LDK-ja është në pozitë ideale për të shkuar në zgjedhje

Politika

LDK-ja është në pozitë ideale për të shkuar në zgjedhje

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 23 mars 2018 Në ora: 18:09
Ilustrim

Politologu Gurakuq Kuqi ka thënë për “Bota sot” se LDK-ja është në pozitë ideale për të shkruar në zgjedhje, pasi që Lëvizja Vetëvendosje është përçarë dhe se koalicioni qeverisës është në pikën më të ulët të famës.

Image
Gurakuq Kuqi

“LDK-ja tani është në pozitën ideale për të shkuar në zgjedhje, koalicioni qeverisës është në pikën më të ulët të famës, Lëvizja Vetëvendosje është e ndarë dhe e dëmtuar shumë, dhe e vetmja parti që paraqet një seriozitet politik për momentin është LDK-ja. Andaj, edhe kërkojnë zgjedhje sa më shpejtë që të mos i japin kohë të konsolidohet LVV-ja dhe PDK-ja, ku kjo e fundit edhe përkundër ndarjes së LVV-së nuk po arrin të konsolidohet me autoritetin e Kadri Veselit dhe të përfitoj nga momenti”, ka deklaruar ai për “Bota sot”.

Po ashtu, ai ka thënë se opozita çdo herë insiston për zgjedhje e sidomos kur është në pozicione të favorshme, por që LDK-ja nuk ka përkrahje as nga opozita tjetër për rrëzimin e qeverisë.

“Ndërsa argumente kundër qeverisë nuk po mbledh vetëm LDK-ja por edhe PDK-ja por kjo e fundit nuk ka mundësi të bëjë hapa të tillë për momentin pasi e di që nuk do dalë e para, gjithnjë duke vlerësuar rrethanat e tanishme. Por muajt në vazhdim mund të na sjellin befasi, si Gjykata Speciale, kalimi i asociacionit, dialogu me Serbinë, dhe një opinion që do i rritet zhgënjimi, për shkak të mos realizimit të pritjeve nga kalimi i demarkacionit. LDK-ja ka të drejtë të kërkojë zgjedhje, por prapë edhe nëse shkon në zgjedhje, për koalicion do t’i ketë të njëjtit, me gjasë prapë PDK-në, dhe jemi vetëm duke u sjellat në një cikël politikanësh të pa gatishmëri të tejkalojnë interesat personale dhe partiake për interesa shtetërore, pasi edhe mendësia e tyre politike nuk shtrihet më gjerë”, ka shpjeguar Kuqi për “Bota sot”.

Në fund, ai ka thënë se duhet një ndryshim i vazhdueshëm politikanësh për mendësi të re, gjë që nuk mund të ndodh brenda autoritetit real që ushtron një klasë oligarkike në Kosovë, me ligje demokratike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat