Kelmendi: Të nisin hetimet ndaj atyre që falen tokën e Kosovës

Politika

Kelmendi: Të nisin hetimet ndaj atyre që falen tokën e Kosovës

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 22 mars 2018 Në ora: 23:50
Pamje nga seanca ku u ratifikua Demarkacioni me Malin e Zi

Anëtari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe profesori i çështjeve juridike Muhamet Kelmendi, ka komentuar zhvillimet e djeshme në Kuvendin e Kosovës, ku u votua Marrëveshja e Demarkacionit me Malin e Zi.

Kuvendi arriti të kalonte këtë Marrëveshje, vetëm pasi u nxorën nga salla deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët hodhën katër herë gaz lotsjellës në sallë, duke pamundësuar vazhdimin e seancës.

E sipas profesorit Kelmendi, miratimi i Demarkacionit dhe hedhja e gazit lotsjellës në Kuvend, janë të lidhura njëra me tjetrën.

Ai ka theksuar në një prononcim për gazetën “Bota sot”, se hedhja e gazit është e ndaluar me ligj, mirëpo ka thënë se edhe dhënia e tokës është e ndaluar.

Image
Muhamet Kelmendi

Sipas tij, për dhënien e territorit, dënimet mund të jenë deri me burg të përjetshëm.

“Janë dy çështje të lidhura njëra me tjetrën. Nuk mund të ndahen ato. Natyrisht se veprimet me gaz, janë të ndaluar me ligj. Por edhe miratimi i Marrëveshjes për vijën kufitare, duke dhënë tokë, është e ndaluar. Madje, kjo e fundit, ka bazë të rëndë penale dhe dënimet janë deri me burg të përjetshëm. Pra, kemi nga të dy anët, vepra të ndaluara dhe të dënuara me ligj”, është shprehur Kelmendi.

Ai më tej ka thënë se masën e dënimit juridikisht duhet ta caktojë gjykata dhe se duhet të japen hetimet, duke filluar nga niveli më i lartë i shtetit, për dhënien e tokës.

“Çështja shkon shumë thellë, që para vitit 2015, atëherë kur u bë Komisioni Meha dhe u nënshkrua marrëveshja. Këtu kemi vepra të ndaluara në vazhdimësi. Ato janë bërë nga pozita dhe opozita. Po masën e dënimit juridikisht duhet ta caktojë gjykata. Po ajo nuk funksionon e pavarur. Ne kemi prokurori politike, polici politike dhe gjykata politike. Përndryshe, duhet të hapen hetimet, duke filluar nga niveli më i lartë i shtetit”, ka shtuar për “Bota sot”, Muhamet Kelmendi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat