Tërheqja e Ramës, Shahu: Taksa rëndon bizneset e Kosovës, kjo është arsye pse Rama e vendosi atë

Politika

Tërheqja e Ramës, Shahu: Taksa rëndon bizneset e Kosovës, kjo është arsye pse Rama e vendosi atë

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 5 prill 2018 Në ora: 21:37
Rruga e Kombit

Vënia e taksës nga Institucionet e Shqipërisë për të gjithë ata që kalojnë Rrugën e Kombit. prej pesë euro një drejtim me vetë, ndërsa 10 euro për automjete të rënda, ngjalli reagime të shumta.

Reagime të shumta pati nga Kosova e Shqipëria, sidomos nga opozita e Shqipërisë.

Për ta kundërshtuar këtë, qytetarë nga Shqipëria organizuan protesta të shtunën, ku u lënduan protestues e policë dhe u arrestuan disa protestues.

E pas gjithë kësaj, në debatin në Kuvendin e Shqipërisë të mbajtur sot, Kryeministri Edi Rama kërkoi edhe njëherë ndjesë në lidhje me tarifën që është vendosur në rrugën e Kombit.

Sipas tij kjo është një çështje që nuk ishte për të sjellë këtë situatë, por qeveria nuk ka pasur intuitën e duhur për të kuptuar perceptimin e banorëve.

Ai tha se qeveria është në punë për të zgjidhur problemin që është krijuar dhe nuk do ndalet duke u kërkuar ndjesë banorëve.

Numri i një i qeverisë  në fjalën e tij tha se nuk do të futet pagesa e rrugës për banorët, nëse nuk do të gjendet një zgjidhje optimale për të gjithë.

“Pa dashur  të justifikohem u kam kërkuar ndjesë publike banorëve dhe do u kërkoj sërish sa herë që të flasë për këtë temë, por jemi nisur nga praktika ndërkombëtare. Duke qenë një eksperiencë ë parë nuk kemi qenë të përgatitur se çfarë do të sillte  një risi e tillë. Nuk do të fusim pagesën nëse nuk sqarojmë asnjë banorë dhe derisa që të jemi të qartë me atë që do bëjmë. Do të arrijmë besoj që ta lehtësojmë barrën e tyre në mënyrë të ndjeshme dhe ta bëjmë të funksionojë sistemin. E rëndësishme është që ata të na kuptojnë ne se nuk ekziston në këtë botë, një udhëheqës apo një kryeministër apo përfaqësues i zgjedhur i popullit që të vendosë pagesa me dëshirë, apo nga qejfi i vet, që të vendosë detyrime që nuk janë të domosdoshme”, tha Rama.

E për këtë vendim të kryeministrit Rama, publicisti Rexhep Shahu, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se Edi Rama e ka kundërshtuar që kur ndërtohej Rruga e Kombit dhe edhe pse u tërhoq nga taksa për kuksianët, ai i la në burg 11 djem të Kukësit.

Image
Rexhep Shahu

“Rrugën e Kombit Edi Rama e ka quajtur "Rruga drejt asgjëkundit", kur ajo rrugë ndërtohej dhe ai e kundërshtonte ndërtimin e saj edhe në Prishtinë. Ai u tërhoq duke kërkuar ndjesë kuksianëve ndonëse 11 djem të Kukësit i la në burg dhe nuk e kuptojmë çfarë ndjese kërkohet kur ia mbanë peng djemtë Kukësit”, është shprehur ai,

Sipas Shahut, Rama e takson atë rrugë për Kosovën, që do të jetë përgjithmonë dhe se 70 për qind të veturave vijnë nga Kosova.

“Rama do ta taksojë atë rrugë që është rrugë strategjie kombëtare, që i shërben bashkimit të kombit. 70 për qind e mjeteve që lëvizin në atë rrugë janë mjete të Kosovës e 30 për qind janë mjete të Shqipërisë. Pra Rama në fakt i vendos taksë Kosovës se Kosova do ta ndjejë më shumë, kuksianët do t’i lehtësojë por Kosova do të jetë gjithmonë e taksuar”, vlerëson Shahu.

Ai thotë se kjo taksë që është kundër bizneseve të Kosovës do ta rëndojë biznesin e Kosovës dhe kjo taksë nga Rama është që t’i sigurojë koncensionarëve superfitime nesër kur rruga e kombit të përdoret edhe nga Serbia e vende të tjera.

“Taksa kundër Kosovës është taksë kundër biznesit të Kosovës kryesisht dhe kjo taksë do ta rëndojë biznesin e Kosovës i cili mund të drejtohet jo më nga Shqipëria e Italia, por mund të kërkojë tregje të tjera. Edi Rama do ta japë rrugën me koncension për 31 vjet. Qe t’i sigurojë koncensionarëve superfitime nesër kur rruga e kombit të përdoret edhe nga Serbia e vende të tjera. Rama do ta mashtrojë popullsinë lokale, do ta favorizojë popullsinë lokale por do ta mbajë taksën për makinat e Kosovës”, ka përfunduar Rexhep Shahu për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat