Dëbimi i “Gylenistëve”, Ramush Tahiri tregon kush nuk po e lejon formimin e Komisionit Hetimor

Politika

Dëbimi i “Gylenistëve”, Ramush Tahiri tregon kush nuk po e lejon formimin e Komisionit Hetimor

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 16 prill 2018 Në ora: 23:21
Ramush Tahiri

Lidhja Demokratike e Kosovës ka iniciuar sot në Kuvend iniciativën për të formuar Komisionin Hetimor për dëbimin e gjashtë shtetasve turq nga Kosova.

Mirëpo, pas debatit që u bë, ky propozim që u fut në rend dite, nuk arriti të merr votat e duhura.

Edhe pse në sallë ishin mbi 65 deputetë në votim morën pjesë vetëm 59 deputetë.

Për mos formimin e këtij komisioni, për gazetën “Bota sot”, politologu Ramush Tahiri, thotë se numri prej 59 votash nuk po kalohet në Kuvend për votimin e çështjeve të caktuara, duke mos bërë përjashtim as çështja e shtetasve turq.

“Në votimet në Kuvend të Republikës së Kosovës nuk po kalohet ai numri magjik prej 59 votash kur është fjala për votimin e çështjeve për të cilat ka dallime ndërmjet pozitës dhe opozitës. Nuk bën përjashtim as kjo çështja e themelimit të Komisionit Hetimor Parlamentar për deportimin e gjashtë shtetasve turq që në Kosovë me vite qëndronin me leje pune dhe me leje qëndrimi”, ka thënë ai.

Tahiri shprehet se ata që e kanë lejuar dhe urdhëruar aksionin për shtetasit turq, nuk pranojnë të krijojnë komision dhe qëndrimi është shprehur nga parti të caktuara politike.

“Është e pritshme që ata që lejuan dhe urdhëruan aksionin me prezencën aktive të shërbimit të fshehtë të Turqisë nuk do të pranonin krijimin dhe punën e komisionit hetues dhe ky qëndrim është shprehur të deputetët që vijnë nga radhët e partive të caktuara politike”, është shprehur politologu Ramush Tahiri për “Bota sot”.

Ndryshe, për rastin e dëbimit të shtetasve turq, janë shkarkuar shefi i AKI-së dhe ministri i punëve të brendshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat