“Aleanca ruso- turke në kurriz të Kosovës”

Politika

“Aleanca ruso- turke në kurriz të Kosovës”

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 31 mars 2018 Në ora: 23:01
Erdogan- Putin

Java që tashmë kaloi do të mbahet mend për qytetarët e Kosovës, jo vetëm për arrestimin e Shefit të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në Serbi, Marko Gjuriq, por edhe për arrestimin e gjashtë gylenistëve të cilët u deportuan në Turqi.

Si për rastin e Gjurqit, ashtu edhe për arrestimin e shtetasve turq, tek institucionet qendrore është vërejtur një “moskoordinim”.

Kryeministri Ramush Haradinaj, pas arrestimit dhe lirimit të Marko Gjurqi, fillimisht nuk ishte deklaruar fare, por pastaj ka thënë se ka qenë në çdo moment në dijeni për procesin e arrestimit.

Ndërkaq, mos informim Kryeministri ka pasur për rastin e arrestimit të shtetasve turq.

Haradinaj ka thënë se ai nuk ka qenë fare i informuar për veprimet e institucioneve të sigurisë për aksionin e dëbimit.

Reagime të mënjëhershme për arrestimin dhe lirimin e Gjuriqit, kishin pasur Presidenti Thaçi dhe kryeparlamentari Veseli.

Thaçi kishte kërkuar mature të qytetarëve pas arrestimit, ndërkaq Veseli kishte shkruar se shteti i Kosovës ka zbatuar ligjet e veta dhe ka ushtruar sovranitetin e plotë.

Ndërsa, deportimi i shtetasve turq është gabim nga ana e Kosovës, sipas Veselit dhe një gjë e tillë nuk do të përsëritet.

Kurse, Presidenti e ka dënuar këtë veprim duke shprehur zhgënjim për institucionet të cilat kanë dështuar të mbrojnë parimet që ndërlidhen me të drejtat njerëzore të shtetasve të huaj, që jetojnë dhe punojnë në Kosovë.

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Anton Berisha, të dyja ngjarjet i paraqet si skenare të rrezikshme për Kosovën.

Image
Anton Berisha

Berisha në një prononcim për “Bota sot” ka thënë se Kosova ka hyrë në fazën e qartëzimit dhe të ndarjes së rrugëve me perëndimin.

“Kriza me rastin Gjuriq dhe arrestimi i gjashtë shtetasve turq, është e ndërlidhur dhe paraqet skenar të rrezikshëm për Republikën e Kosovës.  Tash kemi hyrë në fazën e qartësimit dhe të ndarjes se rrugëve, kush është me perëndimin dhe kush është në funksion të aleancës ruso-turke. Kriza diplomatike ndërmjet perëndimit e Rusisë, për fat të keq, është duke u shpërfaqur edhe në kurrizin tonë”, ka deklaruar Berisha.

Arrestimi dhe lirimi i Marko Gjurq, ka qenë arsyeja e largimit të partisë Lista serbe nga koalicioni i qeverisë, ndërkaq si pasojë e arrestimit dhe deportimit të shtetasve turq, është shkarkuar Ministri i Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj dhe kryeshefi i AKI-së, Driton Gashi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat