“Kuvendi arenë përplasjesh, akuzat të adresohen në organet kompetente”

Politika

“Kuvendi arenë përplasjesh, akuzat të adresohen në organet kompetente”

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 17 prill 2018 Në ora: 15:31
Kuvendi i Kosovës

Jemi mësuar që në shumë seanca të Kuvendit të Kosovës, deputetët të kenë përplasje mes vete, qoftë për ndonjë çështje të rendit të ditës e shpesh edhe për çështje të tjera, jashtë rendit të ditës.

Edhe sot, nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti e filloi seancën duke iu kundërpërgjigjur deputetit të LDK-së, Anton Quni, për një deklaratë që ky i fundit e kishte bërë mbrëmë.

E debatin ata e vazhduan edhe me ndaljen e mikrofonit, ku Quni dhe deputetë të tjerë të LDK-së, shkuan tek Xhavit Haliti që po kryesonte seancën.

Image
Eugen Cakolli

E për përplasjet e tilla që po ndodhin në Kuvend, hulumtuesi nga Instituti Demokratik i Kosovës, Eugen Cakolli, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, thotë se seancat janë kthyer në arena përplasjesh, fyerjesh e ofendimesh mes deputetëve, duke ofruar imazh tejet negativ për qytetarët e vendit.

“Praktikat kur seancat plenare të Kuvendit janë kthyer në arena përplasjesh, fyerjesh apo ofendimesh mes deputetëve, janë bërë pothuajse të zakonshme. Mirëpo, në vend se këto përplasje të ndodhin gjatë seancave, dhe të ofrojnë imazh tejet negativ për qytetarët e vendit”, ka thënë ai.

Cakolli thotë se akuzat që bëhen në Kuvend do të duhej të adresohen në organet kompetente dhe seancat të fokusohen në ushtrimin e funksionit ligjvënës.

“Do të ishte dukshëm më e udhës që këto akuza të adresohen në organet kompetente, në mënyrë që të hidhet dritë mbi secilin rast të natyrës kriminale. Seancat e Kuvendit duhet që fokus primar të kenë ushtrimin e funksionit ligjvënës dhe mbikëqyrës, dhe jo të merren me akuza të tilla”, është shprehur hulumtuesi nga KDI, Eugen Cakolli për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat