Presidenti Thaçi shkelë premtimin, nuk e paditë Serbinë për krime lufte

Politika

Presidenti Thaçi shkelë premtimin, nuk e paditë Serbinë për krime lufte

Nebi Ajeti Nga Nebi Ajeti Më 14 prill 2018 Në ora: 13:25
Hashim Thaçi

Paralajmërimi i Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për përgatitje të akuzës kundër Serbisë për gjenocid, duket që mbeti thjeshte një retorikë elektorale e cila e përfshiu Presidentin tonë në kohë zgjedhjesh.

Ishte shkurti i vitit 2014, kur Presidenti Thaçi, në cilësinë e Kryeministrit të Kosovës, kishte deklaruar se Kosova do të ngre padi ndaj Serbisë për pagimin e dëmeve të shkaktuara gjatë luftës në periudhën 1998-99. Ai pati deklaruar se Kosova do ta dërgojë këtë padi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, por që nga ajo kohë nuk dihet se është bërë diçka në këtë drejtim.

Gazeta “Bota sot” , ka tentuar të kontaktojë me zyrën e presidencës se Kosovës tash e disa ditë, mirëpo nga zyrtarët e saj nuk janë përgjigjur.

Përgjigje nuk ka kthyer as kabineti i Qeverisë Haradinaj, ndonëse për “Bota sot” kanë premtuar që do të kthejnë përgjigje.

Thaçi- bashkëpunëtor i Vuçiçit

Image
Drita Millaku

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku në një prononcim për “Bota sot” ka thënë se premtimet e Thaçit për padi janë vetëm retorikë elektorale.

“Krerët e shtetit nuk kanë kurrfarë strategjie për t'iu kundërvënë politikes serbe dhe atë në të gjitha aspektet. Premtimet e Thaçit se do të ngrisim padi ndaj Serbes për krimet e luftës në Kosovë janë vetëm retorik elektorale pra vetëm, për konsum të brendshëm. Thaçi është bashkëpunëtori më i ngushtë i Vuqiqit dhe gjithçka çka bëjnë e bëjnë me koordinim të përbashkët me të. Derisa është kjo qeveri dhe ky president nuk do të ketë padi ndaj Serbisë për shkak se të gjithë janë të shantazhuar” ka thënë Millaku.

Presidenti Thaçi indiferent sa i përket krimeve të luftës

Image
Haki Abazi

Njohësi i zhvillimeve politike në vend, Haki Abazi, në një prononcim për “Bota sot” ka thënë se klasa e tanishme politike e pa përgjegjshëm ka kthyer kontrollin e Serbisë mbi Kosovën

“E rëndësishme është se Serbia dhe qeveria e saj nuk kanë ndryshuar as qëllimin e as taktikat. Qeveria Serbe vazhdonte të mbajë qëndrimin dhe të arsyetojë këtë qëndrim me të njëjtat argumentime me të cilat Milloseviçi kishte organizuar pastrimin etnik dhe kishte organizuar luftën me konceptin e tokës së djegur. Liria e dhe Pavarësia e Kosovës është arritur si rezultat i përcaktimit dhe përkushtimit gjithë qytetar dhe sakrificës edhe nga ana e politikanëve por edhe qytetarëve që kanë luftuar dhe janë sakrifikuar për lirinë dhe pavarësinë. Kjo ka bërë të mundur përfundimin e okupimit të Kosovës nga Serbia por klasa e tanishme politike e pa përgjegjshëm ka kthyer kontrollin e Serbisë mbi Kosovën. Me dialogun ata kanë bërë Serbinë hisedarë në secilin aspekt. Serbia nuk është e interesuar për të drejtat e serbeve të Kosovës. Serbia është interesuar në realizimin planit të saj për një Kosovë pa shqiptar dhe me kontrolle të resurseve ekonomike. Me një Serbi të tillë që saboton dhe kërcënon e jeton me qëllimin për të parandaluar jetën normale dhe funksionimin e shtetit të Kosovës duke propoganduar gënjeshtra me karakter religjioz për vendin nuk mund të ketë marrëdhënie e as normalizim. Duhet kuptuar që përfitues është Serbia duke marrë mbi 700 milion euro cash nga eksportet në Kosovë. Pra vetë Kosovarët janë duke financuar vetë sabotimin shtetit të tyre. Ndërsa qeveria e Kosovës e sidomos Thaçi ka qene jo vetëm indiferent por asnjëherë në asnjë moment nuk e ka ngritur çështjen e dëmeve të luftës dhe kompensimin e familjareve që kanë humbur njerëzit në këtë luftë. Kjo tregon shumë edhe për dështimet tjera dhe mungesën e qartësisë për të humburit gjatë luftës e që familjet e tyre ende jetojnë me ankthin për fatin dhe të vërtetën e të dashurit e tyre” ka thënë Abazi

Kosova nuk mund të ngre padi, pa u anëtarësua në OKB

Image
Avni Islami

Për ekspertin e sigurisë Avni Islami krimet e kryera në Kosovë në periudhën 1998-1999 janë krime dhe gjenocid kundër shqiptarëve. Ai ka thënë se kemi me miliona fakte, dhe Serbia ishte dashur të paditet kaherë, por sipas procedurave meqenëse Kosova nuk është anëtare e OKB-ës, atëherë nuk ka se si.

“ Mundësitë janë reale që përmes një vendi tjetër të dorëzohet padia, dhe më së afërmi është që përmes shtetit shqiptar të dorëzohet materiali e nevojshëm dhe zyrtarisht të akuzohet shteti serb për gjenocidin dhe krimet e kryera kundër shqiptarëve të Kosovës në periudhën 1998-1999.” është shprehur, eksperti i sigurisë Islami.

Padia përmes Tiranës ose Kroacisë

Në të njëjtën linjë ka qëndruar, analisti politik Jeton Kelmendi vlerëson, se Kosova ka mundur dhe mundet ta padisë përmes Tiranës apo përmes Kroacisë.

Image
Jeton Kelmendi

“Por problemi është se Kosova nuk ka qenë asnjëherë e gatshme që ta padisë Serbinë. Dhe sigurisht mekanizmat ndërkombëtare kanë qenë më të afërta me Serbinë. Pastaj Qeveritë që e kanë qeverisë Kosovën, gjithherë kanë qenë të kapura ose të shantazhuara për shkak të kërcënimeve që i kanë bërë shefat e institucioneve të Kosovës ose kanë punuar sipas instruksioneve të Serbisë dhe qarqeve të caktuara siç kemi edhe tani”, është shprehur Kelmendi.

Ndërsa, njohësi i çështjeve juridike, Ilir Vata, ka bërë të ditur se askush nuk mund të ndalë një të drejtë të ligjshme siç është e drejta e padisë dhe më keq akoma kur bëhet fjalë për krime kundër njerëzimit, lehtësisht të provueshme.

Kërkohet ndihma e Tiranës

Image
Ilir Vata

 Ai ka thënë, se për faktin që janë bërë gjithë këto padrejtësi, atëherë sigurisht se edhe një shtet mundet të ngrijë padi, sepse rasti i gjenocidit serb në Kosovë është një makabritet.

“Në aspektin ligjor, Tirana zyrtare mund të bëhet palë në gjyq por në aspektin juridik nuk mund të kalojë kompetencat shtetërorë sipas gjykatës ndërkombëtare dhe të drejtës ndërkombëtare. Kosova tashmë është e pavarur, dhe mjafton që kjo çështje të jetë e ngritur, e mbajtur peshë sepse është një e drejtë që mund të kërkohet, në çdo kohë, pasi sipas të drejtës ndërkombëtare krimet kundër njerëzimit, si gjenocidi nuk i nështrohet parashtrimit” është shprehur njohësi i çështjeve juridike Ilir Vata.

Serbia u shpërblye, Kosova u izolua

Image
Faik Krasniqi

Analisti Politik Faik Krasniqi në një prononcim për “Bota sot” ka thënë se fajtor për vonim të padisë është  klasa politike e papërgjegjshme, kriminale dhe mafioze, e këtyre drejtuesve që edhe pse për 19 vite rresht po na udhëheqin në mënyrën më të keqe, nuk e kanë ndërmend të përmirësohen, por janë bërë edhe më arrogantë seç kanë qenë.

“Nuk ka shtet në Evropë që nuk do të kishte ngritur padi për rimbursimin e dëmeve materiale dhe morale, e që nuk do të kishte lënë institucion apo hallkë institucionale pa aktivizuar kundër shtetit që ka bërë gjenocid dhe ka shkaktuar dëme të pariparueshme. Por nuk mbaj mend që Hashim Thaçi apo Qeveri në Kosovë të kenë mbajtur ndonjë premtim të dhënë, andaj nuk ka pse t’u besohet se do ta padisin Serbinë për gjenocid. Unë nuk besoj se do të ketë një padi të tillë. Kosova dhe Presidenti Thaçi nuk është dashur t’i fillonin bisedimet me Serbinë në Bruksel para se Serbia të na kërkonte falje për krimet e luftës, e para kompensimit të dëmeve të luftës. Fillimi i bisedimeve me Serbinë pa asnjë kusht ka bërë që sot kjo e fundit të ketë krijuar një avantazh të madh karshi Kosovës. Serbia, edhe pse agresore, u shpërblye nga ana e BE-së me liberalizim të vizave, me statusin kandidat për në BE, me ndihma ekonomike, dhe me krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, kurse Kosova, edhe pse viktimë, u ndëshkua me izolim nga BE-ja dhe cungim të sovranitetit. E gjitha kjo për shkak të paaftësisë të kësaj klase politike të papërgjegjshme, kriminale dhe mafioze, të këtyre drejtuesve që edhe pse për 19 vite rresht po na udhëheqin në mënyrën më të keqe, nuk e kanë ndërmend të përmirësohen, por janë bërë edhe më arrogantë seç kanë qenë” ka përfunduar Krasniqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat