Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, bashkë me kryeministrin e vendit, Ramush Haradinaj, sot kanë emëruar drejtorin e ri të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI).
Duke u bazuar në Ligjin për Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, presidenti Thaçi dhe kryeministri Haradinaj, morën vendim për emërimin e Shpend Maxhuni, drejtor i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.
Ky emërim sipas deputetit Naser Rugova nga Lidhja Demokratike e Kosovës po del të jetë i gabuar.
Rugova në një prononcim për gazetën ‘’Bota sot’’ thotë se emërimi i Shpend Maxhunit si shef i AKI-së ia siguron partnerëve të koalicionit PANA-Lista serbe, kontrollin e këtij institucioni.
‘’Është fakt që është detyrë me përgjegjësi ligjore e presidentit në koordinim me kryeministrin e vendit dhe ata e kanë bë këtë përzgjedhje . Konsideroj se drejtori i policisë së një shteti të emërohet në një post të tillë me përgjegjësi siç është AKI që është një institucion jashtëzakonisht I rëndësishëm për ruajtjen e rendit kushtetues dhe përkujdesjes nacionale të Kosovës. Nuk ka shumë shembuj të tillë të ngjajshëm që një drejtor policie të emërohet shef i agjencisë së inteligjentes sepse këto janë detyra të ndara, konsideroj që shefi i AKI-së duhet të jetë njeri me përvojë dhe me përgatitje akademike. Sipas mendimit tim emërimi i tij në këtë pozitë shihet si një kompromis politik për kontrollin e këtij institucioni nga partnerët e koalicionit qeverisës’’, ka thënë Rugova.