Një tryezë që përcakton të ardhmen e Qeverisë

Politika

Një tryezë që përcakton të ardhmen e Qeverisë

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 22 prill 2018 Në ora: 23:13
Qeveria e Kosovës

Se Kosova ndodhet në krizë politike, është shumë lehtë të dallohet, pavarësisht se partitë në pushtet po e mohojnë një gjë të tillë.

Një qetësi “para stuhisë” ka kapluar qeverinë e Kosovës, që nga largimi i Listës serbe nga koalicioni.

Këtë qetësi pritet ta prishin këtë javë, thuajse të gjitha subjektet politike në Kosovë, të cilat me iniciativë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, do të mblidhen në një tryezë për të diskutuar mbi problemet me të cilat ballafaqohet vendi aktualisht.

“Kjo tryezë ku do të përfshihen të gjitha partitë politike në vend është e domosdoshme duke pas parasysh krizën institucionale dhe politike që po kalon vendi, humbjen e shumicës parlamentare, mosfunksionimin normal të Kuvendit si dhe dështimin e funksionimit ligjor dhe kushtetues të institucioneve siç ishte rasti me dëbimin e gjashtë shtetasve turq”,  ka theksuar ditë më parë, Abdullah Hoti nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Gati një vit pas rrëzimit të Qeverisë Mustafa nga PDK dhe partitë e atëhershme opozitare, shkuarja e sërishme në zgjedhje po bëhet një temë e pashmangshme diskutimi.  Qeveritë në Kosovë, të ndërtuara nëpërmjet pazareve politike për koalicione nuk po mund ta përfundojnë asnjëherë mandatin e tyre qeverisës.

Vazhdimi i jetës institucionale të Qeverisë Haradinaj, mund të bëhet edhe më i vështirë, nëse konstatohen shkeljet kushtetuese për rritjen e pagave dhe demarkacionin e kufirit me Malin e Zi. 

Kushtetuta mund të shkelet edhe në rast se nuk respektohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe që pritet të themelohet së shpejti.

Qeveria aktuale e Ramush Haradinajt, po shkon prej gabimit në gabim. Një gjë e tillë u vërtetua edhe në raportin e Progresit, por edhe në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit, ku është konstatuar se Kosova përballet me korrupsion e ndërhyrje në drejtësi.

Transparenca në drejtësi dhe Qeverisja me duar të pastra janë gjërat elementare që do të duhej t`u siguroheshin qytetarëve të Republikës së Kosovës. Ramush Haradinaj, për më shumë se 6 muaj qeverisje, nuk arriti t`ua siguronte qytetarëve as njërën as tjetrën.

Zgjedhjet e reja mund të jenë të kushtueshme por të pashmangshme duke parë gjendjen aktuale në të cilën ndodhet vendi.

Përparim nuk ka as në dialogun me Serbinë, derisa platforma e re e bisedimeve ka lënë jashtë shumë tema të ndjeshme për qytetarët e Kosovës.

Kosova vazhdon të mos e ketë ushtrinë e saj dhe pengesë për këtë vazhdon të jetë Lista serbe.

Premtimet se do të ketë liberalizim të vizave deri në fund të vitit si duket do të mbesin të tilla duke marrë parasysh raportin e progresit ku u konstatua se vendi nuk ka shënuar progres të mjaftueshëm.

Ndryshe, tryeza e së mërkurës do të dëshmojë nëse opozita e ka seriozisht kërkesën e saj për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj, të cilën qysh nga formimi nuk ka pushuar së kritikuari.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat