A ka ndarje në LDK, flet deputetja e kësaj partie

Politika

A ka ndarje në LDK, flet deputetja e kësaj partie

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 14 prill 2018 Në ora: 20:12
Deputetët e LDK-së

Raportimet e fundit se Lidhja Demokratike e Kosovës është ndarë në katër grupe dhe ka probleme brenda partisë, i ka demantuar deputetja e kësaj partie.

Besa Gaxherri në një prononcim për “Bota sot”, tha se partia e saj është e unifikuar dhe është duke punuar shumë për t’u bërë gati për zgjedhje.

Ndërsa, për Qeverinë Haradinaj tha se ka devijuar plotësisht nga rruga normale e qeverisjes së vendit.

Image
Besa Gaxherri

“Lidhja Demokratike e Kosovës është e unifikuar, është shumë përgatitur dhe është duke punuar shumë, në radhë të parë në Kuvendin e Kosovës duke u marr me tema edhe ditore, sepse qeveria ka devijuar plotësisht nga rruga normale e qeverisjes së vendit, dhe njëkohësisht jemi duke punuar çdo ditë duke përgatitë platformën Lidhja Demokratike e Kosovës për t’u bërë gati për zgjedhje”, u shpreh deputetja Gaxherri.

Sipas saj, raportimet e fundit në media rreth Lidhjes Demokratike të Kosovës janë të pasakta, pasi që, ajo thotë se LDK-ja nuk është në ato nivele, ku njerëzit nuk mund t’i shfaqin ambiciet me vullnetin e tyre.

 “Të gjitha këto opinione që po i dëgjojë dhe po i shohim në media për mua janë të pasakta. Mund të merren nga dikush si të tilla, sepse vërtet Lidhja Demokratike e Kosovës tashmë ka kaluar ato stadet të cilat partitë e tjera nuk i kanë kaluar. LDK-ja nuk është në ato nivelet, ku njerëzit nuk mund t’i shfaqin ambiciet ose dëshirat me vullnetin e tyre. Por, për mua kjo është krejt demokratike edhe pse LDK-ja ka organet e veta, ka trupat e vet dhe çdo vendim do ta marr me shumicë nga organet e saja dhe bazuar në statutin e saj”, tha ajo.

Deputetja e LDK-së thekson se janë shumë të përgatitur dhe po bëjnë çdo gjë, që sa më shpejt vendi të shkojë në zgjedhje, sepse, sipas saj, nuk ka zgjidhje tjetër.

“Lidhja Demokratike e Kosovës është shumë e unifikuar, shumë e përgatitur dhe po bënë çdo gjë që sa me shpejt që ta dërgojë vendin në zgjedhje sepse nuk ka zgjidhje tjetër edhe pse nuk ish dashur për të shkuar në zgjedhje sepse kjo është stërmundim dhe për qytetarët e vendit, por me këtë qeveri nuk mund të vazhdohet”, përfundoi deputetja e Lidhjes Demokratike e Kosovës, Besa Gaxherri për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat