Daku flet për Raportin e Progresit, tregon ngecjet dhe përparimin e vetëm

Politika

Daku flet për Raportin e Progresit, tregon ngecjet dhe përparimin e vetëm

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 18 prill 2018 Në ora: 17:32
Selim Daku

Komisioni Evropian ka publikuar dje në Strasburg Raportin e Progresit për vendet që synojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

E në Raportin e Progresit për Kosovën, janë përmendur ngecja e reformave, konstituimi i vonshëm i Kuvendit dhe i krijimit të Qeverisë. Po ashtu, kritika të ashpra ka edhe për tentimin e shfuqizimit të Gjykatës Speciale.

Lidhur me vlerësimet e Raportit për Kosovën, Selim Daku, drejtor i Qendrës Kosovare për Diplomaci, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se ky raport nuk dallon nga ai i tre viteve të kaluara dhe se qytetarët janë ata që pësojnë më së shumti.

“Nga raporti i Komisionit Evropian për vitin 2017 janë cekur edhe pikat që keni përmendur ju. Pos tyre edhe të gjitha pikat që janë të përmendura aty janë reale dhe që të gjithë i dimë. Mbi të gjitha qytetarët e Kosovës janë ata që më së shumti pësojnë. Raporti i Komisionit Evropian nuk dallon në esencë nga raportet e tre viteve të kaluara”, është shprehur Daku.

Sipas tij, institucionet janë të pavetëdijshme për këto mangësi dhe për përmirësimin e situatës bazuar në të gjeturat e raportit.

“Qytetarët e Kosovës të gjitha të dhënat që përmban raporti i dinë. Institucionet edhe pse të vetëdijshme për ekzistimin e këtyre mangësive, nuk janë të vetëdijshme për përmirësimin e situatës bazuar në gjendjen praktike dhe në raportet e organizatave ndërkombëtare ku Kosova aspiron për anëtarësim”, shprehet ai më tutje.

Ndërsa, sa i përket përparimit që mund të ketë pasur këtë vit për dallim nga vitet tjera, Daku vlerëson se zhvillimi është simbolik me vitin e kaluar

“Kosova ka zhvilluar një përparim simbolik në krahasim me vitin e kaluar, ndërkaq institucionet duhet të angazhohen në zhvillimin e demokracisë në vend. Kjo duke garantuar me të gjitha mjetet lirinë e shprehjes dhe veprimit, në veçanti për komunitetet pakicë dhe serbët e që nuk qëndrojnë në të njëjtën linjë politike me Beogradin. Edhe pse në raport si e arritur e madhe shihet inkuadrimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë të Kosovës në Sistemin Gjyqësor të Kosovës”, vlerëson ai për “Bota sot”.

Sipas raportit ai thotë se vërehet zbatimi i ngadalshëm i MSA-së dhe prej vitesh në këtë raport Kosova paraqitet me administratë të politizuar.

“Bazuar në raport Kosova ka pasur një zbatim të ngadalshëm të MSA-së, që nënkupton se vendi ende ballafaqohet me hapësira për ekonomi joformale, deficit tregtar dhe tejkalime buxhetore. Ka vite të tëra që Kosova përmes raportit të progresit të KE-së paraqitet me një administratë të politizuar dhe me ndikime politike në gjyqësor, gjë që dëmton rëndë funksionimin efikas të këtyre institucioneve”, thekson Selim Daku.

Sipas tij, ratifikimi i Demarkacionit është përparimi i vetëm i ndjeshëm në këtë raport, derisa shton se të gjitha përparimet simbolike që janë bërë, kanë ardhur për shkak të angazhimit minimal të drejtuesve të institucioneve.

“Përparimi i vetëm i ndjeshëm që vërehet në këtë raport është ratifikimi i demarkacionit, gjë që hapë rrugën e Kosovës për shfrytëzimin e mundësisë për lëvizje pa viza. Duhet të dimë se këto përparime simbolike janë bërë me angazhim minimal nga drejtuesit e institucioneve tona. Përkushtimi serioz dhe angazhimi maksimal i drejtuesve të administratës shtetërore do të sillte një raport tjetër në vitin 2020. Kjo për shkak se aktivitetet e qeverisë në fillim të vitit 2018 lënë shumë për të dëshiruar”, ka përfunduar drejtori i Qendrës Kosovare për Diplomaci, Selim Daku për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat