Drejtësia e shantazhuar, Kosova dështon ta bind BE-në - Bota Sot
Drejtësia e shantazhuar, Kosova dështon ta bind BE-në

Politika

E mërkurë, 19 shtator 2018

Drejtësia e shantazhuar, Kosova dështon ta bind BE-në

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 17 prill 2018 Në ora: 07:31
Ilustrim

Në qeverinë aktuale, të udhëhequr nga Ramush Haradinaj, aktualisht janë tre ministra, të cilëve u janë ngritur aktakuza.

Bëhet fjalë për ministrat Pal Lekaj, Besim Beqaj dhe Valdrin Lluka.

E Haradinaj ka thënë se po e pret vendimet e gjykatave ndaj ministrave të tij që u janë ngritur aktakuza, në mënyrë që të ndërmarr masa ndaj tyre.

Ai madje e ka quajtur fakt premtues këtë, sepse sipas tij, ngritja e aktakuzave edhe për ministrat tregon se në Kosovë nuk është askush i amnistuar apo mbrojtur në rast se ka shkelur ligjin.

“Vet shpallja e aktakuzave ndaj kujtdo qoftë, në këtë rast po e dëshmon njëfarë niveli tjetër për rend dhe ligj. Mirëpo edhe veprimi për shpallje të aktakuzave janë bazuar në ligj. Një aktakuzë, një Gjykatë ose një institucion ligjor nuk e ka shqyrtuar pra, është e hershme marrja e vendimeve në nivelin tonë lidhur me këtë. Mos harroni faktin se po ngritën këto aktakuza edhe ai fakt flet, pra janë ngritur aktakuza për anëtarë të kabinetit qeverisës, pra s’qenka askush i privilegjuar, a i mbrojtur a  përjashtuar nga mundësia e shqyrtimit ligjor, por edhe veprimi ynë duhet të bëhet në bazë të ligjit, pra t’ia japim mundësinë ligjore një Gjykate që ta jep vlerësimin për këtë”, tha Haradinaj.

Se a duhet t’i shkarkojë kryeministri këta ministra, apo si duhet të veprojë në këtë rast, avokati Adrian Gjoshi, thotë se kjo nuk duhet të bëhet.

“Keqpërdorim i prokurorisë”

“Për çështjen e aktakuzave, unë mbroj mendimin që me faktin e ngritjes së aktakuzave personat nuk duhet suspenduar marrë parasysh prezumimin e pafajësisë dhe pasigurinë juridike në Kosovë”, është shprehur Gjoshi.

Image
Avokati Adrian Gjoshi

Sipas tij, me ngritjen e aktakuzave Prokuroria ka bërë punën e saj, ndërsa sa i përket ndikimit që kjo mund të ketë kjo në luftimin e korrupsionit, si kusht i BE-së për liberalizimin e vizave, ai  thotë se largimi i njerëzve nga politika për shkak të aktakuzave, do të bënte të keqpërdorej prokuroria.

“Në këtë rast prokuroria ka bërë punën e saj duke ngritur aktakuzat. Largimi i njerëzve nga politika për shkak të aktakuzave do të ndikonte që prokuroria të keqpërdorej duke kërkuar eliminimin politik të kundërshtarëve politik. Vetëm se një prokurori mund t'i teket për të ngritur aktakuzë”, ka deklaruar Adrian Gjoshi për “Bota sot”.

Ministrat duhet të shkarkohen

Kurse, njohësi i çështje juridike, Blerim Burjani, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se nuk është befasi që kryeministri nuk shkarkon ministrat me aktakuza, pasi në Kosovë nuk funksionon rendi dhe ligji.

“Ky është problemi në Kosovë, kot tentojnë të bëjnë rishikim të sektorit të drejtësisë e që është e përzier edhe vetë politika në këtë rishikim, flasin për rendin dhe ligjin për ndryshim të kodit penal për punën e luftës së korrupsionit, fusin norma të rrepta dhe nuk zbatohen kurrë, asnjë zyrtar deri tash i lartë i shtetit nuk është dënuar me formë të aktgjykimit të prerë. Kjo e tëra pra duket lojë e pa kuptimtë, të gjithë e kanë të qartë se këtu nuk funksion shteti e as demokracia por sundimi partiak të cilat veprojnë për pasurim të tyre, njerëzit dikur të involvuar në vepra penale i kanë bërë këto vepra për qëllimi përfitimi dhe në shumicën e rasteve kjo është bërë me bekimin e partive dhe liderëve andaj edhe në këtë rast nuk aspak befasi pse nuk i shkarkon kryeministri i cili nuk është as për këtë post por tash inercioni dhe gjendja politike si ka mbretëruar e ka sjellë këtu, pra nuk ka gjë prej kësaj teme, relativisht në cilindo shtet normal me ekonomi i shtetit dhe e demokraci të gjithë ministrat që janë nën aktakuzë duhet të gjithë të shkarkohen, sepse ai mund të pengoj edhe drejtësinë dhe mund të shantazhojë drejtësinë e të gjitha tjerat gjera prandaj s’ka gjasa të ketë drejtësi kur është në post publik e që mbrohet me të dhe shantazhin”, është shprehur ai.

Image
Njohësi i çështje juridike, Blerim Burjani

Sipas Burjanit, kështu nuk bindet BE se po forcohet ligji.

“Pra duhet sa më parë të shkarkohen, në momentin që është ngrit aktakuza është të ndodhë ose shkarkimi ose dorëheqje. Kështu nuk bindet BE e askush në Kosovë se shteti i Kosovës për forcon rendin dhe ligjin dhe drejtësinë po funksionon, këta vet si lider dhe parti nuk i lënë të funksionojë fare organet e drejtësisë”, ka përfunduar Burjani për “Bota sot”.

5 vite burg

Ndërsa, profesori dhe njohësi i çështjeve juridike, Muhamet Kelmendi, thotë se në këtë rast, nuk parashikohet si të veprohet, por i mbetet kryeministrit që të vendosë dhe partive të koalicionit, se si e kanë arritur marrëveshjen.

Image
Njohësi i çështjeve juridike, Muhamet Kelmendi

“Në raste të tilla kur dikush nga ministrat apo persona që kanë pozita zyrtare në pushtetin shtetëror, akuzohet për ndonjë vepër penale të ndryshme, ku parashikohet dënimi mbi 1 vjet burg e më tutje, është çështje që nuk është theksuar siç duhet. Për deputetët është se nëse akuzohet për një vepër penale që mund të dënohet me 5 vjet burg, atëherë duhet të japë dorëheqje, për çështje të tjera nuk përcaktohet. Meqenëse nuk theksohet, është një çështje që i takon drejtpërdrejt kryeministrit dhe subjekteve politike, të cilat e përbëjnë koalicionin, jo vetëm tash por në çfarëdo situate që ekziston. Pra në këtë rast varet nga marrëveshja e koalicionit të cilën ata e bëjnë mes vete, personat e akuzuar duhet të japin dorëheqje apo nuk duhet të japin dorëheqje”, është shprehur Kelmendi.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test