marrëveshje bien ndesh me Kushtetutën e vendit.

Kurse, presidenti i vendit, Hashim Thaçi së bashku me kryeministrin Ramush Haradinaj dhe kreun e Kuvendit, Kadri Veseli kanë caktuar ekipin për hartimin e statutit të Asociacionit.

Të tre krerët e shtetit premtuan që ky dokument do të hartohet duke u bazuar në vendimin e kushtetueses, por një gjë të tillë po e kundërshton Lista Serbe, e cila po kërkon që ky institucion politik të bëhet duke u bazuar në Marrëveshje të Brukselit.

Lajçi thotë se platforma ka për qëllim amnistimin e dëmeve që iu bënë Kosovës

Kundër platformës së Veselit, është shprehur edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ali Lajçi.

Image
Ali Lajçi

“Ky Kadri Veseli po kërkon një konsensus, por nuk mund të përzihen të gjitha çështjet bashkë, e të amnistohen korrupsioni e dukuritë e tjera përmes kësaj platforme. Me pak fjalë, kjo do t’i binte për të bërë një amnisti duke hyrë në tema të përbashkëta dhe pastaj të harrohen të gjitha dëmet që i janë bërë Kosovës”, thotë Laçi për “Bota sot”.

Deputeti i VV-së shprehet kritik ndaj platformës së Veselit sa i përket themelimit të Asociacionit.

“Sa i përket Asociacionit, çfarëdo bashkësie serbe në baza etnike është anti-kushtetues. Edhe ai i vitit 2013 dhe prej saj derivon edhe ai e vitit 2015. Kështu që çfarë do asociacioni që e kanë marrë ata obligim për ta bërë është anti kushtetuese. Prandaj platforma të tilla bëhen sa për të bërë zhurmë dhe për ta larë borxhin e vet liderëve”, deklaron deputeti i VV-së.

Lajçi shtoi, se kjo çështje ende nuk është diskutuar lidhur me platformën e Veselit, por sipas tij, të gjithë deputet kanë të njëjtin mendim me atë.

Kërkohen zgjedhjet e parakohshme

Deputetë dhe analistët politikë, thonë se mënyrë më e mirë që vendi të dalë nga kriza politike mbetet shpërndarja e Kuvendit dhe shkuarja në zgjedhje të parakohshme.

Madje, deputeti Naser Osmani, thotë se LDK është duke punuar në sigurimin e votave për shpërbërjen e Qeverisë Haradinaj.

“Ne jemi duke punuar në këtë drejtim dhe në momentin kur e shohim se kemi arritë për të siguruar votat, atëherë do të rrëzojmë Qeverinë”, thotë Osmani për “Bota sot”.

Osmani thotë, se nuk beson që ndërkombëtaret do të paraqesin problem në mbajtjen e zgjedhjeve.

“Zgjedhjet janë çështje e vullnetit të brendshëm dhe kjo nuk ka lidhje me asociacion e bisedime, sepse bisedimet kanë për të zgjatur me vite të tëra. Ne jemi të interesuar që sa më shpejt të shkojmë në zgjedhje për shkak të kësaj qeveria jo kredibile”, shtoi ai.

Edhe analisti politik, Haki Abazi, thotë se zgjedhjet janë domosdoshmëri.

Image
Haki Abazi

“Zgjedhjet e reja janë domosdoshmëri për të rivendosur ligjin dhe demokracinë në vend. Qeveria e tanishme Nuk e ka legjitimitetin dhe përkrahjen qytetare. Ne parlament nuk ka shumicën dhe një pjesë e parlamentarëve kanë mandatet e tyre nga VV-ja, por nuk përfaqësojnë konceptin e VV-së. Ndërkombëtarët nuk mund të jenë garantues të kushtetutës dhe atë e bëjnë vetëm votuesit që janë sovrani i republikës”, thotë Abazi.

Sipas tij, Kosova është në një gjendje të rëndë për fajin e kësaj Qeverie.

“Kosova është në zhvillime kritike dhe ka mbetur mbrapa vendeve të rajonit pikërisht për shkakun që institucionet e vendit janë abortuar nga papërgjegjësia dhe mungesa e legjitimitetit dhe përgjegjësisë së njerëzve që i udhëheqin ato. Kjo është situatë shumë e rrezikshme dhe me pasoja të mëdha në ekonominë e vendit dhe integrimet euroatlantike”, shtoi Abazi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat