Të kërkosh qeveri të ligjshme, me një udhëheqje partiake jolegjitime!?

Politika

Të kërkosh qeveri të ligjshme, me një udhëheqje partiake jolegjitime!?

Idriz Zeqiraj Nga Idriz Zeqiraj Më 21 prill 2018 Në ora: 12:49
LDK

Opozita u dakordua për ta rrëzuar qeverinë e paligjshme dhe kriminale të PAN-it. Dhe, vërtet, është nevojë akute, të shporrën nga froni këto helaqe,- siç thonë llapjanët. Në favor të rrëzimit të qeverisë aktuale, flasin njëmijë e një arsye: 

1) Tri partitë, bazë të koalicionit, PDK-ja, AAK-ja dhe NISMA, janë parti-banda, me të shkuar dhe të tashme kriminale;

2) "Fitorja" e koalicionit, votimi për atë, është blerë me dhënien e mijëra dëshmive të "veteranit të luftës";

3) Shantazhi, tej fashizoid, për ta marrë një votë vendimtare deputeti, për të kaluar qeveria, kryeministri, kryeparlamentari. Për këtë u bë pazari sa i kushtueshëm, aq edhe i ndyrë. Një halabak, pa bazë partiake, u mor nga rruga, u kalavesh me dy poste ministrore dhe zëvendëskryeministër, në këmbim të vrasjes politike të sugareshës simpatike të Presidentit Rugova!!!

4) Të paktën, tre ministra nën akuzë, e hajnisë zyrtare dhe pisllëqe tjera si dhe kryeministri vazhdon të mbetet nën akuzën e krimit të organizuar vrastar dhe të haraçit të përgjakshëm;

5) Kryeministri dhe qeveria e tij është më e dobëta, "prej se ka mbi lisi", me performancë katastrofale profesionale;

6) Koalicioni skandaloz: Për ta heshtur tradhtinë e Hashim presidentit, me shokë, marrëveshjen konspirative, ratifikoi demarkacionin, duke tjetërsuar mijëra hektarë tokë, në favor të Malit të Zi;

7) Qeveri me kryeministër shumëfish të shantazhuar: nga Presidenti, krerët e partive në koalicion, e deri ke serbët e romët. Qeveri nën ethet e ekzistencës, qeveri si në varkën me dallgë deti; 

8) Koalicioni i ideologjisë së mykur sllavo-komuniste, me mendje e zemër pro-rus, por me deklarime shtirake, kinse, perëndimor;

9) Qeveri që shënoi skandalin ndërkombëtar. Deportoi për në Turqi, "në gojën e ujkut", të aziluarit turq në Kosovë, me përndjekje politike të egër, nga diktatori Erdogan, që përbën shkelje të rëndë të Konventës Ndërkombëtare dhe shkelje vandale të të drejtave elementare njerëzore;       

10) Qeveri me menaxhim shpërdorues të buxhetit shtetëror. Oreksi grykësore, për para personale dhe korruptuese, synimi për shtim perspektiv të elektoratit, pa mbulesë përballuese buxhetore;

11) Qeveri e fryrë madhore dhe marroqe, e një shteti minor: 21 ministri, 5 zëvendëskryeministra, 71 zëvendësministra, 450 këshilltarë e shoferë dhe një lukuni nëpunësish, "tundës të zinxhirit!" Një qeveri rrumpallë, gangrenë, "vrimë e zezë", që përpinë buxhetin, edhe ashtu të pakët, të Kosovës;

12) Financimi i dyshimtë, me 90 mijë euro, për rastin "Kumanova". Në zgjedhjet lokale të parafundit, disa syrësh janë denoncuar, se kanë dhënë dajak e kanë mbledhur haraç, për partinë e kryeministrit. Edhe më i dyshimtë vazhdon të mbetët dërgimi në plumb i tyre, si "cjapi ke kasapi"; 

13) Shumë mijëra euro për "Epopenë në Prekaz", 54 mijë euro për "Flakën e Janarit", 600 mijë euro për "Ditën e Pavarësisë" dhe shpenzime tjera të kësaj natyre, për kushtet e Kosovës së vogël, me infrastrukturë të gatshme gjegjëse, për manifestim, përse përdorën ato para?! Duke kursyer shpenzimet e tepërta, do të bëhej restaurimi i kullës të Jasharajve. 

14) Koalicioni aktual, jo vetëm që i mbron të akuzuarit faktik, kriminelët, por, edhe i liron nga burgu të dënuarit me ligj, duke i stimuluar kriminelët tjerë, duke e relativizuar drejtësinë;

15) Koalicioni kriminal u bë bllok, për shfuqizimin e Gjykatës Speciale. Krerët e koalicionit: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Ramush Haradinaj, Fatmir Limaj, ndonëse në shënjestër të kësaj Gjykate, ndërsyen banditët e tyre, të vënë krye të Shoqatave, kinse, "të dala nga lufta", pa hyrë kurrë në luftë, me kërcënimin se "do ta kallim Kosovën, njësoj si bandat komuniste, më 1997, Shqipërinë". "Gjuaj gurin dhe fsheh dorën". Krerët kriminal të koalicionit, provuan ta fshehin vendimin e tyre, duke ua ngarkuar një grupi matrapazësh deputetë, shumë syresh kriminelë "me kartelë", por dështuan. Krerët kriminalë të koalicionit, po sakrifikon Kosovën, "për bythën e tyre". Dhe, ky fakt, tejet domethënës, mjafton që këta maskarenj të shporrën, qoftë edhe dhunshëm, nga pushteti i uzurpuar me shantazhe e hilera monstrume.

16) Raportin e Komisionit të BS-së, për Kosovën, zëvendëskryeministri Hoxhaj, e cilësoi si "shumë pozitiv!" Hajde, rrenacak, hajde! Sa i pacipshëm, ky panagjerik i Hashimit. Ndërkohë që, e gjithë bota e komentoi si shumë negativ. Për luftën dhe ndëshkimin e krimit të organizuar vrastar dhe korrupsionin, thënë shkoqur, hajninë zyrtare, koalicioni nuk ka bërë "as lavrën e minit". Dhe, megjithatë, korrupsionin e përmendin shkarazi, kurse krimin e organizuar e heshtin tërësisht. Banditizëm e rrugaçëri zyrtare - njëherësh!

17) Qeveria e dalë nga koalicioni i bandave kriminale, që, dje kanë përgjakur popullin e pafajshëm të Kosovës, sot po zhvatin pasuritë e brezave shqiptarë. Janë, pikërisht, krerët kriminalë qeveritarë e shtetërorë, të cilët, në emër të luftës së pabërë, kanë uzurpuar toka e troje shtetërore, ndërsa me hajnitë zyrtare dhe haraçin e përgjakur, kanë ngritur vilat-pallate!

Bazuar në një mori gjetjesh negative, të kësaj qeverie super-kriminale, kërkesa për rrëzimin e saj  është, sa legjitime, aq edhe imperativë, e ngutshme.  Dhe, kjo nuk duhet të bëhet bërë, jo për ardhjen në pushtet të një garniture dosido, por të një qeverie pa cene, të dinjitetshme dhe, thellësisht, të ligjshme.

Shtrohet pyetja: Si mund të kërkosh largimin e një qeverie të paligjshme, për ta zëvendësuar me një qeveri të dalë nga një udhëheqje partiake jo legjitime?! Në rastin konkret: LDK-ja, dikur zëmadhe, me debatin e brendshëm partiak, me konkurrencë zgjedhore të strukturave vendimmarrëse dhe me votim të fshehtë e demokratik, në dy Kuvendet e fundit "Zgjedhore", përkatësisht të 7-të dhe 8-të, degjeneroi, duke anashkaluar, më sakt, ndaluar debatin, aplikoi mungesën e konkurrencës për zgjedhjen e të gjitha strukturave partiake dhe bëri votimin aklamativ komunist e hiç demokratik. Rrjedhojat ishin fatale për një parti politike serioze, si LDK-ja, me proklamim demokratik dhe orientim perëndimor, ndërkohë që nuk kanë "asnjë fije" legjitimiteti strukturat vendimmarrëse aktuale të LDK-së: Kryetari, Kryesia, Këshilli i Përgjithshëm. Të ligjshëm janë vetëm deputetët dhe udhëheqjet në komunat e fituara nga LDK-ja, në zgjedhjet qendrore dhe lokale të vitit të shkuar.

Andaj, për ta ligjësuar udhëheqjen e saj partiake, për të qenë e vendosur dhe ballëhapur, për ta kërkuar rrëzimin e qeverisë aktuale kriminale, hajdute dhe katastrofisht të dobët e skandaloze, LDK-ja duhet " ta pastrojë oborrin e vet", nga SHIK-istët e veshur me pushtet brenda saj. Dhe, këtë mund ta bëjë vetëm nëpërmjet zgjedhjeve të parakohshme brenda-partiake. Legjitimiteti i dalë nga vota e anëtarësisë, garanton, në mos pastrimin e plotë, të paktën, amortizimin e fuqisë komanduese të SHIK-ut, në vendimmarrjet e LDK-së. 

Tellallët e SHIK-ut, përsërisin sloganin se "LDK-ja e ka kryetarin dhe zgjedhjet në parti janë vitin e ardhshëm", se "për këtë vendosin forumet e partisë", që, realisht, janë forume të diktuara nga SHIK-u kriminal, i cili ka ngulfatur partinë e Ibrahim Rugovës, duke e mbajtur, pafundësisht në opozitë ose bisht të partisë-bandë, PDK-së. Deklarimet mburracake se "jemi partia më e madhe në vend, janë, me nder, pordha zhurmuese, që nuk ngushëllojnë aspak elektoratin simpatikë e numerikë të LDK-së të Presidentit Historik, Dr. Ibrahim Rugova. Prandaj, një pjesë e të cilit abstenon, madje, së fundi, edhe i bojkoton zgjedhjet, në shenjë pakënaqësie dhe revolte, ndaj strukturave vendimmarrëse aktuale jolegjitime të LDK-së. Për elektoratin besnikë e fisnikë të LDK-së, është e tepërt, jo pritje një-vjeçare e zgjedhjeve, por edhe ajo një-mujore. Provoni e pyesni anëtarësinë, madje, edhe simpatizantët, elektoratin e Lidhjes Demokratike të Kosovës. "Daullja bie për ata që kanë veshë!"

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat