Plani i koordinuar i SHIK-ut për përçarjen e LDK-së

Politika

Plani i koordinuar i SHIK-ut për përçarjen e LDK-së

Arben Sylejmani Nga Arben Sylejmani Më 16 prill 2018 Në ora: 18:06
Mbledhje e kryesisë së LDK-së

“Janë aktivizuar si SHIK-u i PDK-së, ashtu edhe SHIK-u i vogël i LVV-së, por edhe metodat dhe instrumentet tjera të këtyre dhe të partive tjera. Qëllimi është dobësimi i LDK-së, e cila tanimë është më shume se e qartë se do t’i fitojë zgjedhjet e ardhme dhe të fusë në binarë pozitiv këtë vend”, thotë për “Bota sot”, anëtari i LDK-së, Bajram Gecaj.

Lajmet e fundit në media për një përçarje brenda LDK-së po sajohen nga element të PDK-së dhe të Lëvizjes Vetëvendosje, me qëllim për të dobësuar këtë subjekt politik, që në zgjedhjet e fundit lokale doli si partia më e madhe në vend.

Kështu thotë përfaqësuesi i LDK-së, Bajram Gecaj, pas shkrimeve në media kinse për një kundërshtim ndërmjet kryetarit të Podujevës, Agim Veliu dhe atij të Pejës, Gazmend Muhaxheri, se kush duhet të jetë kandidati i ardhshëm i LDK-së për kryeministër.

Duke folur për një televizion publik, Muhaxheri ka thënë se subjekti i tij politik është i gatshëm për zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe ai duhet të jetë kandidat i LDK-së për kryeministër.

“Besoj që unë duhet të jem kandidat për kryeministër. Kam qeverisur mirë dhe kam fituar pa balotazh. Nuk shoh ndonjë kandidaturë tjetër”, ka thënë Muhaxheri.

Por, deklaratës së Muhaxherit i është përgjigjur, Agim Veliu.

Ai ka thënë se kjo deklaratë është një çështje vullneti, pasi që sipas tij kandidatin për kryeministër e zgjedhin organet e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Image
Bajram Gecaj

LDK është unike

Anëtari i LDK-së, Bajram Gecaj thotë se subjekti i tij politik është unik dhe e gjithë lufta politike sipas tij po bëhet ndaj saj.

“LDK në këtë kohë është më unike se kurdoherë, dhe kjo, si zakonisht, u pengon të gjitha subjekteve politike të cilat kanë vënë në lëvizje të gjitha instrumentet e tyre kundër LDK-së. Ashtu si më herët, LDK është therë në sy për partitë të cilat shohin interesin individual e klanor para interesit shtetëror e kombëtar”, thotë Gecaj për “Bota sot”.

Sipas Gecajt, luftën më të madhe ndaj LDK-së po e bëjnë elemente të PDK-së dhe të Lëvizjes Vetëvendosje.

“Janë aktivizuar si SHIK-u i PDK-së, ashtu edhe SHIK-u i vogël i LVV-së, por edhe metodat dhe instrumentet tjera të këtyre dhe të partive tjera. Qëllimi është dobësimi i LDK-së, e cila tanimë është më shume se e qartë se do t’i fitojë zgjedhjet e ardhme dhe të fusë në binarë pozitiv këtë vend”, deklaroi ai.

Sipas tij, lufta e subjekteve të tjera politik për dobësimin e LDK-së do të dështojë.

“Nuk do të kenë sukses, sepse, besoj unë fuqishëm se, edhe ata të cilët kanë ndryshime racionale në mes veti brendapërbrenda LDK-së e kanë kuptuar se i vetmi shpëtim për këtë vend është LDK-ja e fuqishme dhe unike”, shtoi Gecaj.

Image
Basri Musmurati

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e PDK-së dhe ata të Lëvizjes Vetëvendosje nuk kanë dashur të komentojnë akuzat e Gecajt se këto subjekte politike janë përfshirë në dobësimin e LDK-së.

“S’kam çfarë të them se nuk është ashtu”, tha shkurt për “Bota sot”, sekretari i përgjithshëm i PDK-së, Basri Musmurati.

Kurse, zëdhënësja për media në Lëvizjen Vetëvendosje nuk ka dashur të komentoj fare akuzat e Gecajt me arsyetimin se nuk duan t’i përgjigjen.

Abdullahu: LDK-ja nuk mund të dobësohet

Edhe publicisti Faton Abdullahu thotë për “Bota sot” se kohëve të fundit është shtuar një sulm ndaj LDK-së.

Image
Faton Abdullahu

“Gënjeshtrat, sajesat dhe sulmet e ndryshme kundër LDK-së ditëve të fundit do të shtohen dhe koordinohen me djallëzi, për aq sa vlerësohet se në një të ardhme të afërt ka gjasa të ketë zgjedhje të jashtëzakonshme. Pothuajse të gjithë janë që zgjedhje të jashtëzakonshme të mos ketë e arsye kryesore nuk është pse kjo Qeveri po punon mirë, as pse kështu mbrohet interesi i Kosovës dhe i qytetarëve të saj, por thjeshtë, sepse gjasat janë reale që LDK të dal fituese”, thotë Abdullahu për “Bota sot”.

Megjithatë, sipas tij, nuk është koha aktuale që të bëhen deklarata kundërshtues nga individë brenda LDK-së sa i përket zgjedhjes së liderit.

“Në çfarëdo varianti nuk është koha optimale as më e dobishmja të ketë angazhime konkrete sot për lider të ri të LDK-së e bile as për kandidatë të mundshëm për kryeministër nga ky subjekt. Përkundrazi, sikundër po shihet kjo është e dëmshme për këtë subjekt. Nëse disa vërtetë duan ta bëjnë këtë, kjo parti me sa di unë ka strukturë të sofistikuar organizative dhe kjo do të duhej të bëhej brenda tyre, e jo në media që shpesh nuk janë fortë miqësore me LDK-në”, thotë më ej Abdullahu.

Ai thotë, se LDK duhet të ndërmarr ndonjë veprim për të ndaluar sulmet e koordinuara ndaj saj.

“Në anën tjetër është vetë LDK që duhet të ndërmarr diçka urgjentisht për t’i amortizuar këto sulme të koordinuara të cilat do të shumëfishohen sidomos kur afrohet koha kur LDK do e mos do të mbaj zgjedhje të brendshme partiake. Tani për tani nuk ka rrezik më të madh për LDK-n që ta dobësoj dhe paraqes jo unike e për rrjedhojë edhe jo funksionale dhe të përgatitur për gara politike, se sa mospajtimet për ta zgjedhur një lider konsensual për partinë i cili dorën në zemër tash nuk ekziston”, deklaron ai.

Abdullahu, shpreson që dilemat eventuale brenda LDK-së, do t’i heq kthimi i kryetarit aktual, Isa Mustafa.

“Për rrjedhojë, shërimi i kryetarit aktual të LDK dr. Isa Mustafa dhe kthimi i tij në punë, i cili përndryshe ka meritat më të mëdha për nivelin në të cilën është ngritur aktualisht LDK, po bëhet jo vetëm i rëndësishëm, por edhe jetik, larg më shumë se që është perceptuar në fillim, sidomos sa i përket menaxhimit dhe amortizimit të situatave të pakëndshme që mund të krijohen me rastin e përzgjedhjes së një lideri të ri për LDK-në”, shtoi Abdullahu.

Image
Faton Mehmeti

LDK-ja nuk ka ndarje, por garë të brendshme

Nga ana tjetër, analisti politik Faton Mehmeti thotë se në LDK nuk ka ndarje klasike, por zëra për zgjedhje të brendshme.

“Besoj se brenda LDK-së nuk ka ndarje, në sensin klasik të fjalës. Por ka garë brenda gjeneratave se kush duhet të udhëheq me partinë”, thotë Mehmeti për “Bota sot”.

Mehmeti thotë, se LDK-në duhet të udhëheqin gjeneratat e reja.

“Nëse matet pulsi i votuese ata janë pro gjeneratës së re, pasi gjenerata e veteranëve aty ka dështuar ne rezultat, duke e renditur LDK si parti e tretë, ndërkohë që kjo parti duhet të luftojë për të qenë e para ndryshe do të konsiderohet dështim”, thotë më tej Mehmeti.

Ai, më tej thotë se LDK duhet të vazhdojë të marrë në gjirin e saj intelektualë të rinj.

“Gjithsesi dallimet në garë janë produktive derisa nuk krijojnë krisje të partisë, që besoj se s’ka arsye të ndodh. Megjithatë LDK duhet të vazhdoj të inkuadroj brenda vetës intelektualet e rinj me vizion evropian, derisa gjenerata e vjetër duhet të liroj rrugë për te rinjtë”, shtoi Mehmeti për “Bota sot”.

Aktualisht, kryetar i LDK-së është ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa. Mandati i tij përfundon në vitin e ardhshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat