Profesori ndërkombëtar zbulon dy zgjidhjet e dialogut që do të jenë tronditëse për Kosovën

Politika

Profesori ndërkombëtar zbulon dy zgjidhjet e dialogut që do të jenë tronditëse për Kosovën

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 20 prill 2018 Në ora: 15:39
Hashim Thaçi

Ambasadori francez në Kosovë, Didier Chabert ka deklaruar se normalizimi midis Kosovës dhe Serbisë do të bëhet përmes kompromisit që do të jetë i dhimbshëm për të dy palët.

“Normalizimi i marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë është para së gjithash një çështje për të dy vendet, të cilat duhet të tregojnë pjekuri, përgjegjësi dhe një frymë kompromisi. Kjo do të thotë të pranosh kohën për të bërë koncesione për të ecur përpara. Disa nga këto koncesione mund të jenë të dhimbshme për Serbinë, si edhe për Kosovën. Ne duhet të jemi të përgatitur për faktin se pavarësisht nga marrëveshja përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve, negociuar në kuadër të dialogut, nuk do të ketë unanimitet as në popullatë dhe as në klasën politike,  në Beograd apo Prishtinë. Secila palë duhet të ketë bërë kompromis në pika shumë të ndjeshme për opinionin e tyre publik në mënyrë që të arrihet një marrëveshje përfundimtare. Bashkimi Europian po ndihmon në përparimin në këto negociata nëpërmjet lehtësimit të tyre dhe mbështetjes materiale shumë të rëndësishme. Ky është një proces që Shtetet e Bashkuara gjithashtu mbështesin dhe inkurajojnë. Kjo është e rëndësishme sepse Shtetet e Bashkuara zënë vend jetësor në stabilitetin dhe sigurinë e Evropës dhe Ballkanit”, ka vlerësuar ai.

Lidhur me këtë, profesori i të drejtës ndërkombëtare, Enver Bytyçi, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se kur ambasadori flet për marrëveshje të dhimbshme, bëhet fjalë për ndarjen e Kosovës.

“Kur ambasadori francez flet për një marrëveshje të dhimbshme për Serbinë dhe Kosovën, jam i sigurt se është fjala për ndarjen e saj. Ai e njeh skemën që është hartuar, i njeh aktorët që do të implementojnë këtë skenar, përkatësisht palët në bisedime dhe mbështetëse. Kjo do të thotë se në një hark kohor prej dy vitesh, presidenti i Kosovës i mandatuar për bisedimet Kosovë-Serbi do të nënshkruajë kapitullin e Kosovës, zhvleftësimin e investimit kombëtar e ndërkombëtar për shtetësinë dhe pavarësinë e Kosovës, do të nënshkruajë ndarjen e territorit”, vlerëson ai.

Image
Enver Bytyçi

Sipas Bytyçit, Thaçi është i vetmi politikan në Kosovë që është i gatshëm t’u japë serbëve të drejta për Trepçën, Brezovicën e të tjera dhe që në Kosovë do të ketë disa mini shtete dhe kjo do të jetë varianti i dytë i dhimbshëm për Kosovën.

“Ose në të kundërt Thaçi shihet si i vetmi politikan në Kosovë, i cili është i gatshëm që bashkë me asociacionin t'u japë serbëve të drejtën e vendimmarrjes për Trepçën, Brezovicën, madje edhe për llixhat në periferi të Ferizajt. Përfundimisht do të kishim disa minishtete serbe brenda Kosovës. Çdo komunë me shumicë serbe, edhe pse me 500 banorë do të administrojë pasuritë e të gjithë qytetarëve të këtij vendi. Këto dy variante të zgjidhjes janë e do të jenë dhimbja e Kosovës. Këtë dhimbje Thaçi e mbolli më 10 qershor 1999 kur ia fali urën e Mitrovicës ushtarëve francezë dhe serbëve të veriut, pra Serbisë. Këtë dhimbje do ta nënshkruajë ai e bashkë me këtë do të marrë garancitë për t'i shpëtuar ndëshkimit të Gjykatës Speciale”, është shprehur profesori Bytyçi për “Bota sot.

Ai thotë se Kuvendi duhet të kërkojë që në bisedime të jetë dikush tjetër, nga cilado qoftë parti, por duke qenë që ka pak mundësi të ndodhë, duhet që në bisedime të jetë edhe SHBA.

“Parlamenti i Kosovës duhet të kërkojë që bisedimet me Serbinë t'i kryesojnë politikanë atdhetarë, të ndershëm e të pakorruptuar, kushdo qofshin ata, nga PDK, LDK. VV. AAK. AKR apo Nisma. Por kjo ka shumë pak gjasa të ndodhë. Atëherë duhet vënë si kusht që palë në bisedime të jenë dhe SHBA-të. Përndryshe nuk do të duhej të fillonin këto bisedime. Me shpresë të Zotit që edhe njëherë të na e sjellin lirinë amerikanët! Çka në fakt nuk është e drejtë! Nëse ne duam të mbetemi në robërinë e Serbisë, nuk ka asnjë arsye të na çlirojë dikush tjetër, qofshin këto edhe SHBA-të”, ka përfunduar Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat