Kuvendi i “paralizuar”, përgjegjësi e Kadri Veselit

Politika

Kuvendi i “paralizuar”, përgjegjësi e Kadri Veselit

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 23 prill 2018 Në ora: 10:27
Kadri Veseli

Ngërçi i vazhdueshëm në të cilën po kalon Kuvendi i Kosovës, po tregon se vendi gjendet përballë një lloj autokracie qeveritare. Nga opozita mendojnë se Kuvendi i Kosovës në të njëjtën kohë edhe Qeveria Haradinaj janë duke funksionuar në mënyrën më të keqe të mundshme. Sipas tyre, Kadri Veseli, bashkë me koalicionin edhe pse nuk e kanë shumicën parlamentare po abuzojnë me pozitën tyre, për të qëndruar në pushtet jashtëligjshëm.

Mospjesëmarrja e deputetëve në seancat e Kuvendit të Kosovës, është treguesi më i mirë se ky institucion po vazhdon të përballet me mungesë të interesimit nga të thirrurit e popullit.

Përkundër paralajmërimeve  se do të ndëshkohen deputetët që mungojnë në seancat plenare, si duket një gjë e tillë kishte shkuar në “veshët e shurdhër”, pasi që numri i deputetëve që marrin pjesë nuk arrin as 50 për qind.

Ngërçi i vazhdueshëm në të cilën po kalon Kuvendi i Kosovës, po tregon se vendi gjendet përballë një lloj autokracie qeveritare.

Nga opozita mendojnë se Kuvendi i Kosovës në të njëjtën kohë edhe Qeveria Haradinaj janë duke funksionuar në mënyrën më të keqe të mundshme. Sipas tyre, Kadri Veseli, bashkë me koalicionin edhe pse nuk e kanë shumicën parlamentare po abuzojnë me pozitën tyre, për të qëndruar në pushtet jashtëligjshëm.

Ndërsa, sipas politologut të njohur në vend, Kuvendi i paralizuar si ky tani, është në interes të shumë palëve dhe po përdoret si ikje nga përgjegjësia.

“Kuvendi dhe qeveria po funksionojnë keq”

Image
Drita Millaku

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, tha se Kuvendi i Kosovës dhe Qeveria Haradinaj, janë duke funksionuar në mënyrën më të keqe të mundshme.

Millaku mendon se koalicioni aktual, përkundër që nuk i ka numrat, po e mban peng shtetin.

“Kuvendi i Kosovës është duke funksionuar në mënyrën më të keqe të mundshme, sikur edhe qeverisja në përgjithësi. Pra, qeveria po funksionon jashtë rregullit parimor demokratik, pra me më pak se gjysmën e numrave në Kuvend. Krejt kjo tregon se koalicioni qeverisës edhe pse nuk i ka numrat po e mban peng shtetin, për ta ‘vjelur’ buxhetin dhe për ta ‘mjelur’ këtë popull qe është gjithashtu i zënë peng”, u shpreh Millaku.j

Sipas saj, Kadri Veseli dhe koalicioni qeverisës po abuzojnë me pozitën, për të qëndruar në pushtet jashtëligjshëm.

“Kryetari i Kuvendit bashkë me koalicionin edhe pse nuk e kanë shumicën parlamentare po abuzojnë me pozitën tyre, për të qëndruar në pushtet jashtëligjshëm”, tha ajo.

Në fund, deputetja e Vetëvendosjes, potencon se kjo situatë varet nga opozita, nga e cila, sipas Millakut, priten veprime më të fuqishme drejt zgjedhjeve të reja të parakohshme.

“Nuk mendoj se kjo situatë do të vazhdojë kështu, por kjo varet nga ne si opozitë për të vepruar me fuqishëm në drejtim të zgjedhjeve të reja”, përfundoi deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku, për gazetën “Bota sot”.

“Jo serioziteti i Qeverisjes Haradinaj”

Image
Besa Baftiu

E, deputetja nga radhët e Grupit të Deputetëve të Pavarur, Besa Baftiu, duke komentuat ecurinë e punës në Kuvendin e Kosovës, për gazetën “Bota sot”, tha se më shqetësuese është fakti se janë deputetët nga pozita të cilët më tepër mungojnë në seancat plenare.

Për këtë, Baftiu thotë se kjo është edhe një jo seriozitet i Qeverisjes Haradinaj dhe koalicionit aktual, sepse, sipas saj, përgjegjësia më e madhe bie mbi ta.

“Jemi dëshmitarë se të gjitha seancat të cilat janë mbajtur deri më tani nuk janë përfunduar dhe kjo papërgjegjësi po bartet nga seanca në seancë. Çka është më shqetësuese, është fakti se aty nuk po janë prezentë deputetët e koalicionit qeverisës, më tepër mungojnë ata se sa mungojnë deputetët e opozitës. Kjo është një jo seriozitet pikërisht i qeverisjes, faktikisht i koalicionit aktual, sepse përgjegjësia më e madhe bie mbi ta, por normalisht është edhe përgjegjësi e secilit deputet veç e veç”, u shpreh deputetja Baftiu.

Deputetja e GDP-së mendon se ngërçi që ka kapluar këtë institucion dhe zgjatja me ditë të tëra e një seance është kompetencë e Kryesisë së Kuvendit dhe e krye parlamentarit, Kadri Veseli.

“Vet fakti që një seancë zgjatet jo vetëm me ditë të tëra, por edhe me javë, atëherë kjo të lënë për të kuptuar se edhe neve si deputetë nuk po na jepet e mundësia qoftë të parashtrojmë pyetje apo të bëjmë deklarime jashtë rendit të ditës. Për të pasur parasysh se kur kjo ndodh gjatë një seance, pra këto dy pika; deklarimi jashtë rendit të ditës dhe pyetjet parlamentare, që nuk kemi mundësi që t’i bëjmë, atëherë kjo normalisht është kompetencë e Kryesisë së Kuvendit, e pikërisht është edhe e kryetarit të Kuvendit”, përfundoi deputetja nga radhët e “GDP”, Besa Baftiu, për gazetën “Bota sot”.

“Zgjedhjet nuk janë garanci”

Image
Mentor Tahiri

Ndërsa, politologu Mentor Tahiri, duke folur për “Bota sot”, tha se Kosova e ka të paralizuar sistemin parlamentar.

Sipas tij, me mosfunksionimin e Kuvendit të Kosovës, Kosova gjendet në një lloj autokracie qeveritare, aq më tepër, Tahiri mendon se duke mos qenë të përkrahur nga një shumicë parlamentare.

“Kosova ka të paralizuar sistemin parlamentar. Kjo cenon funksionimin e shtetit dhe bie ndesh me frymën kushtetuese e cila përcakton mënyrën e delimitimit të pushteteve. Me mosfunksionimin e Kuvendit, Kosova gjendet në një lloj autokracie qeveritare. Aq më tepër, duke mos qenë të përkrahur nga një shumicë parlamentare, qeveria zhveshët qoftë edhe nga autoriteti moral”, u shpreh politologu.

Ai thotë, se mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme, nuk është garanci se mund të kemi institucione më të qëndrueshme.

“Në shikim të parë kjo është një situatë e paqëndrueshme, por megjithatë pak ka vullnet për të përmirësuar këtë. Mbajtja e zgjedhjeve të reja eventuale, nuk është ndonjë garanci se mund të kemi institucione më të qëndrueshme. Në këtë drejtim ka kalkulime edhe nga ana e opozitës, e cila nuk ka ndërmarrë veprime konkrete për të rrëzuar qeverinë”, tha Tahiri.

Politologu në fund thekson se një Kuvend i paralizuar si ky tani, është në interes të shumë palëve dhe po përdoret si ikje nga përgjegjësia.

 “Kam frikën se një Kuvend i paralizuar si ky tani, është në interes të shumë palëve dhe po përdoret si ikje nga përgjegjësia. Në anën tjetër, me një Kuvend jashtë loje, ekzekutivi ka plotësisht duart e lira. Një luks ky me shumë paradokse kur dihen çfarë sfidash po na presin rreth inkuadrimit të plotë në kuadër të sistemit politik ndërkombëtar”, përfundoi politologu Mentor Tahiri për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat