Padi për krimet e luftës! Kundërpërgjigja më e mirë e Kosovës ndaj flet-arresteve të Serbisë

Politika

Padi për krimet e luftës! Kundërpërgjigja më e mirë e Kosovës ndaj flet-arresteve të Serbisë

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 18 prill 2018 Në ora: 07:31
Selia qendrore e INTERPOL-it

“Është e qartë se autoritetet serbe po vazhdojnë me keqpërdor faktin se janë anëtare të Interpolit. Kosova me mundësitë që ka do të shfrytëzojë gjithë hapësirën ligjore, që ta sfidojë këtë vendim. Një gjë dihet që Kosova do të bëjë gjithçka të nevojshme që të anëtarësohet në Interpol dhe Europol, sa më parë”, është shprehur zëdhënësja e Qeverisë Donjeta Gashi për “Bota sot”.

Flet-arrestet e Serbisë nga koha e luftës për shqiptarë nga Kosova, u kanë sjellë probleme shumë prej tyre. E pas një kohe që këto flet-arreste ishin hequr nga lista e INTERPOL, Serbia i ka rikthyer sërish ato.

Së fundmi kjo u bë e ditur nga ministri i Punëve të Brendshme në Qeverinë e Serbisë, Nebojsha Stefanoviq.

Sipas tij, akuzat e organeve të Serbisë ndaj shqiptarëve të Kosovës janë rikthyer tashmë në sistemin e INTERPOL-it.

Në mesin e atyre që u janë kthyer emrat në këto lista, janë edhe presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj.

Gashi: Serbia po e keqpërdor faktin se është pjesë e INTERPOL

Lidhur me këtë, nga Qeveria kanë thënë se Serbia po e keqpërdor faktin se është pjesë e INTERPOL.

Kështu ka thënë për gazetën “Bota sot”, zëdhënësja e Qeverisë Donjeta Gashi, duke shtuar se Kosova do të bëjë gjithçka që është e nevojshme që të jetë anëtare e Interpol dhe Europol.

Image
Donjeta Gashi

“Është e qartë se autoritetet serbe po vazhdojnë me keqpërdor faktin se janë anëtare të Interpolit. Kosova me mundësitë që ka do të shfrytëzojë gjithë hapësirën ligjore, që ta sfidojë këtë vendim. Një gjë dihet që Kosova do të bëjë gjithçka të nevojshme që të anëtarësohet në Interpol dhe Europol, sa më parë”, është shprehur Gashi për “Bota sot”.

Ndërsa, njohësi i çështjeve politike, Haki Abazi, në një prononcim për gazetën “Bota sot”,  ka treguar se si duhet të veprojë Kosova në këtë rast, që të hiqen flet-arrestet e Serbisë dhe të mos kthehen.

Sipas tij, këta janë hapat:

Image
Haki Abazi

“Kosova duhet të bëjë hapat si në vijim: 1.Të pezullojë çfarëdo lloj dialogu me Serbinë. 2. Të kërkojë kompensimin e dëmeve nga pushtimi nga 1989 deri 1999. 3. Të kërkojë shumën që i takon nga suksesioni i pasurisë së ish Jugosllavisë.  4. Dorëzimin dhe dënimin e vrasësve dhe urdhëruesve të familjes Jasharaj, vëllezërve Bytyqi, Fehmi Aganit, 5. Shfuqizimin e të gjitha aktakuzave të ngritura në kohën e Millosheviqit  6. Dënimin e shefit të shtatmadhërisë së ushtrisë serbe Dikoviç për veprat e tij me njësitin e mitorizuar të ushtrisë jugosllave/serbe në Drenicë. 7.Dorëzimin e trupave të të pagjeturve. 8. Dëmshpërblimin e të burgosurve dhe torturuarve të komunizmit. 9. Dorëzimin e dosjeve të vrasjeve të orkestruara të ushtarëve shqiptare si në rastin e Paraçinit. 10. Embargo të gjitha prodhimeve serbe të cilat shiten në tregun kosovar deri në ndalje të sabotimit të shtetësisë dhe njohjes së pavarësisë së Kosovës. 11. Nisja e përgatitjes së aktakuzës kundër Serbisë nëpërmjet Shqipërisë për gjenocid dhe “tokë të djegur” sipas dëshmisë së dhënë nga Ibrahim Rugova në Romë dhe dëshmitë tjera për të cilat autoritetet serbe kanë qenë në dijeni. 12. Pezullim të marrëveshjes së CEFTA-s”, ka thënë Haki Abazi për “Bota sot”.

Tërnava: Serbia i ka kthyer flet-arrestet që ta ketë rrugën më të lehtë drejt BE-së

Ndërsa, eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava, duke folur për “Bota sot” për këtë çështje, ka thënë se Serbia i ka kthyer flet-arrestet që ta ketë rrugën më të lehtë drejt BE-së dhe ta pengojë Kosovën në këtë anëtarësim.

“Politikat serbe janë të tilla që shpikin gjithnjë situata konfliktuoze si në këtë rast me çështjen e kthimit të 20 emrave të shqiptarëve, të cilët i kishte falur më herët. Në këto flet-arreste bëjnë pjesë edhe presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj në listën e Interpolit. Serbia si shtet i tillë që i shpik rastet dhe që vështirë i adaptohet demokracisë, edhe kur i arrijnë marrëveshjet me fqinj pranë garancive të përfaqësuesve të BE-së, sikur në këtë rast me Kosovën, që mos t’i pengojë në rrugëtimin e saj drejt BE-së dhe anëtarësimit të saj në institucionet ndërkombëtare, Serbia bën çdo gjë dhe shpenzon shumë mjete financiare dhe kohë, vetëm ta pengojë Kosovën në atë rrugëtim të saj sikur e shpjegova”, është shprehur ai.

Sipas Tërnavës, Serbia lobon tek shtete që e kanë njohur Kosovën si shtet, derisa e vëren shqetësimin e Thaçit dhe Haradinajt.

Image
Hajrullah Tërnava

“Ajo bën aktivitete të shumta ndërkombëtare tek ato shtete që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, si dhe anëtarësimet e ndryshme që po tenton Kosova të anëtarësohet si në INTERPOL apo në UNESKO dhe shumë tjera organizata ndërkombëtare. Serbia krejt këto veprime i bën që sikur që e kanë vërejtur ata, se si Thaçi dhe Haradinaj po shqetësohen dhe po ka ndikim tek ata, dhe në këto bisedime Serbisë i konvenon që kur të bisedojnë me, t’i kenë nën presionin e mundshëm të burgosjeve të tyre, që ta arrijnë qëllimin e tyre në favor të vet Serbisë”, vlerëson ai për “Bota sot”.

Më tutje, Tërnava vlerëson se e gjitha kjo është luftë speciale kundër shtetit të Kosovës, por që këto flet-arreste nuk mund të prodhojnë burgosjen e Thaçit dhe Haradinajt.

“Këtë aktivitet të saj sikur e bëjnë, i takon luftës speciale që ajo e zhvillon ndaj shtetit tonë Kosovës. Në rastin konkret të kthimit të Hashim Thaçit dhe Ramush Haradinaj në listat e Interpolit, kjo nuk mund të prodhojë më efektet e burgosjeve të tyre, sepse bota e ka kuptuar këtë mënyrë të luftës speciale të Serbisë ndaj shtetit tonë, dhe tani kjo mënyrë e luftës speciale është devalvuar në esencë të shtetet e BE-së. Më në fund edhe Kryeministri Ramush Haradinaj ishte i burgosur në Hagë dhe u lirua si i pafajshëm. Tjetër është çështja e funksionimit të Gjyqit Special në Hagë, nëse këta jenë objekt i hetimeve të këtij gjyqi, e që këto kompetenca i takojnë këtij gjyqi në fjalë”, shprehet më tej Hajrullah Tërnava.

Kosova duhet që të ngritë padi ndërkombëtare për dëmet e luftës

Po ashtu, ai tregon se si duhet të veprojë Kosova në raport me Serbinë në këtë rast.

“Kosova duhet që të ngritë padi ndërkombëtare për dëmet e luftës dhe gjenocidit të shkaktuar në periudhat 1998-1999, gjithashtu të ngritin aktpadi ndaj eprorëve të ushtrisë dhe policisë si dhe të paramilitarëve serbe për masakrat e shkaktuara në shumë vende të Kosovës ndaj popullatës civile të pambrojtur, si dhe dëmeve të shkaktuara në djegien e shtëpive dhe pasurive tjera si dhe dhunimin e banorëve e sidomos të gjinisë femërore. Sikur të vepronte me kohë ngritja e këtyre aktakuzave, Serbia do të gjendej në panik për shumë të këqija që i kenë bërë në Kosovë, dhe nuk do të kishte mundësi sikur tani ta përdorë këtë mundësi kur t’i teket si në këto raste që po i ripërsëritë këto flet-arreste në INTERPOL”, ka përfunduar Tërnava për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat