Demarkacioni, derë e vogël drejt liberalizimit!

Politika

Demarkacioni, derë e vogël drejt liberalizimit!

Arben Sylejmani Nga Arben Sylejmani Më 22 mars 2018 Në ora: 23:02
Foto ilustrim

Kosova për më shumë se 3 vite ishte e ngujuar rreth një procesi, i cili ishte shumë specifik madje edhe i padrejtë për shkak se u përdor si kusht për liberalizimin e vizave.

Ishte specifik për shkak se për asnjë vend tjetër të Evropës nuk u caktua një kusht i natyrës së tillë. Kjo e bënte të padrejtë për shkak të asaj se BE-ja ka liberalizuar vizat edhe për shtetin e Maqedonisë e ndonëse këta të fundit nuk i kanë krejtësisht të rregulluar kufijtë shtetëror.

Por ditën e 21 marsit të vitit 2018 pas shumë tentativave të dështuara Kuvendi arriti që me shumë vështirësi dhe nën gazin e deputetëve të VV-së ta votoj me 80 vota pro marrëveshjen e demarkimit të kufirit me Malin e Zi. Njëri prej kushteve kryesore të ashtuquajtura nga BE-ja u plotësua.

Por, shqiptarët e Kosovës duhet që t’i bëjnë pyetje vetës se a e siguron lëvizjen e lirë vetëm kalimi i demarkacionit. Sigurisht, që demarkacioni ishte një derë por kjo derë është shumë e vogël krahas dyerve të cilat duhet të hapen në mënyrë që Kosova të përfitoj liberalizimin e vizave.

Zyrtarët e BE-së, në shumë takime kanë potencuar faktin se Kosovën e pret një rrugë e gjatë në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Niveli i korrupsionit është shqetësues për evropianët. Kurse neglizhenca e pushteteve ndaj kësaj dukurie është akoma më shqetësuese sepse për shumë vite kanë dështuar ta luftojnë e ndoshta edhe për shkak të faktit që kanë qenë vetë të infiltruar në këto procese.

Lënda të shumta nëpër gjykatat e Kosovës e dëshmojnë se zyrtarë të ndryshëm të pushteteve kanë qenë të akuzuar e shumë prej tyre edhe të dënuar për afera korruptive. Këto ngjarje kanë krijuar një situatë kur BE-ja e ka vendosur edhe si kusht kryesor për liberalizimin e vizave, luftën kundër krimit dhe korrupsionit.

Kjo sfidë për institucionet e Kosovës do të jetë përballja me shumë miq e familjarë të tyre. Kjo është dera e madhe nëpër të cilën duhet të kalojë Kosova në mënyrë që ta siguroj lëvizjen e lirë për qytetarët e saj.

Por nëse shohim të kaluarën atëherë duhet të jemi shumë skeptik rreth asaj se Kosova do t’i luftoj ato dy dukuri të cilat kanë dëmtuar shtetin e Kosovës për shume vite.

Realisht lufta kundër krimit dhe korrupsionit duhej të ishte që nga fillimi arsyeja kryesore për liberalizimin. Kjo do të ishte edhe një kërkese normale nga BE-ja pasi që ky kusht iu është dhënë edhe shumë shteteve tjera të rajonit.

Javët dhe muajt në vazhdim do të dëshmojnë se sa është Kosova e gatshme apo më konkretisht sa janë serioze institucionet e vendit në qasjen e tyre sa i përket luftimit të krimit dhe korrupsionit. Kosova ka nevojë për një kast politike e cila do e ka vullnetin që t’i dërgojë deri në fund proceset dhe aferat e ndryshme të cilat kanë të bëjnë edhe me vet gjyqësorin. Kosovën e pret një rrugë e gjatë dhe e vështirë deri në momentin e heqjes së vizave. Pushtetarët po i gënjejnë qytetarët e Kosovës, kinse liberalizimi është kryer por në fakt ne kemi kaluar vetëm një pengesë e cila na ka marrë shumë vite, një pengesë siç ishte demarkacioni.

Andaj, shpresojmë që pengesa e radhës nuk do ta ketë fatin e demarkacionit, pasi që edhe 3 vite izolim do të ishin tepër regres për shtetin e Kosovës dhe qytetarët e saj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat