Procedohet në Kuvend projektligji për referendumin

Politika

Procedohet në Kuvend projektligji për referendumin

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 15 prill 2018 Në ora: 19:49
Kuvendi i Kosovës

Nga opozita besojnë se deputetët do të shqyrtojnë projektligjin për referendumin dhe do të japin kontributin e tyre, duke u siguruar që ky ligj të jetë jo vetëm i plotë, por edhe në përputhje me kufizimet kushtetuese. Ndërsa, për njohësin e çështjeve juridike, iniciativa e Lëvizjes Vetëvendosje është e kotë nëse nuk e kanë edhe një draft ligj për referendum.

Në ditën e Kushtetutës, Lëvizja Vetëvendosje ka paralajmëruar se do ta dërgojë Projektligjin për Referendum në Kuvendin e Kosovës.

Ky subjekt kërkon që qytetarët të thirrën për të shprehur një qëndrim mbi një propozim që u nënshtrohet atyre, që një autoritet ka marrë ose që do të marrë.

Lidhur me këtë, nga Lëvizja Vetëvendosje deklaruan se deri më tani nuk ka pasur asnjë iniciativë për të proceduar në Kuvendin e Kosovës Projektligjin për Referendum.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, në një konferencë për media deklaroi se kjo iniciativë do të dërgohet në Kuvendin e Kosovës.

”Për të mbytur çfarëdo zëri qytetarë ende nuk kemi pasur asnjë iniciative të asnjë qeverie për të proceduar në Kuvend Projektligjin për Referendum. Ne si subjekt politike kemi draftuar këtë projektligj dhe brenda kësaj jave do të procedojmë në Kuvend të Kosovës”, u shpreh Haxhiu.

Nga opozita besojnë se deputetët do të shqyrtojnë projektligjin në fjalë dhe do të japin kontributin e tyre, duke u siguruar që ky ligj të jetë jo vetëm i plotë, por edhe në përputhje me kufizimet kushtetuese. Ndërsa, për njohësin e çështjeve juridike, iniciativa e Lëvizjes Vetëvendosje është e kotë nëse nuk e kanë edhe një draft ligj për referendum.

“Deputetët do të shqyrtojnë projektligjin në fjalë dhe të japin kontributin e tyre”

Deputeti i pavarur, Korab Sejdiu, që vepron në kuadër të Grupit Parlamentar të LDK-së për gazetën “Bota sot” tha se referendumi si proces përfaqëson një nga elementet më thelbësore të demokracisë.

Sejdiu thotë se projektligji për referendum trajton një çështje e cila është e paraparë, ndër të tjera me nenet 2.1 dhe 65.3 të kushtetutës.

Image
Korab Sejdiu

“Referendumi si proces përfaqëson një nga elementet më thelbësore të demokracisë, me që rast, vendimmarrja decentralizohet dhe kthehet në duart e qytetarëve.  Në rastin konkret, Projektligji për Referendum trajton një çështje e cila është e paraparë ndër të tjera me Nenet 2.1 dhe 65.3 të Kushtetutës së vendit”, u shpreh Sejdiu. 

Sipas Sejdiut, çështjet e tilla kanë nevojë për trajtim më të hollësishëm, pasi që Kushtetuta vetëm lejon, por ai thotë se nuk adreson detajet e kësaj çështje.

“Natyrisht, çështjet e tilla kanë nevojë për trajtim më të hollësishëm, pasi që Kushtetuta vetëm lejon, por nuk adreson detajet e kësaj çështje. Besoj që deputetët do të shqyrtojnë projektligjin në fjalë dhe të jepin kontributin e tyre, duke u siguruar që ky ligj të jetë jo vetëm i plotë, por edhe në përputhje me kufizimet kushtetuese që ndërlidhen me këtë temë”, përfundoi deputeti i pavarur, Korab Sejdiu, për gazetën “Bota sot”.

“Dy kompleksitetet e referendumit”

Ndërsa, njohësi i çështjeve juridike në vend, Blerim Burjani, në një prononcim për gazetën “Bota sot” tha se iniciativa e Lëvizjes Vetëvendosje është e kotë nëse nuk e kanë një draft ligj për referendum.

Burjani, përmend dy kompleksitetet e saj, nëse vije në funksion. Sipas tij, e para është se ka frikë se mund të keqpërdorët referendumi dhe se do të pengojë dialogun me Serbinë.

Image
Blerim Burjani

“Ligji për referendum në radhë të parë duhet të hartohet, iniciativa e Lëvizjes Vetëvendosje është e kotë nëse nuk e kanë një draft ligj për Referendum. Ky ligj ka disa komleksitete. E para është se ka pas frikë që do të keqpërdorët referendumi dhe se do të pengojë dialogun me Serbinë, pastaj çështja e Asociacioneve të Komunave Serbe apo tentativën për keqpërdorim të referendumit për çështje politike”, u shpreh Burjani.

Tutje, njohësi i çështjeve juridike thekson se nuk do të ketë referendum për ndarje të komunave dhe bashkëngjitje të një shteti tjetër, sepse, ai thotë se tani është një referendum antikushtetues.

“Është e vërtetë se s’do të ketë referendum për ndarje të komunave dhe bashkëngjitje të një shteti tjetër, sepse, është Referendum antikushtetues, por, mund të ketë referendum për çështje te pushtetit lokal dhe interesave tjera të përgjithshme të qytetarëve”, përfundoi njohësi i çështjeve juridike, Blerim Burjani për gazetën “Bota sot”.

GDP procedon Projektligjin

Ndërkohë, edhe pse u paralajmërua se Lëvizja Vetëvendosje do ta procedojë një gjë të tillë, ishin GDP-ja ata të cilët e proceduan këtë projektligj të parët.

Deputeti i Grupit të Pavarur të Deputetëve, Faton Topalli, ka njoftuar se tashmë ky grup ka proceduar Nismën Legjislative “Projektligji për Referendum”.

“Me këtë projektligj do të definohen rregullat dhe procedurat për referendumet të cilat nuk janë përfshirë në Ligjin Nr. 03/L-040 për Vetëqeverisje Lokale të Republikës së Kosovës. Ligji rregullon shpalljen dhe zbatimin e referendumeve, dhe përcaktohen tre llojet e referendumeve: shfuqizuese, kushtetuese, dhe konsultative”, tha Topalli.

Sipas tij, përmes këtij projektligji vendosen praktika të vendeve të rajonit si dhe vendeve të Bashkimit Evropian.

“Si deputet, dhe si grup parlamentar jemi të hapur ndaj të gjithë atyre që kanë interes për të ndihmuar në amendamentimin e këtij projektligji pas kalimit të tij në parim në Kuvendin e Kosovës”, tha ai. 

“Vjedhja e këtij projektligji është e ulët dhe e dënueshme”

Por, menjëherë pasi  që GDP-ja procedoi e Nismën Legjislative “Projektligji për Referendum”, erdhi reagimi nga Lëvizja Vetëvendosje. Sipas këtyre të fundit, vjedhja e këtij projektligji është e ulët dhe e dënueshme.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, në një postim në llogarinë  e saj në Facebook ka dënuar ketë, duke thënë se “Grupi i Deputetëve të Pavarur” ka pasur mundësi ta dërgojë një draft tjetër dhe se vjedhja e këtij projektligji është e ulët dhe e dënueshme.

“Sapo u njoftova që GDP ka proceduar në Kuvend projektligjin për referendum. Të hënën në konferencë për medie, kam njoftuar që gjatë kësaj jave, do ta procedojmë këtë projektligj në Kuvend”, shkruan ajo.

“U njoftova që projektligji që ka proceduar GDP, është projektligji që është drafti i Lëvizjes Vetëvendosje njëjti pa ndryshuar asgjë. ( natyrisht pa korrektimet që i kemi finalizuar dje në grupin punues të Lëvizjes, e që kanë qenë të nevojshme). GDP ka pasur mundësi ta dërgoj një draft tjetër. Vjedhja e këtij projektligji është e ulët dhe e dënueshme”, thotë ndër tjerash Haxhiu në reagimin e saj.

Në  fund, deputetja e VV-së deklaron se konkurrencën GDP-ja le t’ia bënë PDK-së e jo subjektit të tyre.

“Konkurrencën le t’ia bëjnë PDK-së dhe jo Lëvizjes! Por në fakt me PDK-në ka kohë që nuk janë marrë”, përfundon postimi i Haxhiut.

Pozita pa një qëndrim

“Bota sot” ka kontaktuar deputetët e pozitës për të marrë një qëndrim se a do ta përkrahin dhe se a ka nevojë Kosova për një projektligj të tillë.

Në një përgjigje të shkurtër, deputeti i Nismës Socialdemokrate të Kosovës, Enver Hoti, tha se kanë nevojë që të lexojnë draft propozimin, e pastaj do të dalin më një deklaratë.

Image
Enver Hoti

“Nuk jemi në dijeni, njëherë duhet ta lexojmë, pastaj do të japim një qëndrim rreth kësaj çështje”, ishte përgjigjja e shkurtër e Hotit për gazetën “Bota sot”.

Çka është Referendumi?

Ndërkohë, kujtojmë se referendumi është një procedurë e demokracisë gjysëmdirekte nëpërmjet të cilit qytetarët e një territori të dhënë thirren për të shprehur një qëndrim mbi një propozim që u nënshtrohet atyre, që një autoritet tjetër ka marrë ose që do të marrë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat