Problemi që po e sfidon Kuvendin e Kosovës

Politika

Problemi që po e sfidon Kuvendin e Kosovës

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 5 prill 2018 Në ora: 21:49
Kuvendi i Kosovës

“Një nga sfidat kryesore të kësaj legjislature, por edhe të legjislaturave paraprake, është sigurimi i kuorumit të mjaftueshëm për vendimmarrje, qoftë gjatë seancave plenare, ashtu edhe në mbledhjet e komisioneve parlamentare”, është shprehur Cakolli.

Shumë projektligje nuk arrijnë të miratohen në Kuvend, për shkak të mungesës së kuorumit, ku deputetët mungojnë në seanca, apo ka edhe të tillë që vetëm nënshkruhen dhe më pas dalin nga seanca.

E si pasojë e kësaj, në seancën e kaluar të mbajtur të premten, kryetari i Kuvendit Kadri Veseli ka propozuar që t’u hiqen mëditjet deputetëve që nuk kanë qenë në seancë.

Por, një propozim i tillë që u bë nga Veseli, hasi nuk kundërshtimin e deputetëve dhe nuk arriti të marrë shumicën e votave.

Në atë seancë, Veseli numëroi edhe ditët që kanë kaluar në Kuvend ku sipas tij, për 63 ditë në seancë kanë qëndruar 25 ditë.

Se a duhet të ketë një projektligj me të cilin deputetëve u hiqen mëditjet për mospjesëmarrje në seanca, analistët kanë dhënë qëndrimet e tyre.

Cakolli: Gjoba financiare për deputetët që nuk marrin pjesë në seanca.

Eugen Cakolli, hulumtuesi në KDI, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se sigurimi i kuorumit të mjaftueshëm për vendimmarrje ka qenë një nga sfidat kryesore të legjislaturës së kaluar, që po vazhdon edhe në këtë aktuale.

“Një nga sfidat kryesore të kësaj legjislature, por edhe të legjislaturave paraprake, është sigurimi i kuorumit të mjaftueshëm për vendimmarrje, qoftë gjatë seancave plenare, ashtu edhe në mbledhjet e komisioneve parlamentare. Deri më tani, është bërë pak, për të mos thënë fare në këtë drejtim, duke qenë se ka munguar vullneti politik i deputetëve që një problem i tillë të rregullohet, duke u sanksionuar edhe në Rregulloren e Punës së Kuvendit të Kosovës”, është shprehur ai.

Image
Eugen Cakolli

Sipas Cakollit, deklarimet e Veselit nuk janë zgjidhje përfundimtare dhe kjo duhet të bëhet përmes rregullores së re të Punës së Kuvendit.

“Deklarimet e kryetarit Veseli janë të mirëpritura, por sidoqoftë janë zgjidhje e përkohshme dhe jo përfundimtare e këtij problemi. Kjo çështje do të duhej të përfshihej në Rregulloren e re të Punës së Kuvendit të Kosovës, miratimi i së cilës veçse është në procedurë të shqyrtimit. Një ndër praktikat që ka rezultuar më e suksesshme në adresimin e problemit të mungesës së deputetëve është penalizimi i deputetëve të papërgjegjshëm, të cilët mungojnë pa arsye në mbledhjet e Kuvendit”, vlerëson ai për “Bota sot”.

Por, Cakolli vlerëson se ndalja e mëditjeve nuk mjafton, mirëpo duhet të ketë dhe gjoba financiare për mospjesëmarrje të deputetëve, duke thënë se vetëm në këtë mënyrë ata do të ishin më të përgjegjshëm karshi postit që kanë.

“Pra, nuk duhet kufizuar vetëm në ndalimin e mëditjeve, por deputetët duhet të gjobiten financiarisht për mospjesëmarrje. Një nga modelet që mund të merren si bazë për zgjidhjen e këtij problemi, është ai i Parlamentit të Gjeorgjisë, deputetët e së cilit penalizohen me 10% të pagës së tyre mujore për çdo mungesë të paarsyetuar në seanca plenare. Nëse deputeti në fjalë mungon tre herë radhazi brenda muajit, ai gjobitet me 50% të pagës. Vlerësoj se vetëm në këtë mënyrë do të detyroheshin deputetët që të jenë më të përgjegjshëm karshi mandatit të marrë nga qytetarët për përfaqësimin e tyre”, ka deklaruar Eugen Cakolli nga KDI.

Image
Haki Abazi

Abazi: E pamoralshme dhe jo profesionale që deputetët të paguhen pa bërë punë

Ndërsa, njohësi i çështjeve politike në vend, Haki Abazi, vlerëson se është gjë e shenjtë të jesh përfaqësues i popullit, por që sipas tij, është e pamoralshme dhe jo profesionale që të të paguhen pa bërë punë.

“Nëse nuk je aty, nuk paguhesh, aq.  Nuk ka gjë më të shenjtë se me qenë përfaqësues i qytetarëve në institucionin më të lartë kushtetues të Republikës dhe me marrë pagesa pa bërë punë. Këtë gjë e bën veç tipi i Ganimete Musliu. Me marrë pagesa pa bërë punë, është e pamoralshme, jo etike dhe jo profesionale”, është shprehur Abazi për gazetën “Bota sot”.

Lepaja: Mungesat e deputetëve të sanksionohen, nuk janë ata për të bllokuar procese

Në anë tjetër, njohësi i çështjeve politike në vend, Fadil Lepaja, mendon se pagesat dhe mëditjet do të duhej të rregulloheshin me rregullore të Kuvendit dhe çdo mungesë e deputetëve do të duhej të sanksionohej.

Image
Fadil Lepaja

“Besoj se në rregulloren e Kuvendit me automatizëm do të duhej të ishte e rregulluar pagesa e mëditjeve sipas pjesëmarrjes së deputetëve në seanca dhe në komisione. (Mos)pjesëmarrja në punën e Kuvendit, nuk duhet të trajtohet si instrument i ligjshëm politik dhe çdo mungesë, e pa arsyeshme do të duhej, për bindjen time të sanksionohej dhe të hetohej edhe në mëditje”, vlerëson ai.

Sipas Lepajës, deputetët si të zgjedhur të popullit duhet të marrin pjesë në mbledhje dhe seanca të Kuvendit, pasi nuk aty për të bllokuar procese.

“Deputetët nuk paguhen për të pamundësuar kuorumin, as për të bllokuar proceset, përkundrazi, ata duhet të marrin pjesë në mbledhjet e kuvendit dhe të votojnë sipas ndërgjegjes së tyre, duke përfaqësuar denjësisht zgjedhësit e vet, për çka mund të gjykojnë dhe vlerësojnë vetëm zgjedhësit, në zgjedhjet e ardhshme, pra asnjë presion apo korruptim në këtë drejtim nuk është i lejueshëm, por nuk duhet lejuar as mospjesëmarrja, si formë e (mos)veprimit politik”, ka deklaruar Fadil Lepaja për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat