“AKI është shndërruar në shërbim personal të Hashim Thaçit dhe PDK-së”

Politika

“AKI është shndërruar në shërbim personal të Hashim Thaçit dhe PDK-së”

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 20 prill 2018 Në ora: 18:53
Shpend Maxhuni

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, bashkë me kryeministrin e vendit, Ramush Haradinaj, kanë emëruar drejtorin e ri të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI). Duke u bazuar në Ligjin për Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, presidenti Thaçi dhe kryeministri Haradinaj, morën vendim për emërimin e Shpend Maxhuni, drejtor i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.

Duke folur rreth asaj se është ky emërim i Maxhunit në krye të AKI-së një lojë e kurdisur e Hashim Thaçit dhe Ramush Haradinajt, duke marrë parasysh se javë më parë, u suspenduan nga pozita Driton Gashi dhe Flamur Sefaj,  analisti politik Faton Mehmeti, ka thënë për “Bota sot” se asnjëri nga krerët e shtetit nuk do të mund të gjenin njeri më ideal se Shpend Maxhunin.

Sipas tij, Maxhuni sa ishte në polici u dëshmua për lojalitetin dhe servilizmin, sidomos ndaj Thaçit.

Image
Faton Mehmeti

“Nuk ka dyshim se AKI është shndërruar në fakt në shërbim personal të Hashimit dhe PDK-së, duke përhumbur detyrën e saj të shërbimit ndaj vendit. Thaçi vazhdon të ketë nën kthetrat e tija edhe AKI, përmes së cilave mund të grumbullojë fakte për këdo që është dëshmitar për çfarëdo afere apo krime lufte. Prandaj, është e rrezikshme në çfarë katandisje ka rënë shërbimi informativ i vendit, i cili vetëm sa kërcënon sigurinë në vend. Me Shpend Maxhunin, AKI vetëm sa do rekrutojë edhe më shumë militantë të PDK-së, përmes së cilës edhe mundësojnë manipulimet e rezultatit në kohë zgjedhjesh. Është për keqardhje që Shpend Maxhuni është emëruar shef i AKI-së, kjo i shërben vetëm interesave të Klanit " Pronto" dhe askujt tjetër”, ka thënë analisti politik Faton Mehmeti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat