Paralajmërimi i frikshëm, Kosova në rrezik nga bosnjëzimi

Politika

Paralajmërimi i frikshëm, Kosova në rrezik nga bosnjëzimi

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 12 prill 2018 Në ora: 09:05
Foto ilustrim

Marrëveshja për Asociacionin e nënshkruar në vitin 2015 në Bruksel në mes të Kosovës dhe Serbisë, pati vazhdimisht kundërshtimin e opozitës, e cila e dërgoi atë në Gjykatën Kushtetuese.

E kjo Gjykatë, mori vendim që ky Asociacion nuk është tërësisht në harmoni me Kushtetutën e Kosovës.

“Gjykata mori vendim që të konstatojë që parimet, siç janë elaboruar në “Asociacioni/Bashkësia i komunave me shumicë serbe në Kosovë - Parimet e përgjithshme/Elementet kryesore”, nuk janë tërësisht në përputhshmëri me frymën e Kushtetutës, me nenin 3 (Barazia para Ligjit), paragrafi 1, me Kapitullin II (Të Drejtat dhe Liritë Themelore) dhe me Kapitullin III (Të Drejtat e Komuniteteve dhe Pjesëtarëve të tyre) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, thuhej në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

"Asocioacioni nuk do të ketë kompetenca ekzekutive", kishte deklaruar Hashim Thaçi, ministër i jashtëm në atë kohë, që e kishte nënshkruar këtë marrëveshje, derisa Aleksandar Vuçiç kishte thënë se Asociacioni do të ketë kryetar, Kuvend, stemë e flamur të vetat.

"Asociacioni do të ketë kryetarin e vet, nënkryetarin, kuvendin, këshillin, stemën dhe flamurin. Asociacioni do të vendosë për katër çështjet e Marrëveshjes së Brukselit: shëndetësinë, shkollimin, planifikimin rural dhe urban si dhe zhvillimin ekonomik", kishte deklaruar ai.

Tani kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj dhe Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet në fuqi kanë riaktivizuar ekipin menaxherial, i cili do të bëjë draftimin e statutit për Asociacionin e Komunave Serbe.

Draftimi i statutit do të jetë një proces transparent dhe gjithëpërfshirës, i cili do të përbehet nga 3 mekanizma punues: Ekipi menaxhues, Komiteti zbatues si dhe Grupi nacional konsultativ, të cilët do të garantojnë përfshirje të gjithë spektrit politik, shoqërisë civile dhe mekanizmave të tjerë relevant të shoqërisë.

Në anën tjetër, opozita, veçanërisht Lëvizja Vetëvendosje vazhdon kundërshtimin për këtë marrëveshje, duke thënë se është e dëmshme për vendin dhe me të do të bosnjëzohet Kosova.

E rrezikun nga bosnjëzimi nuk e ka përjashtuar as kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili së fundmi ka thënë se duhet të kemi kujdes.

“Çdo gjë është rrezik. Duhet të kemi kujdes në hapa, çdoherë”, ka thënë Haradinaj.

Ndërsa, sa i përket zgjidhjes, se a duhet të mbetet Kosova peng i një zhvillimi të tillë, ai tha se duhet të jetë e kujdesshme.

“Nuk ka pse të jetë peng e asnjë zhvillimi Kosova. Duhet të jetë e kujdesshme në çdo aspekt”, u shpreh Haradinaj.

Por, a rrezikon Kosova të bosnjëzohet nga Asociacioni i Komunave serbe?

Image
Bajram Gecaj

Gecaj: Bosnjëzimi i Kosovës mund të ndodhë për shkak të jokompetencës së Qeverisë dhe Presidencës

Ish këshilltari politik në Qeverinë Mustafa, zyrtari i LDK-së, Bajram Gecaj, thotë se kjo mund të ndodhë për shkak të jokompetencës së Qeverisë dhe Presidencës.

“Bosnjëzimi i Kosovës mund të ndodhë vetëm për shkak të jokompetencës së Qeverisë dhe Presidencës. Nuk ka fare këtu rrezik, por joprofesionalizmi i kësaj qeverie mund të na dërgojë edhe në këtë çështje, por edhe në çështjet tjera në theqafje”, ka thënë Gecaj për gazetën “Bota sot”.

Image
Ismail Kurteshi

Kurteshi: VV kundërshton çdo përpjekje për Asociacion në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës

Ndërsa, deputeti Ismail Kurteshi nga Lëvizja Vetëvendosje, vlerëson se organizimet në baza etnike e dëmtojnë funksionimin e Kosovës dhe se çdo përpjekje që bëhet për ta bërë Asociacionin në kundërshtim me Kushtetutën, atëherë VV e kundërshton.

“Organizimet në baza etnike në Kosovë, natyrisht që e dëmtojnë funksionimin e shtetit të Kosovës dhe do të duhej të kemi institucione ku janë të integruara të gjitha komunitetet, por edhe në rast se një Asociacion i tillë ndodhë për komunat me shumicë serbe, ai duhet në përputhje të plotë me rekomandimet e Gjykatës Kushtetuese. Çfarëdo lloj përpjekje për ta bërë një asociacioni në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, një asociacion i cili shënon ingerenca, kompetenca ekzekutive, një asociacion i cili synon të ketë një pushtet në mes të atij komunal dhe atij qendror, për Lëvizjen Vetëvendosje është i papranueshëm”, ka deklaruar Kurteshi për “Bota sot”.

Image
Time Kadrijaj

Kadrijaj: Bosnjëzimi nëse Asociacioni nuk hartohet sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës

Kurse, deputetja nga AAK, Time Kadrijaj, shpjegon se marrëveshja e Asociacionit për Komunat Serbe pas formimit të Statusit nga Komisioni, do të dërgohet sërish në Kushtetuese, për të parë nëse është konform saj dhe ligjeve të Kosovës.

“Asociacioni është nënshkruar në Bruksel, më pas nga opozita ka shkuar për interpretim në Gjykatën Kushtetuese e cila ka dhënë një interpretim për këtë marrëveshje dhe e dini që kjo marrëveshje ka pasur disa nene në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, por tani grupet punuese janë formuar për hartimin e statusit të Asociacionit e pas formimit të këtij statusi do t’i dërgohet sërish Gjykatës Kushtetuese në mënyrë që të jetë në përputhje me ligjet e Kushtetutës së Kosovës”, ka deklaruar ajo.

Por, sikur edhe Vetëvendosje, edhe Kadrijaj thotë se nga deputetët do të pranohet vetëm marrëveshja që është në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.

“Rrezikohet bosnjëzimi nëse nuk punohet edhe nuk hartohet sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Dhe kjo është forma e vetme që do të pranohet nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, d.m.th interpretimi që është bërë nga Gjykata Kushtetuese që e ka dërguar opozita atëherë dhe pas formimit të statusit do t’i dërgohej sërish asaj, që të jetë konform ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës”, ka përfunduar deputetja Time Kadrijaj për “Bota sot”.

Kujtojmë se Lista Serbe, ka paralajmëruar formimin e njëanshëm të asociacionit të komunave serbe, i cili bie ndesh më vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat