“Tashmë i fundosur”, ky është plani i Kadri Veselit me propozimin e fundit

Politika

“Tashmë i fundosur”, ky është plani i Kadri Veselit me propozimin e fundit

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 23 prill 2018 Në ora: 16:06
Kadri Veseli

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, njëherit edhe kryetar i PDK-së, Kadri Veseli, gjatë ditës së sotme, ka propozuar një platformë politike, që sipas tij synon bashkimin e spektrit politik në Kosovë rreth pesë temave me interes nacional.

Pesë tema që përfshihen në platformën e propozuar nga Veseli janë Dialogu me Serbinë, Themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, Themelimi i Ushtrisë së Kosovës, Agjenda e Integrimeve Evropiane dhe Reforma Zgjedhore, shkruan “Bota sot”.

Por, çfarë po synon të arrijë me këtë Veseli? Cili është plani i tij me propozimin e kësaj platforme?

Lidhur me këtë, për “Bota sot”, ka folur analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike në Kosovë, Haki Abazi.

Ai thotë, se kjo platformë është edhe një mashtrim nga lidershipi i PDK-së.

Image
Haki Abazi

“Në Prill te vitit 2011 PDK kishte propozuar marrëveshjen e cila u nënshkrua nga Lideri i PDK-së e ai i LDK-së dhe AKR-së për ndryshimet ne ligjin zgjedhor dhe ndryshimet kushtetuese. Ishin formuar edhe komisionet nëntë anëtareshe. Natyrisht ashtu siç njihet muaji prill si muaji i gënjeshtrave edhe ajo doli te ishte një gënjeshtër e madhe dhe e kushtueshme. Mashtrimet e PDK dhe lidershipit te saj janë të pafundme dhe meqë është muaji Prill prape nuk mund të shoh këtë platformë ndryshe përveç se një tentim i mashtrimit të radhës ku lidershipi i PDK-së që tanimë është i fundosur dhe nuk përfaqëson askënd po tenton të paraqesë veten si faktorë në proces”, ka thënë Abazi për gazetën “Bota sot”.

Sipas tij, këto struktura janë duke e mbajtur peng shtetin e Kosovës.

“Unë besoj që do të ishte tradhti e madhe sikur të pranohej çfarëdo marrëveshje nga partitë opozitare sepse këto struktura nuk kanë as kredibilitet e as legjitimitet. Këto struktura janë duke e mbajtur peng vendin dhe institucionet e tij dhe si te tilla duhet shkuar ne shtëpi sa me parë që është mundur përkundër kostos qe ai proces qe do te ketë. Futja e asociacionit ne listë gjithashtu tregon se po duan që një marrëveshje jokushtetuese ta bëjnë pjesë të agjendës nacionale që në fakt nuk është asgjë tjetër përpos se një tentim për të ja lëshuar këmbët e arushës prape të tjerëve”, shprehet Abazi.

“Kjo platforme është një modifikim i radhës i tentimit të Thaçit për te krijuar grup uniteti kinse për dialogun qe ne fakt nuk është dialog por një platformë negociouse për Kosovën ku Kosova është spektator”, ka përfunduar analisti, Haki Abazi për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat