Asociacioni “bombë” juridiko-kushtetuese në duar të pushtetarëve të pamoralshëm

Politika

Asociacioni “bombë” juridiko-kushtetuese në duar të pushtetarëve të pamoralshëm

Albulena Jahaj Nga Albulena Jahaj Më 11 prill 2018 Në ora: 16:02
Foto ilustrim "Bota sot"

Kushtetuta e Republikës se Kosovës, tash e 10 vite nuk është se ka gjetur zbatim në gjithë territorin e vendit dhe shumë herë edhe është shkelur nga zyrtarë shtetërorë. Në dekadën e parë Kushtetuta e Republikës së Kosovës përveç që nuk është respektuar në lokalitetet me shumicë serbe, është sfiduar e madje është shkelur në disa raste edhe nga vetë krerët shtetërorë apo nga institucionet e vendit.

Është akti më i lartë juridik i shtetit. Por, edhe 10 vjet pas ratifikimit, Kushtetua e Kosovës, në jo pak raste nuk është trajtuar në përputhje me rëndësinë që e ka. Madje, ajo është shkelur nga vet zyrtarët e lartë të shtetit të Kosovës.

Ata që zakonisht thirren në Kushtetutë, shihen si shkelësit më të mëdhenj të saj. E në anën tjetër, ka pasur edhe interpretime nga Gjykata Kushtetuese, që janë konsideruar jo kushtetuese.

Image
Mazllum Baraliu

Mazllum Baraliu, profesori i së drejtës dhe njohësi i Kushtetutës, ka thënë për “Bota Sot” se  Kushtetuta e Republikës se Kosovës duhet të përmendet posaçërisht në këtë përvjetor të rëndësishëm si akt i parë i një shteti të pavarur.

“Më të vërtetë është krijim i madh nga ky këndvështrim, por nga këndvështrimi substancial përmbajtjesor i saj kjo Kushtetutë nuk ka qenë produkt dhe rezultat i dëshirës dhe vullnetit të qytetareve të Kosovës veçanërisht jo qytetarëve shumicë, pra shqiptarëve sepse është përgatitur nga një komision ndërkombëtar dhe më ndihmesa puro politike pra kryesisht ka qenë akt politik nga programi gjithëpërfshirës i Marty Ahtisarit dhe është  imponuar në një mënyrë prandaj si e tillë nuk ka qenë dhe nuk është Kushtetuta më demokratike. Kushtetuta e Kosovës më tepër është kushtetutë me përmbajtje nga plani i Ahtisarit” ka thënë Mazllum Baraliu.

Kushtetuta u shkel

Sipas njohësit të Kushtetutës, fatkeqësisht Kushtetuta që e kemi është shkelur në vazhdimësi, në praninë e institucioneve tona dhe ato nuk e kanë mbrojtur atë dhe nuk kanë qenë as vigjilente në respektimin e saj, sidomos në pjesën veriore të Kosovës.

Vendimet e Gjykatës Kushtetues, hera herës kanë qenë edhe kontradiktore njëra më tjetrën dhe dëmtuese të të drejtave elementare të njeriut.

Kurse, Lëvizja Vetëvendosje, konsideron se gjatë këtyre viteve ata që thirren në emër të kushtetutës e kanë shkelur më së shumti këtë Kushtetutë.

Image
Albulena Haxhiu

Deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, ka thënë se vet hartimi i Kushtetutës është bërë pa pyetur qytetarët e Kosovës, që sipas saj për hartim të së njëjtës do  të duhej të pyetej çdo qytetar.

Haxhiu, tha se Kushtetuta nuk është akti më i lartë pasi që mbi të ka qenë gjithnjë Pakon e Ahtisarit. Po ashtu, ajo bëri të ditur se si Vetëvendosje, kanë bërë projektligjin për referendum dhe këtë javë do ta dërgojnë në Kuvend.

"Ende nuk kemi parë asnjë iniciativë për të dërguar në Kuvend projektligjin për referendum. Ne këtë javë do të dorëzojmë në kuvend projektligjin për referendum", tha Haxhiu.

Sipas saj gjatë këtyre viteve ata që thirren ne emër të Kushtetutës e kanë shkelur më së shumti këtë Kushtetutë. Haxhiu, tha se edhe Gjykata Kushtetuese nuk ka lënë germë të saj pa e shkelur.

Image
Faton Avdullahu

Shkeljet me rastin e themelimit të Asociacionit

Analisti politik Faton Avdullahu ka thënë se Kushtetuta e Republikës se Kosovës shkelet në mënyra edhe të dëmshme për vendin.

“Tani për tani ekziston rreziku real që edhe një herë të shkelet Kushtetuta e Kosovës dhe atë në një mënyrë shumë të veçantë, por edhe shumë të dëmshme, nga ata që e kanë bërë këtë shpesh, pa pësuar asgjë të keqe, por duke siguruar përfitime për klanet e tyre, me çka i kanë siguruar vetes atë kryesoren, mbetjen në pushtet” ka thënë Abdullahu.

Sipas tij, nëse vazhdohet kështu edhe më tutje me këtë Qeveri dhe nëse vazhdohet edhe me këtë President, gjasat reale janë që ata në bashkëpunim ta bëjnë edhe një shkelje të rëndë kushtetuese me rastin e themelimit të ‘Asociacionit të Komunave Serbe’, që do të ishte shumë e kobshme për sigurinë dhe të ardhmen e vendit tonë.

“Na duhen pushtetarë të pa-korruptuar, pushtetarë të cilët e luftojnë korrupsionin, të cilët ja duan të mirën Kosovës më shumë se klaneve të tyre dhe të cilët dinë të thonë jo edhe nëse do tu rrezikohet karriga e tyre për ta kundërshtuar përmbajtësish themelimin e “Asociacionit….” jashtë kornizave të parapara nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës. Është e frikshme të shkohet me këta pushtetarë në jetësimin e projektit të ”Asociacionit..“. Është shumë më mirë të shkohet tani në zgjedhje të jashtëzakonshme sesa tu lihet në duar kjo “bombë juridiko-kushtetuese” atyre që nuk janë të zotë e as politikisht të moralshëm, ta menaxhojnë këtë mjet, ‘eksplodimi’ i së cilës do të shkaktoj dëme të pariparueshme për sigurinë e vendit tonë” ka shpejguar për “Bota Sot” Analisti politik Faton Avdullahu.

Image
Mentor Tahiri

Përpilimi i ngutshëm

Politologu Mentor Tahiri më rastin e 10 vjetorit të Kushtetutës se Republikës se Kosovës ka thënë për “Bota Sot” se Kushtetuta e Kosovës po kalon dhjetëvjeçarin e saj të parë, në të cilin janë shpërfaqur elemente të ngutisë në përpilimin e saj, apo edhe dykuptimësi.

"Në përpilimin e saj, janë marrë parasysh edhe interesat politik të kohës konform me skenën e brendshme politike e cila atëherë kishte pushtetin në Kosovë. Mu këtu qëndron edhe baza e dykuptimësisë në disa raste, sikurse edhe e kompetencave dhe autorizimeve jo qartë të ndara ndërmjet Presidentit dhe Kryeministrit. Si rrjedhojë kemi një paradoksikon të gjerë në trajtimin e Kosovës si republikë parlamentare sipas tekstit kushtetutës, e në anën tjetër ka elemente të qarta se Kosova është republikë gjysmë-presidenciale, gjë që kuptohet nëse lexojmë më thellë vet përmbajtjen e kushtetutës. Së fundmi jemi dëshmitarë se si në rastin e ekstradimit të gjashtë shtetasve turq, faktikisht kryeministri nuk ka kompetenca që të merret me AKI-në.

Sipas tij, Kuvendi i Kosovës, gjatë këtyre dhjetë viteve kishte kohë të mjaftueshme që të amandamentohen pjesët jo krejtësisht të qarta të Kushtetutës, por shihet se për këtë nuk kishte vullnet në mesin e partive politike.

“Një nga pjesët e cilat ka qenë vërtetë e nevojshme të amandamentohet, është ajo që ka të bëjë me zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, e cila në përvojë ka dëshmuar se sipas tekstit aktual rrezikon që Kosova të gjendet para kolapsit institucional pas çdo procesi zgjedhor” ka thenë Tahiri.

Image
Korab Sejdiu

Kurse, Deputeti i pavarur në Kuvendin e Kosovës, Korab Sejdiu, ka deklaruar se nuk ka arsye që të festohet me rastin e Ditës së Kushtetutës pasi sipas tij ajo po shkelet çdo ditë.

Sejdiu, gjithashtu ka thënë se nuk kemi arsye për festë dhe se ka vetëm arsye e përgjegjësi për veprim, përpjekje e mund, që Kushtetuta të kthehet nga lecka në të cilën është shndërruar në një udhërrëfyes të pacenueshëm që rregullon shoqërinë, transmeton “Bota Sot”.

“A me uru për përvjetor të një Kushtetute, që kush të qohet i pari e shkelë? Ku edhe vet gardiani i saj e shkelë (Rasti i imunitetit të deputetëve) edhe e bënë “si llastikun” varësisht cilit “shef” aktual i shërben. Ku ndarja e pavarësia e pushteteve ka mbet vetëm teori. Ku më shumë ka shkelje të të drejtave të njeriut të garantuara me këtë Kushtetutë në baza ditore, se sa respektim e zbatim – me rrëmbimin e fundit të qytetarëve pa asnjë procedurë me urdhër të të madhit dhe gjithë pushtetshmit “shef”, si shembulli më i freskët, por assesi i fundit. Nuk kemi arsye për urime e festë. Kemi vetëm arsye e përgjegjësi për veprim, përpjekje e mund, që ta kthejmë Kushtetutën nga lecka në të cilën e kanë shndërruar, në një udhërrëfyes të pacenueshëm që rregullon shoqërinë tonë”, ka shkruar Korab Sejdiu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat