Asociacioni mund të marrë epilogun e njëjtë me Demarkacionin

Politika

Asociacioni mund të marrë epilogun e njëjtë me Demarkacionin

Arben Sylejmani Nga Arben Sylejmani Më 12 prill 2018 Në ora: 20:59
Ilustrim

Themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe rrezikon të marr një epilog të ngjashëm me atë të Demarkacionit, ku pas tri viteve kryeministri Haradinaj pranoi të kaloi Marrëveshja për shënjimin e kufirit me Malin e Zi, për të cilën sa ishte në opozitë thoshte se Kosova po humbte territor.

Por, me ardhjen në krye të Qeverisë Haradinaj u pajtua të kaloi Demarkacioni me versionin e Murat Mehes, duke ia shtuar një ndryshim të vogël që është deklarata e dy presidentëve që të themelohet një komision i përbashkët në mes të dy shteteve për korrigjim të kufirit në pika të caktuara.

Kjo deklaratë ndërmjet dy presidentëve nuk përbën një akt juridik dhe më shumë duket se është bërë për të shpëtuar me fytyrë kryeministrin Haradinaj dhe zëvendësin e tij, Fatmir Limaj para elektoratit.

Dhe ngjashëm me Demarkacionin kanë filluar të lëvizin gjërat sa i përket themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, pas themelimit të ekipit menaxhues i përbërë nga katër serb për hartimin e statutit.

Kryeministri Haradinaj, në një deklaratë publike deklaroi se katër serbët e “Ekipit Menaxhues” po përpilojnë statutin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe, dhe çdo muaj raportojnë në Bruksel.

Raportimi çdo muaj në Bruksel, nëse nuk ka gabuar kryeministri Haradinaj përbën një problem në vete, pasi që Marrëveshja e Brukselit parasheh që procesi për statutin e Asociacionit të përpilohet nga grupi menaxhuar, i përberë nga 4 serbë, por në bashkëpunim të ngushtë me institucionet e Kosovës (MAPL), me OSBE-në dhe BE në Prishtinë.

Poashtu, dërgimi i statutit në Bruksel përbën rrezik, sepse aty është palë edhe Serbia për të cilën po kërkon me çdo kusht që Asociacioni të themelohet me Marrëveshjen e Brukselit, që Gjykata Kushtetuese konstatoi se 23 pika të saj bien ndesh me Kushtetutën e vendit.

Kështu që Serbia mund të kundërshtojë të gjitha pikat e këtij statuti, që nuk i përmbahen marrëveshjes së 2015-s dhe rrjedhimisht kjo mund të çojë në negociata të reja mes zyrtarëve të Kosovës dhe të Serbisë.

Hyrja në bisedime edhe njëherë për statutin e Asociacionit do të ishte e dëmshme për vendin, sepse për të arritur një marrëveshje e re duhet një kompromis i ri. E ky kompromis do të tejkalojë Kushtetutën në fuqi.

Nga ana tjetër, delegacionit të Kosovës i mungojnë njerëzit në këto bisedime që janë të aftë dhe në gjendje për të refuzuar presionin e Brukselit për themelimin e Asociacionit, ashtu siç po dëshiron Serbia.

Presidenti Hashim Thaçi, është një njeri që fatin e vet politik e ka lidhur me bisedimet me Serbinë, kryeministri Ramush Haradinaj ngjashëm si për demarkacionin për të ndenjur në pushtet edhe më gjatë mund të pranojë ndonjë kompromise të tillë. Një kompromis i tillë mund të pritet edhe nga kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.

Mbetet për tu parë, por siç kanë filluar gjërat Asociacioni rrezikon të themelohet, sipas kërkesës së Beogradit, por me një ndryshim terminologjik apo me ndonjë marrëveshje shtesë, sikur që ndodhi me Demarkacionin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat