“Thaçi ka futur nën kthetrat e tij edhe AKI-në”

Politika

“Thaçi ka futur nën kthetrat e tij edhe AKI-në”

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 16 prill 2018 Në ora: 08:20
Hashim Thaçi

Kryeministri Ramush Haradinaj, ka vendosur që Presidenti Thaçi ta ketë në dorë emërimin e shefit të ri të AKI-së, pasi Driton Gashi u shkarkua nga detyra për shkak të arrestimit dhe deportimit të gjashtë gylenistëve.

Edhe pse ligji thotë se kjo duhet të bëhet bashkërisht mes presidentit dhe kryeministrit, ky i fundit ka hequr dorë nga ky proces, duke ia kaluar të gjitha kompetencat Presidentit Thaçi.

Sipas Ligjit për Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, “presidenti i Republikës së Kosovës së bashku me kryeministrin emërojnë drejtorin e AKI-së brenda njëzet (20) ditësh pune nga dita kur pozita mbetet e lirë”.

Haradinaj “jashtë loje”

Mirëpo, Kryeministri Haradinaj, thotë se në fund do ta japë vetëm nënshkrimin dhe nuk do përzihet në përzgjedhjen e të parit të ri të AKI-së.

“Shefi i këtij emërimi është presidenti, unë duhet me qit firmën në fund, kaq”, ka thënë Haradinaj.

Ai kësaj radhe mbeti “jashtë loje”, derisa edhe herët e kaluara nuk ishte marrë parasysh nga të tjerët, si në rastin e arrestimit të gjashtë turqve.

E këto akordime të kryeministrit dhe presidentit duke i ikur ligjit, i komentojnë për “Bota sot” analistë dhe ekspert të këtyre çështjeve.

Profesori Avni Islami, thotë për “Bota sot” që mospërfshirja e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, në përzgjedhje të drejtorit të AKI-së, tregon që kryeministri është i pafuqishëm ndaj Presidentit Thaçi.

Image
Avni Islami

“Vërehet se presidenti po e zgjedh shefin e AKI-së, dhe nuk e di a po konsultohet presidenti me kryeministrin e Kosovës, mirëpo në këtë situatë kryeministri, Haradinaj, po del të jetë i pafuqishëm në raport me presidentin e Kosovës”, ka deklaruar ai.

Islami, potencoi, edhe një herë, se presidenti Thaçi duhet të ketë rol më pak vendimmarrës.

“Presidenti duhet të ketë rol më pak vendimmarrës, për shkak se edhe me ligj është e përcaktuar se drejtori i AKI-së, duhet t’i raportojë Komisionit Parlamentar, Kryeministrit, dhe Presidentit”.

Vata: Në Kosovë po instalohet pushteti i pazarit politik në kurriz të kushtetutës

Image
Ilir Vata

Ndërsa njohësi i çështjeve juridike, Ilir Vata, thotë se përzgjedhja e shefit të AKI-së, duhet të bëhet në mënyrë kushtetuese mes presidentit dhe kryeministrit, por sipas tij, nëse ata gjejnë një akordim mes vete, nuk ka asgjë të keqe.

“Institucionet kushtetuese kërkojnë vullnet të përbashkët politik në shërbim të Kosovës dhe në respekt të kushtetutës. AKI u bë shkak i një tensioni ndër-shtete, madje të një aleati në krah si Turqia dhe mendoj se kësaj radhe Kosova duhet të jetë në përputhje me kushtetutën e Kosovës dhe të kushtetutës së pashkruar të pazarit politik mes dy krerëve të shtetit të Kosovës. Shteti nuk është për të ndarë llokma mes krerëve të saj por të mira për qytetarët e saj! Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI), është një institucion kushtetues dhe mekanizmi i zgjedhjes duhet të jetë në përputhje me kushtetutën dhe nëse bëhet në bazë të standardit kushtetues nuk ka asgjë të keqe kur palët ndërveprojnë me dakordësi për zgjedhjen e kreut të këtij institucioni”-u shpreh Vata për “Bota sot”.

Ai shpreson se ky vendim që presidenti ta emëroj shefin e AKI-së, të mos jetë ndonjë pazar politik, sepse atëherë emërimi do jetë i njëanshëm.

“Parë në këtë kontest nuk ka asgjë të keqe që emërimi të propozohet nga palët dhe cili do qoftë ai t’i përmbahet kushtetutës së vendit, por kur emërimi bëhet pazar i politikës, atëherë emërimi është i njëanshëm, posti i politizuar dhe në një farë mënyrë është tendencë si në rastin e Thaçit për të kontrolluar një institucion të tillë si AKI. Kryeministri I Kosovës Haradinaj, i besoi presidentit emrin e AKI-së, parë në planë të parë është normale sepse për hir të aleancës politike dhe ndarjes së pushtetit mes palëve dhe drejtuesi i AKI mundet të jetë pjesë e marrëveshjes, por nëse kryeministri e ka përdorur këtë institucion për të kënaqur palën tjetër në dëm të kushtetutës dhe të Kosovës atëherë mund të themi se në Kosovë po instalohet pushteti i pazarit politik në kurriz të kushtetutës”- tha Vata.

Protagonizmi i Thaçit

Image
Hajrullah Tërnava

Ndërkaq, eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava, thotë për “Bota sot” se njerëzit me autoritet më të lartë, e shfrytëzojnë situatën dhe i marrin vendimet vet, e gjithashtu i përmend disa raste kur Thaçi ka shkelur kushtetutën.

“Politikat janë të tilla, që ata politikanë që janë më me autoritet gjithmonë e shfrytëzojnë situatën dhe si dominues ata i marrin mbi supet e veta vendimet me te rëndësishme si në këtë rast emërimin e shefit të AKI-së. Edhe në kohën e shpalljes së Pavarësisë më 17.02.2008, i pat rastisur me e lexuar deklaratën e Pavarësisë edhe që ishte si Kryeministër, pranë asaj që e kishim Presidentin, kryeparlamentarin që në esencë ata e kishin përparësinë sipas Kushtetutës. Edhe tani në këto kohëra për shumë çështje Kryetari jashtë kompetencave të tij kushtetuese, është duke i udhëhequr bisedime me serbet dhe aktivitete të tjera pa i dhënë llogari askujt”- tha Tërnava.

Ai shton tutje se shefi i ri i AKI-së, do të raportojë prapë vetëm te presidenti Thaçi.

“Edhe në këto raste sikur në shumë raste të mëparshme vendimin për emërimin e shefit te AKI-së e ndërmerr Hashim Thaçi, dhe është e kuptueshme se ai i cili e emëron shefin e AKI-së, atij i raportojnë ai shërbim. Edhe në të ardhmen do të ndërmerr veprime të njëjta ky president, deri sa nuk del dikush ma i fortit që t’ia ndërroj këtë praktikë.”-theksoi Tërnava.

Mehmeti: Thaçi ka fituar nën kthetrat e tij edhe AKI-në

Image
Faton Mehmeti

Ndërsa, analisti politik, Faton Mehemti, thotë se Hashim Thaçi po e shfrytëzon kryeministrin Haradinaj për pazare të tij politike, ndërsa ky i fundit sipas Mehmetit, po pranon çdo gjë nga Thaçi për arsye ta vazhdojë ëndrrën e tij e të qenurit kryeministër.

“Disa here është dëshmuar ndikimi i madh që Thaçi ka pasur ndaj Ramushit, ky i fundit i nënshtruar gjithmonë në kërkim të postit të kryeministrit. Në kuadër të kapjes së shtetit, Thaçi ka fituar nën kthetrat e tij edhe AKI-në, përmes se cilës po realizon pazaret e tija me diktatorin Erdogan dhe shërbimet serbe. Prandaj, Ramushi është i detyruar të pranoj çdo gjë nga Hashimi vetëm që të vazhdoj së jetuari ëndrrën e tij e të qenurit kryeministër. Emërimi i shefit të AKI-së, do jetë ndonjë servil personal i Thaçit, andaj Hashimi po heziton së emëruari derisa të gjej servilin e tij. Thaçi, gjithmonë e ka përdorur Ramushin për te arritur qëllimet e tija, dhe ende po vazhdon ta shfrytëzoj”- përfundoi Mehmeti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat