Vrapimet e Haradinajt nuk mjaftojnë, Raporti i Progresit vlerëson negativisht Kosovën - Bota Sot
Vrapimet e Haradinajt nuk mjaftojnë, Raporti i Progresit vlerëson negativisht Kosovën

Politika

E hënë, 24 shtator 2018

Vrapimet e Haradinajt nuk mjaftojnë, Raporti i Progresit vlerëson negativisht Kosovën

Arben Sylejmani Nga Arben Sylejmani Më 16 prill 2018 Në ora: 21:22
Foto ilustrim "Bota sot"

Anëtari i Komisionit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian, Eduard Kukanit, ka paralajmëruar se edhe këtë herë Kosova do të vlerësohet negativisht nga ana e Komisionit Evropian. Përfaqësuesit e partive opozitare dhe njohës të integrimeve evropiane thonë se ka qenë i pritur një vlerësim negativ për Kosovën për shkak se nuk është bërë mjaftueshëm në luftimin e korrupsionit dhe sundimit të ligjit.

Vlerësimi negativ i Kosovës nga ana e Komisionit Evropian në Raportin e Progresit, ndikon negativisht në liberalizimin e vizave.

Kështu mendojnë deputetët e opozitës dhe njohës të integrimeve evropiane.

Zyrtarisht, ky raport pritet të publikohet të martën (Sot) nga ana e Komisionit Evropian, ku analizohet progres i bërë nga shteteve të Ballkanit Perëndimor që synojnë integrimin në BE.

Por, anëtari i Komisionit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian, Eduard Kukanit, ka paralajmëruar se edhe këtë herë Kosova do të vlerësohet negativisht nga ana e Komisionit Evropian.

Sipas tij, Kosova ende ka ngecje të theksuara sa i përket sundimit të ligjit dhe reformave në sektorin ekonomik.

Po ashtu, sipas Kukan normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë ka ngecur pas zhvillimeve të fundit në vend.

Përfaqësuesit e partive opozitare dhe njohës të integrimeve evropiane thonë se ka qenë i pritur një vlerësim negativ për Kosovën për shkak se nuk është bërë mjaftueshëm në luftimin e korrupsionit dhe sundimit të ligjit.

Qeveria Haradinaj nuk komentuar për “Bota sot”, akuzat e opozitës në drejtim të saj.

Image
Avdullah Hoti

Raporti do të përmend edhe aktakuzat e ministrave të Haradinajt

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, këtë shqetësim e ka ngritur edhe në seancën e Kuvendit ku ishte i thirrur në interpelancë kryeministri, Ramush Haradinaj.

Teksa ka folur për ministrat e Qeverisë Haradinaj me aktakuza, Hoti ka thënë se sigurisht se kjo çështje do të ceket edhe në Raportin e Progresit.

“Nesër Komisioni Evropian publikon raportin për secilin vend të Ballkanit perëndimor, përfshirë edhe Kosovën, sigurisht që këto akuza ndaj ministrave do të zënë vend në këtë raport, përfshirë këtu edhe përpjekjen e partive të koalicionit për të iu ikur obligimeve ndërkombëtare lidhur me dhomat e specializuara të gjykatave, nismën e deputetëve për amnisti për ata që kanë përdorur dhunë dhe gaz lotsjellës në Kuvend, si dhe dështimin e institucioneve të respektojnë të drejtat elementare njerëzore me rastin e dëbimit të qytetarëve turq”, tha Hoti gjatë fjalimit të tij në seancë.

Aktualisht, në Qeverinë Haradinaj janë tre ministra me aktakuzë dhe dy nën hetime.

Image
Ismajl Kurteshi

Kurteshi: Qeveria nuk i ka përmbushur kriteret e BE-së

Edhe për deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Qeveria mbetet fajtori kryesor në dështim të përmbushjes së kritereve të BE-së.

Ai thotë, se ekzekutivi nuk e ka ndërmarrë asnjë veprim për të luftuar korrupsionin që mbetet kriteri i vetëm për vizat.

“Unë mendoj që qeveria gjatë kësaj periudhe nuk i ka përmbushur të gjitha kërkesat e BE-së, e ajo që është kryesorja se nuk po vërehet ndonjë progres në drejtim të luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar që është edhe kusht i vetëm që të bëhet liberalizimi i vizave”, tha Ismajl Kurteshi për “Bota sot”.

Po ashtu, sipas Kurteshit kohëve të fundit po ndodhin disa veprime që dëshmojnë se nuk po respektohen procedurat ligjore.

“E kemi rastin që ndodhi para disa ditëve, dëbimi i gjashtë qytetarëve turq që sigurisht ka ndikuar në vlerësim negativ në raportin e progresit që po prite të vjen nesër”, thotë më tej Kurteshi.

Ai thotë, se ka pasur edhe veprime të tjera të cilat kanë dëshmuar se në Kosovë përveç mungesës së luftës kundër krimit të korrupsionit, ka edhe shumë probleme me mos respektimin e ligjeve në fuqi.

Sipas tij, ky raport do të ndikoj negativisht edhe në liberalizimin e vizave.

“Natyrisht që ndikon sepse Bashkimi Evropian është i koordinuar, e jo sikur në Kosovë kur ndodh diçka e rëndësishme në vend, institucionet kryesore dhe krerët e institucioneve janë të ç ‘koordinuare. Madje, disa nuk e din se çfarë po ndodh edhe pse janë njerëz të cilët kanë përgjegjësi të larta në udhëheqje të vendit”, shtoi Kurteshi.

Pas miratimit të Marrëveshjes për shënjimin e kufirit me Malin e Zi, kushti i vetëm për liberalizimin e vizave për Kosovën mbetet luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Zyrtarët e BE-së nuk kanë dhënë një datë të mundshme se kur qytetarët e Kosovës mund të lëvizin lirshëm drejt vendës të BE-së, por krerët e institucioneve të shtetit vazhdimisht po deklarojnë se liberalizimin i vizave do të bëhet brenda këtij viti.

Image
Avni Mazrreku

Mazrreku: Kosova ka ngecur në shumë drejtime

Edhe profesori i integrimeve evropiane, Avni Mazrreku thotë se nuk ka qenë diçka e papritur lajmi për vlerësim negativ të Kosovës nga ana e Brukselit.

“Qëndrimet e mia publike nuk kanë qenë se ky raport do të jetë pozitiv për Kosovës me faktin se Kosova ka ngecur në shumë drejtime. Por në fakt kjo ngecje e Kosovës është në shumë drejtime sa i përket integrimit të saj në Bashkimin Evropian””, thotë Mazrreku për “Bota sot”.

Sipas tij, sundimi i ligjit mbetet sfida kryesore për institucionet e Kosovës.

“Ngecjet kryesore të Kosovës kanë qenë ato sa i përket sundimit të rendit dhe ligjit, çështjet që lidhen me sistemin e drejtësisë edhe çështjet që lidhen me reformën në administratën publike”, thotë më tej Mazrreku.

Edhe Arton Demhasaj nga organizata joqeveritare “Çohu”, thotë se institucionet e Kosovës nuk kanë dëshmuar se janë të përkushtuara në luftimin e korrupsionit.

Image
Arton Demhasaj

“Unë nuk pres një vlerësim pozitiv në raportin e progresit me faktin se nuk është se ka ndodhur shumë gjëra për të na treguar se ka pasur një lufte progresive kundër korrupsionit. Duke marrë parasysh raportin e progresit që artikulohet dhe hartohet çdo vit, dhe këtu mund të thuhet se ka pasur pak progres, por jo të mjaftueshëm që vërtetë do të ndryshoj diçka”, thotë Demhasaj për “Bota sot”.

Sipas tij, kjo ngecje do të ndikojë negativisht në liberalizimin e vizave.

“Padyshim që mund të ketë ndikim sepse në aspektin e liberalizimit të vizave këta i kanë lëndët e shënjestruara se si po trajtohen dhe çfarë efikasiteti ka ndaj tyre që me pas një vlerësim final sa i përket liberalizmit të vizave”, shtoi Demhasaj.

Mos njohja e Kosovës nga pesë shtetet dhe bisedimet me Serbinë komplikojnë raportin

Profesori i integrimeve evropiane, Avni Mazrreku thotë se edhe mos njohja e pesë shteteve nga ana e BE-së dhe mos zbatimi i marrëveshjeve të nënshkruara me Serbinë do të përbëjnë sfidë për institucionet e Kosovës në raportin e Progresit.

“Për këto dështime nuk mund t’i atribuohen vetëm Kosovës, por janë edhe mungesë e kapaciteteve të vet Bashkimit Evropian që pesë shtete të saj anëtare ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, e kjo rrjedhimisht e komplikuar raportin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian”, thotë Mazrreku.

“Normalisht që të do të identifikohet edhe kjo çështja e implementimit të marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por raporti i progresit duhet me qenë në fakt i fokusuar në atë çka quhet përmbushje e atyre kritereve për vendin respektiv për integrim në Bashkimin Evropian”, shtoi Mazrreku.

Ndryshe, Komisioni Evropian çdo vit bën një raport të vlerësimit për shtetet që aspirojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test