Opozita kërkon që statuti i Asociacionit të bëhet në Prishtinë - Bota Sot
Opozita kërkon që statuti i Asociacionit të bëhet në Prishtinë

Politika

E diel, 23 shtator 2018

Opozita kërkon që statuti i Asociacionit të bëhet në Prishtinë

Arben Sylejmani Nga Arben Sylejmani Më 17 prill 2018 Në ora: 09:18
Ilustrim

Përfaqësuesit e partive opozitare dhe njohës të çështjeve juridike, thonë se Qeveria Haradinaj nuk duhet ta dërgojë në Bruksel, statutin për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

I pari i Qeverisë në një deklaratë në një televizion publike është shprehur se katër serbët të “Ekipit Menaxhues” po e përpilojnë statutin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe, dhe çdo muaj po raportojnë në Bruksel.

Por, raportimi i “Ekipit Menaxhues” në Bruksel po shihet i rrezikshëm nga ana e përfaqësuesve të LDK-së dhe atyre të Vetëvendosjes.

Ata thonë, se Bashkësia Serbe është një çështje e brendshme e Kosovës, kurse dërgimi i saj në Bruksel mund të sjell në negociata të reja me Serbinë që do të ishte fatale për Kosovën.

Gazeta ka dërguar pyetje në adresë të Qeverisë për të marrë një qëndrim lidhur kritikat që i janë bërë kryeministrit për këtë çështje, por askush nuk është përgjigjur.

Gecaj: Asociacioni duhet të themelohet në Prishtinë

Duke folur për çështjen në fjalë, anëtari i LDK-së, Bajram Gecaj, thotë se procesi për themelimin e Asociacionit duhet të bëhet vetëm në Kosovë.

Image
Anëtari i LDK-së, Bajram Gecaj

“Marrëveshja e vitit 2013 parasheh që statuti të përpilohet nga grupi menaxhues, i përberë nga 4 serbe, por në bashkëpunim të ngushtë me institucionet e Kosovës (MAPL), si dhe me OSBE dhe BE. Por i gjithë ky proces duhet të zhvillohet në Prishtine, jo në Bruksel”, thotë Gecaj për “Bota sot”.

Sipas tij, dërgimi i kësaj çështjeje në Bruksel mund të jetë me rreziqe.

“Qeveria Mustafa kishte refuzuar këtë kategorikisht. Serbia dëshiron të largohet nga kornizimi i kësaj çështjeje të cilën e kishte arritur Qeveria Mustafa, duke përfshire edhe përmes Gjykatës Kushtetuese. Pra, Serbia dëshiron të rihapë marrëveshjen për të siguruar fuqi ekzekutive për Asociacionin”, shtoi Gecaj për “Bota sot”.

Qeveria e udhëhequr nga Isa Mustafa, në gusht të vitit 2015, nënshkroi Marrëveshjen e parimeve për themelimin e Asociacionit të komunave serbe.

Pika 21 e kësaj marrëveshje, parasheh që statuti i Asociacionit/Bashkësisë do të hartohet nga Ekipi Menaxhues dhe do të prezantohet në Dialogun e Nivelit të Lartë, brenda 4 muajve nga data e arritjes së marrëveshjes për këto parime/elemente, sipas nevojës, me lehtësimin e Ministrisë së Qeverisjes Lokale. Statuti do të konfirmohet me dekret, pas marrëveshjes në Dialog. Secili amendament do të prezantohet nga Asociacioni/Bashkësia, do të konfirmohet me dekret dhe do të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese.

Dërgimi i statutit në Bruksel sjell kompromise të reja

Kundër dërgimit të statutit në Bruksel është shprehur edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ali Lajçi.

Ai thotë, se Asociacioni është një çështje e brendshme dhe dërgimi i tij në Bruksel tejkalon kompetencat e Kushtetutës së Kosovës.

Image
deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ali Lajçi

“Po nuk është kjo që duhet të shqyrtohet në Bruksel, sepse është çështje e rregullimit të brendshëm administrative dhe shtetërore, dhe kjo rrezikon të na sjell tek një marrëveshje e re që del jashtë kornizave të ligjeve dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Këtu ekziston rreziku të bëhen kompromise të reja në Bruksel”, thotë Lajçi për “Bota sot”.

Haxhiu: Asociacioni do të bëhet në kuadër të vendimit të Kushtetueses

Nga ana tjetër, deputetja e AAK-së Teuta Haxhiu thotë se Asociacioni do të bëhet duke u bazuar në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Ajo madje është shprehur kritike ndaj LDK-së, që sipas saj po thonë deklarata që nuk qëndrojnë.

“Ata që nuk duan ta kuptojnë apo ata që nuk e kuptojnë këtë çështje është diçka tjetër. Në këtë rast, unë e shoh tendencën e e Gecajt për tu faktorizuar brenda LDK-së, sepse janë bërë shumë agallarë brenda LDK-së duke i ditur problemet që po kalon ky subjekt politik”, thotë Haxhiu për “Bota sot”.

Image
Teuta Haxhiu

Sipas saj, kryeministri Haradinaj ka thënë vazhdimisht se Asociacioni do të bëhet konformë ligjeve të Kosovës.

“E kemi një vendim të Gjykatës Kushtetuese dhe nuk mund të merret një vendim kundër Gjykatës Kushtetuese që ka konstatuar se 23 pika të saj, janë kundër kushtetuese dhe atë vendim unë nuk di se si duhet ta kuptojë ndryshe”, thotë më tej Haxhiu.

Hartimi i statutit për Asociacionin ka filluar në rrugë të gabuar

Profesori universitar i çështjeve juridik, Muhamet Kelmendi se i gjithë procesi për themelimin e Asociacionit ka filluar në rrugë të gabuar.

“Gabimi nis me themelimin e “ekipit menaxhues” për hartimin e statutit për Asociacionin, sepse ky u bë nga presidenti pa pasur të drejtë që të kërkojë një çështje të tillë”, thotë Kelmendi për “Bota sot”.

“Kjo nuk është në kompetencë të presidentit dhe gabimi i dytë është tek qeveria që ka pranuar një propozim të presidentit dhe ka dal me një komision të tillë për hartimin e statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe”.

Kundër iniciativës së presidentit për themelimin e komisionit menaxhues për hartimin e statutit kanë dalë edhe partitë opozitare.

Sipas LDK-së dhe VV-së presidenti nuk është legjitim për të themeluar këtë ekip dhe për të vazhduar negociatat me Serbinë në Bruksel, pasi që sipas tyre, ai deri më tani ka nënshkruar disa marrëveshje që janë të dëmshme për vendin.

Asociacioni duhet të bëhet përmes Kuvendit

Profesori Muhamet Kelmendi thotë, se mënyra më e mirë për hartimin e statutit për Asociacionin, është nëse ai bëhet përmes Kuvendit të Kosovës.

“Asociacioni është një çështje e brendshme e Kosovës dhe si e tillë kjo duhet të dërgohet në Kuvend, të diskutohen në tërësi në Kuvend”, thotë Kelmendi për “Bota sot”.

Image
Profesori universitar i çështjeve juridik, Muhamet Kelmendi

Sipas tij, pas një platforme nga ana e Kuvendit, atëherë do të duhej të krijohej komisioni për hartimin e statutit.

“Në kuvend duhet të përcaktohet platforma mbi vendimin e Gjykatës Kushtetues për Asociacionin dhe të bëhej një komision nga ana e Kuvendit e Kosovës që do ta hartonte këtë status dhe pas hartimit të tij, t’i dërgohet Gjykatës Kushtetuese, e më pas to votohej në Kuvend”, deklaroi ai.

Kelmendi: Në Bruksel ka mundësi të bëhen edhe kompromise

Kelmendi thotë, se mënyra se si ka zgjedhur presidenti për të bërë statutin për Asociacionin në Bruksel, e implikon edhe Serbinë në këtë çështje.

“Mënyra se si ka bërë Qeveria dhe vet Presidenti të themelojë një komisionin që e harton statutin, dhe pastaj këtë dokument t’ia dërgojë Brukselit që të bisedohet, pastaj mes delegacionit të Kosovës dhe atij të Serbisë në mënyrë që të vijnë në pajtim njëra me tjetrën, çfarë Serbia vështirë se pranon që Asociacioni të  dërgohet në Gjykatës Kushtetuese.

Sipas tij, kjo rrugë nuk është ligjore dhe e drejtë.

“Është rrugë që e shkel elementin esencial dhe demokracinë e brendshme, rrugë që e shkel parlamentarizmin që ka pushtetin legjislativ. Në Bruksel ka mundësi të bëhen edhe kompromise sepse ne e kemi parë në të kaluarën me marrëveshjen e 2013, e 2015 që na solli vendime të dëmshme që e minojnë Kushtetutën dhe shtetësinë e Kosovës”, shtoi Kelmendi.

Ndryshe, Bashkimi Evropian po kërkon që sa më shpejt të themelohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test