Izolimi diplomatik i Kryeministrit të Kosovës, Evropa ia mbyllë dyert

Politika

Izolimi diplomatik i Kryeministrit të Kosovës, Evropa ia mbyllë dyert

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 20 prill 2018 Në ora: 20:16
Ramush Haradinaj

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, po vazhdon të mbetet i izoluar në kuadrin e takimeve me homologët e tij perëndimorë.

Që nga ardhja e tij në pushtet, ai ka zhvilluar takime vetëm me kryeministrat e vendeve fqinje, respektivisht me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, atë të Maqedonisë, Zoran Zaev dhe kryeministrin e Malit të Zi, Dushko Markoviq.

Ndërsa, me kryeministrat e vendeve të mëdha evropiane, Haradinaj nuk ka zhvilluar asnjë takim të vetëm, e gjithashtu para disa muajsh, iu refuzua edhe viza për në Amerikë, për t’iu dhënë pas disa javësh.

Nëse vazhdon ky avaz i Haradinajt dhe krerëve të shtetit tonë me mos takime e vizita me zyrtarë të lartë të BE-së dhe SHBA-ve, sigurisht që rruga drejt Bashkimit Evropian do vazhdojë të jetë e “ngushtë”.

Haradinaj dhe Presidenti Thaçi, po tregohen të dobët dhe jo diplomatik krahas Presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiq, i cili po zhvillon takime të njëpasnjëshme me vendet e Bashkimit Evropian. Kujtojmë se takimi i tij i fundit ishte me Kancelaren e Gjermanisë Angela Merkel.

Vuçiq dy herë në Gjermani

Kjo ishte vizita e tij e dytë e Vuçiq në Gjermani brenda dy muajve, e pas vizitës së fundit atje, u kthye në Serbi duke thënë se duhet ta kemi një marrëveshje historike me Kosovën, deklaratë kjo që tregon qartë se Serbia po tregohet më e shkathët se Kosova në rrugën e integrimeve evropiane.

Politikanë  e analistë të njohur të politikës, thonë për “Bota sot” se kjo qeveri e veçanërisht Haradinaj, po dëshmon se është e dështuar institucionalisht dhe tentimi për “thikat pas shpine” ndaj shteteve të mëdha, e ka lënë atë dhe krerët e tjerë të izoluar dhe pa takime me zyrtarë të lartë Evropian.

Islami: Evropa nuk i do njerëzit e kriminalizuar

Image
Gazmend Islami

Kryetari i Ballit Kombëtar Demokrat dhe analisti, Gazmend Islami, thotë se Kosova ka një qeveri të dështuar, e kjo e dëshmon edhe fakti që  asnjë nga shtet e mëdha Evropiane nuk ka kërkuar takim dhe nuk ka pranuar që të takohet me Ramush Haradinajn dhe krerët e tjerët të shtetit.

“Arsyeja kryesore që asnjë nga shtetet e mëdha evropiane nuk ka kërkuar takim dhe nuk ka pranuar që të takohet me Ramush Haradinajn dhe krerët e tjerët të shtetit, dëshmon që i kemi institucionet më të dështuara që nga paslufta, pra është një qeveri e udhëhequr nga njerëz që e kanë dëshmuar vetën se janë po ata njerëz që kanë kriminalizuar shtetin e Kosovës”, u shpreh Islami për “Bota sot”.

Ai shton tutje, se këta pushtetarë aktualë do vazhdojnë të mbeten të izoluar karshi takimeve me zyrtarët e lartë evropian, duke besuar se shumë shpejt kjo qeveri do të zëvendësohet.

“Deri sa të vijë një strukturë tjetër e qeverisë që do të jetë normale për Bashkim Evropian, këta do të mbeten të izoluar dhe nuk do kenë hapësirë për takime me njerëz të lartë evropian dhe për të qenë partner me ta, siç janë krerët e shteteve të zhvilluara si Gjermania, Franca, Anglia, Italia etj. Tash do t’i kemi edhe aktakuzat e para nga Gjykata Speciale duke filluar nga presidenti Thaçit e deri tek të gjithë ata që e kanë kapur shtetin që nga paslufta. Besoj se shumë shpejt kjo qeveri kriminale do të ikë në shtëpi dhe me shumë gjasa për herë të parë që nga paslufta, në qeveri do vjen një strukturë tjetër e re qeverisëse, dhe këta kauboj të maleve nuk do ta zhvasin më popullin nën petkun e UÇK-së”, shtoi Islami.

Specialja dhe vonesa e Demarkacionit, shkas i izolimit të pushtetarëve

Image
Mentor Tahiri

E analisti politik për marrëdhënie ndërkombëtare, Mentor Tahiri, citon se Kosova është një akter i vogël ndërkombëtar në kuadër të sistemit politik ndërkombëtar, e kjo sipas Tahirit ka të bëjë me vetë mënyrën se si po perceptohet skena e brendshme politike në Kosovë.

 “Kosova është një akter i vogël në kuadër të sistemit politik ndërkombëtar. Në këtë kuadër duhet parë edhe mosinteresimin e selive perëndimore për të pritur delegacione të larta nga Kosova. Të jesh akter i vogël ndërkombëtarë, gjithsesi nuk ka të bëjë me përmasat e popullsisë apo territorit, por ka të bëjë me vetë mënyrën se si po perceptohet skena e brendshme politike në Kosovë”, tha Tahiri për “Bota sot”.

Sipas tij, vendit po i mungon një strategji veprimi me politikën e jashtme, ndërsa mendon se vonesa e demarkacionit dhe tentimi për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, janë një ndër faktorët që krerëve të shtetit tonë, iu mungojnë takimet me zyrtarët e shteteve të BE-së.

“Vendit po i mungon çdo vizion apo strategji se si duhet vepruar në politikën e jashtme. Së fundmi, edhe veprimet e brendshme të cilat po na konfrontojnë me aleatët perëndimorë si p.sh. deri vonë çështja e demarkacionit apo “incidenti” me Gjykatën Speciale, janë pjesë e kësaj mungese”, theksoi Tahiri.

Evropianët të lodhur nga kjo qeveri e Kosovës

Image
Binak Maxharraj

Ndërsa, profesori dhe njohësi i çështjeve politike në vend dhe jashtë vendit, Binak Maxharraj, thekson se tentimi për shfuqizimin e Speciales, deportimi i turqve e “tmerroi” Amerikën, ku së bashku me vendet e BE-së dhanë kritika ndaj pushtetarëve tanë, e sipas Maxharrajt, këto skandale dhe shumë të tjera, bënë që të tjerët nuk duan të takohen me ta.

“Tentimi për shfuqizimin e Speciales, deportimi i turqve la një hije te zezë te këta pushtetarë. U tmerrua Amerika dhe të gjitha vendet e Evropës te cilat nuk ndalën me kritika ndaj pushtetarëve tanë. Të gjitha këto skandale dhe shumë të tjera për krime lufte, për afera korruptive shkruanin të gjitha mjetet e informimit me prestigjioze të botës që gjatë shkrimeve të tyre këta pushtetarë i krahasonin me palaço. Pra, kjo bëri që këta pushtetarë tanë nuk donë me i pa me sy ,e lëre më t’i thirrin në ndonjë vizitë”, u shpreh Maxharraj për “Bota sot”.

Ai shton, se vendet e perëndimit janë lodhur nga kjo qeveri aktuale e Kosovës dhe duan sa më parë ta shohin largimin e tyre, ndërsa për Haradinajn thotë se i ka dalë nami i keq me punët e tij të këqija gjatë qeverisjes së tij dhe kjo është arsyeja që askush nuk e fton në vizita shtetërore.

“Thjesht vendet e perëndimit janë lodhur nga këta dhe më nuk dëshirojnë qe t’i shohin në pushtet, por e dëshirojnë largimin e tyre sa më parë. Haradinaj mund të ketë qenë komandant i zoti dhe trim në luftë. Me fjalë tjera këtij njeriu më shumë i ka dalë nami për të keq, se sa për ndonjë punë të mirë të bërë si Kryeministër, që do të thotë se ka lënë një përshtypje të keqe te vendet perëndimore dhe mu për këtë arsye dhe arsyeve tjera atë askush nuk e fton në vizita shtetërore”, tha Maxharraj.

Ai përmendi edhe Vuçiqin, ku tha se ai po dinë ta shfrytëzojë situatën dhe dialogun me perëndimin, e sipas Maxharrajt, Vuçiq e ka kuptuar se kompromisi me BE-në mund ta dërgojë atë dhe Serbinë në Bashkimin Evropian, ndërsa thotë se krerët e shtetit tonë nuk kanë shanse ta vizitojnë Gjermaninë.

“Filloi t’i afrohet Perëndimit, sepse në perëndim e shihte Serbinë më të rehatshme se sa në Rusinë mashtruese e të pabesë. Me këto gjera Vuçiq ia tërhoqi vëmendjen perëndimit dhe filluan ta ofrojnë kah vetja, por edhe nga fakti për t’ia grabitë Serbinë Rusisë. Edhe në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Vuçiq arra e ti nuk është më aq e fortë, por ai po tregohet më fleksibil duke ua bërë me dije se pa një marrëveshje stabile me Kosovën nuk mund të hyjnë në Evropë. Për këtë qëllim këto ditë e thirri në një takim edhe Angela Merkel e Gjermanisë, me të kthyer nga atje ai tha se me Kosovën duhet bërë një marrëveshje historike. Pushtetarët tanë nuk kanë shanse ta vizitojnë Gjermaninë, një herë e ka bë Isa Mustafa, sepse thjesht këta udhëheqës të korruptuar me shumë skandale, Gjermania dhe shumë vende tjera të Evropës jo qe nuk i thërrasin në vizita, por dëshirojnë që kjo klasë e korruptuar komandantesh të ikë sa më parë nga pushteti”, përfundoi Maxharraj për “Bota sot”.

Opozita ka paralajmëruar mocion mosbesimi për rrëzimin e qeverisë Haradinaj, e nëse kjo ndodh, atëherë kryeministri Ramush Haradinaj do të mbahet mend si një nga kryeministrat që nuk ka pasur takime me homologë të tij evropian dhe më gjerë gjatë mandatit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat