Të gjeturat në raportin e Progresit i faturohen Qeverisë Haradinaj

Politika

Të gjeturat në raportin e Progresit i faturohen Qeverisë Haradinaj

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 19 prill 2018 Në ora: 22:13
Foto ilustrim

Njohës të Integrimeve Evropiane dhe analistë politik, kanë vlerësuar se rritja e krimit dhe korrupsionit, politizimi i administratës publike, mungesa e zhvillimit ekonomik etj, nuk mund t'i faturohet askujt tjetër, pos udhëheqjes politike e vendit, e cila në vazhdimësi po i kontribuon brishtësisë shtetërore. Sipas tyre, gjithë spektri politik është mirë që të kthjellet dhe ta kuptojë se, interesat e grupeve të inkriminuara nuk është mirë që të sakrifikojnë ardhmërinë e Kosovës.

Komisioni Evropian, ka publikuar ditë më parë Raportin e Progresit për vitin 2017, ku mes tjerash ka potencuar disa nga ngecjet e Kosovës në lidhje me kërkesat e BE-së në çështjen e integrimeve.

Sipas këtij raporti, për të arritur tek liberalizimi i vizave, Kosova duhet të punojë në emërimin e pavarur të agjencive të Kosovës në baza meritore dhe në kohën e duhur.

Raporti për Kosovën i Komisionit Evropian edhe këtë vit ua rikujtoi institucioneve të Kosovës obligimet të cilat duhet t’i përmbushin në mënyrë që Kosova të shënojë përparim në proceset integruese evropiane.

Vlerësimi i përgjithshëm i raportit thekson përparim të ngadaltë të shtetit në Agjendën e Reformës Evropiane. Sikurse edhe në vitet paraprake, Kosova mbetet në “fazë të hershme” në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, reformimin e sistemit gjyqësor dhe administratës publike apo përputhshmërinë me standardet evropiane.

Karaqi: Të gjeturat i adresohen institucioneve gjegjëse

Image
Mrikë Karaqi, Asistente Ekzekutive nga Kabineti i Ministres së Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha

Në lidhje me këtë çështje, Mrikë Karaqi, Asistente Ekzekutive nga Kabineti i Ministres së Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, ka thënë për “ Bota sot” se të gjitha të gjeturat i adresohen institucioneve gjegjëse, sipas përgjegjësisë institucionale, duke vënë prioritete sipas atyre të gjeturave.

Sipas saj, në këtë raport janë të cekura të gjitha, andaj, secila e gjetur shkon te institucioni i ngarkuar, duke pasur vëmendje të veçantë, procesin e fuqizimit të sundimit të ligjit, luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, punësimin dhe arsimin.

“Dihet se ky raport mbulon periudhën e vitit 2017 dhe kjo Qeveri është formuar në muajt e fundit të vitit 2017, megjithatë ne duhet të fokusohemi në punën që do të bëjmë këtë vit. Të gjithë duhet ta marrim raportin si udhërrëfyes të punës sonë gjatë muajve të ardhshëm. Raportin e shohim si real dhe objektiv, ka të evidentuara të arriturat por edhe sfidat tona. Aty janë rekomandimet për çuarjen tutje përpara të procesit. Gjithsesi ka përparime dhe raporti i cek, ndërsa ne konsiderojmë se ky Raport për vendin është më i miri deri më tani”, ka thënë Karaqi.

Në lidhje me këtë çështje Deputetja e VV-së, Drita Millaku, ka thënë për “Bota sot” se raporti i progresit ishte incizim real i situatës në Kosovë çka edhe u shpreh tekstualisht në këtë raport.

Image
Drita Millaku

Sipas saj, barra për këto dështime kryesisht i takon qeverisë së Kosovës edhe të Isa Mustafës si dhe kësaj të Ramushit, e cila e ka degraduar edhe më shumë procesin e përparimit të Kosovës.

“Të lartcekurit madje edhe e kanë shpirë në drejtim të gabuar me çka edhe po vonohet përparimi i vendit, dhe jo vetëm në drejtim të integrimit Evropian por duke u bërë shkaktare edhe në probleme reale në drejtim të proceseve demokratike dhe ekonomike në vend.

“Unë mendoj se vendi ka bërë shumë hapa mbrapa marrë parasysh performancën shumë të keqe të qeverisë sonë e cila nuk po arrin të zgjedh rrugën e duhur në drejtim të realizimit të detyrave të veta të ngarkuara për ta shpirë vendin në mirëqenie dhe për të zhvilluar sundimin e ligjit” është shprehur deputetja Millaku.

Përgjegjësia më e madhe bie edhe mbi udhëheqësit vendorë

Kurse, njohës të Integrimeve Evropiane dhe analistë politik, kanë vlerësuar se rritja e krimit dhe korrupsionit, politizimi i administratës publike, mungesa e zhvillimit ekonomik etj, nuk mund t'i faturohet askujt tjetër, pos udhëheqjes politike e vendit, e cila në vazhdimësi po i kontribuon brishtësisë shtetërore. Sipas tyre, gjithë spektri politik është mirë që të kthjellet dhe ta kuptojë se, interesat e grupeve të inkriminuara nuk është mirë që të sakrifikojnë ardhmërinë e Kosovës.

Njohësi i Integrimeve Evropiane, Sami Blakaj, ka thënë se të gjeturat e Komisionit Evropian kësaj radhe më shumë i referohen regresit në Kosovë, sesa progresit të saj.

Image
Sami Blakaj

“Përgjegjësinë mbi regresin e shënuar në Kosovë duhet ndarë në dy rrafshe, në rrafshin e politikës vendore, duke përfshirë këtu të gjitha qeveritë e deritashme, si dhe në rrafshin ndërkombëtar, duke përfshirë këtu edhe EULEX-in. Natyrshëm që përgjegjësia më e madhe bie edhe mbi udhëheqësit vendorë. Ata duhet të ndihen përgjegjës para së gjithash para qytetarëve të tyre të cilët janë lënë në varfëri të skajshme dhe të izoluar tërësisht”, ka thënë Blakaj.

Ai ka thënë, se rritja e krimit dhe korrupsionit, politizimi i administratës publike, mungesa e zhvillimit ekonomik etj, nuk mund t'i faturohet askujt tjetër, pos udhëheqjes politike e vendit, e cila në vazhdimësi po i kontribuon brishtësisë shtetërore.

“Megjithatë me të drejtë mund të them se fajtor në këtë mes, veçmas kur flasim për sundimin e ligjit nuk është vetëm faktori vendor, por edhe vetë BE-ja, gjegjësisht misioni i saj i EULEX-it. Ky mision ndonëse është misioni më i paguar evropian nuk ka arritur që ti trajtoi rastet e nivelit të lartë për krim dhe korrupsion dhe aq më pak të rezultojë me dënimin e të inkriminuarve nga elita politike. Mos efikasiteti i duhur i punës së EULEX-it, si dhe përfshirja e këtij misioni në skandale të brendshme ka bërë që politizimi, krimi dhe korrupsioni të frymëzojë lirshëm në Kosovë, duke u shndërruar në një kancer të rrezikshëm për Kosovën dhe të ardhmen e saj evropiane”, ka thënë Blakaj.

Regres i Qeverisë

Image
Faton Abdullahu

Publicisti Faton Abdullahu ka thënë se Raporti i Progresit për Kosovën është edhe një dëshmi më shumë për regresin e punës së kësaj Qeverie dhe të të gjithë pushtetarëve aktual.

Sipas tij, e keqja më e madhe është se edhe kur po vlerësohet këto ditë ky raport, pushtetarët mbeten në metodikën e njëjtë të punës dhe mendimit, që të zezën ta paraqesin të bardhë.

“Thjeshtë raporti ka larg më shumë vërejtje, kritika dhe nota regresive, për punën e bërë me shumë të meta e dështime, se që ka lëvdata për suksese apo punë kualitative. E neveritshme por edhe djallëzore na del përpjekja e qeveritarëve që sugjerimet në raport të lexohen si gjëra pozitive. Edhe më e neveritshme mënyra se si këta dembelë qeveritar duke mos e pranuar raportin ashtu si është i ikin përgjegjësisë, e cila natyrshëm determinohet nga një raport negativ me çka heqin dorë jo vetëm tërthorazi edhe nga përpjekja për ta ndryshuar gjendjen për të mirë”, është shprehur publicisti Abdullahu.

Ai ka thënë, se Raporti i Progresit nuk është i paqartë, por janë pushtetarët aktual të cilëve mjegullimi i Raportit për ta paraqitur si vlerësim me dy e më shumë kuptimësi, ju konvenon, nisur nga logjika se sa më shumë pa qartësohet ai, aq më shumë i bëhet lak përgjegjësisë për dështime.

“Sigurisht se këtë djallëzi duhet ta demaskoj opozita me përpjekjet e saja të vazhdueshme për të dëshmuar se raporti është ndëshkim për mos punën apo punën e gabueshme që tash sa kohë po bëhet në Kosovë, faturën e të cilës më së shumti do ta paguajnë qytetarët e Kosovës”, është shprehur publicisti Abdullahu.

Ndërkaq, analisti politik, Skender Zogaj, ka thënë se të gjitha të gjeturat e mundshme janë produkt i klasës së papërgjegjshme politike që në vazhdimësi ka bërë luftë për interesa të ngushta të parive politike duke sakrifikuar interesin e popullit dhe të shtetit të Kosovës, që kohëra është dashur të ishte e integruar në sofrën e BE-së.

Image
Skender Zogaj

“Ky vullnet ka munguar andaj jemi këtu ku jemi dhe mendoj se të gjeturat nuk mund t’i adresohen Qeverisë Haradinaj, sepse ky ka pak kohë që është në pushtet dhe, siç e dimë të gjithë ende nuk ka arritur as të ketë forcën e pushtetit të mirëfilltë kushtetues kështu që, nuk mund t’ i ngarkohen as dështimet e theksuara të Raportit të Progresit për Kosovën. Mbetet të shihen angazhimet në vazhdim të Qeverisë Haradinaj, sepse, tash e tutje e ka tërë barrën vet! Kur jemi te Raporti, gjithë spektri politik është mirë të kthjellet dhe ta kuptojë se, interesat e grupeve të inkriminuara nuk është mirë që të sakrifikojnë ardhmërinë e Kosovës”, ka thënë analisti politik Zogaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat