Seanca e 21 marsit siç duket ka lënë pezull disa ‘’llogari’’ të pa çëruara në mes kryeparlamentarit Kadri Veseli dhe deputetëve nga Lëvizja Vetëvendosje.
Atë ditë u votua marrëveshja e Demarkacionit me Malin e Zi. Kundër kësaj marrëveshje ishte Lëvizja Vetëvendosje e të cilët me anë të gazit lotsjellës u munduan ta pengojnë votimin e tij.
Përkundër të gjitha përpjekjeve, marrëveshja kaloi.
Në anën tjetër, përderisa deputeti Xhelal Sveçla hudhte gazin lotsjellës, kryeparlamentari Kadri Veseli në një moment humbi durimin duke thënë: “Robt t’i q…”.
Këto fjalë iu kishin shpëtuar grupit të VV-së dhe këtë e ka deklaruar edhe në seancën e sotme, deputetja Drita Millaku.
Në momentin që deputetja Millaku e mori fjalën, ia kujtoi Veselit se çfarë kishte thënë ky i fundit. Madje, ajo shtoi se mirë që nuk ishte aty se do ia kishte futur në gojë gazin lotsjellës.
E menjëhershme ishte kundërpërgjigja nga Veseli i cili nuk hezitoi të përdorë sërish fjalë të ndyra.
“A e përdorë me gojë shumë, a?”, kishte thënë kryeparlamentari.
Në lidhje për këtë çështje, deputetja Millaku për gazetën ‘’Bota sot’’ thotë se kryeparlamentari ka mungesë edukate. Madje, deputetja kërkon edhe dorëheqjen e Veselit pasi që me veprimet e tij po e keqpërdorë pozitën që e posedon.
‘’Ofendimet dhe sharjet Kadri Veselit janë nga mungesa e edukatës dhe e argumenteve, prandaj, ky i shfrytëzon sharjet e ofendimet. Në situata të tilla e heq maskën dhe tregon shërbimin prej nga vjen. Në asnjë moment ky nuk duhet të qëndroj më në atë karrigë, sepse po e keqpërdorë pozitën që e ka. Nuk pres kërkim falje sepse i mungon kultura, pra është një palaqo i llojit të vet’’, ka përfunduar Millaku për gazetën ‘’Bota sot’’.