Gjermania parandaloi planet ogurzeza të Thaçit dhe Vuçiqit për ndarjen e Kosovës

Politika

Gjermania parandaloi planet ogurzeza të Thaçit dhe Vuçiqit për ndarjen e Kosovës

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 22 mars 2018 Në ora: 16:31
Hashim Thaçi dhe Aleksander Vuçiq

“Mendoj se do të ishte element që i jep mundësi jo vetëm shkëmbimit por edhe revidimit të territoreve. Pra, në aspektin kombëtar kjo gjë është më tepër se vetëvrasje, ndërsa në aspektin e gjeopolitik do të provokonim një reaksion zinxhirë që sigurisht do të përfundonte me luftë. Pra kuzhina e tillë e ka shërbyesin më permanent Presidentin e vendit, i cili pa përtesë vihet në shërbim të këtyre qarqeve si deri më tash”, është shprehur deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku.

Gazeta e përditshme “Der Standard”, ditë më parë ka shkruar rreth bisedimeve për ndarjen e Kosovës duke vënë në theks se ideja për shkëmbimin e territoreve vazhdon të sillet vërdallë.

Madje, sipas kësaj gazete austriake,  kjo çështje është vendosur si mundësi edhe ndërmjet Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe Presidentit serb Aleksander Vuçiq, por që Gjermania ka ndërhyrë duke e parandaluar atë.

Po ashtu sipas kësaj gazete, gjermanët kanë parandaluar ndarjen e Kosovës, të cilën e kanë favorizuar serbët si dhe pala e Kosovës për shkak të lodhjes me çështjen e veriut të Kosovës. Kjo, sipas diplomatëve, edhe ka bërë që të ndërhyjë Berlini.

Në lidhje me këtë Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e VV-së, Drita Millaku, ka thënë se shkëmbimi i territoreve është kërkesë e Serbisë dhe interes ekskluziv Serbo-Rus për arsye se kjo situatë më vonë do të mund të përdorej si kusht në raport me Republika Serbska në Bosnje, për ndarjen e Bosnjës.

Image
Drita Millaku

Millaku: Në aspektin kombëtar kjo gjë është më tepër se vetëvrasje

Sipas deputetes Millaku, kjo nuk do të ishte pozitive për shqiptarët dhe përkundrazi do të tregonte jo seriozitetin tonë për të ruajtur tërësinë territoriale.

“Mendoj se do të ishte element që i jep mundësi jo vetëm shkëmbimit por edhe revidimit të territoreve. Pra, në aspektin kombëtar kjo gjë është më tepër se vetëvrasje, ndërsa në aspektin e gjeopolitik do të provokonim një reaksion zinxhirë që sigurisht do të përfundonte me luftë. Pra kuzhina e tillë e ka shërbyesin më permanent Presidentin e vendit, i cili pa përtesë vihet në shërbim të këtyre qarqeve si deri më tash”, është shprehur deputetja Millaku.

Ndërsa, njohësi i çështjeve politike dhe juridike Blerim Burjani, ka deklaruar se është analizuar dhe diskutuar ky opsion i shkëmbimit të territoreve shpesh, madje sipas tij është përmendur edhe pse është mbetur i pa përkrahur nga shtetet dhe Bashkësia Ndërkombëtare.

Image
Blerim Burjani

Burjani: Diçka e çuditshme po ndodh në këtë dialog

Sipas tij, sado që Serbia ka pasur dhe ka kërkesa edhe plotësisht ekstreme në këtë drejtim, pala e Kosovës, nuk ka pranuar publikisht asnjëherë se do të pranonte një opsion të tillë.

“Ky opsion duket të jetë i pa pëlqyeshëm dhe kuptohet është në kundërshtim të plotë me ligjet ndërkombëtare prej shek. XIX nuk ka pas shtete që kanë shkëmbyer territore, andaj vlerësohet të jetë e dëmshme dhe e pa pranueshme. Diçka e çuditshme po ndodh në këtë dialog, sepse aspak nuk kanë rëndësi ekspertët e fushave në këtë dialog. Thjeshtë për momentin Kosova nuk ka asnjë ekspert në këto negociata, që të merr pjesë në këto gënjeshtra të qeverisë ani pse po thuhet se po zhvillohet një dialog mes eksperteve”, ka thënë Burjani.

Sipas tij, në Kosovë fatkeqësisht ka analfabet të shumtë si në politikë ashtu edhe në marrëdhënie ndërkombëtare.

“Në këtë dialog nuk kanë haber thuajse asnjeri duke filluar prej koordinatorit që nuk ka fare dijeni për këtë çështje e deri tek liderët politik. Andaj, Kosova është një defanzivë katastrofale në raport me palën serbe që është plotësisht më ndryshe,” ka thënë Burjani.

Një veprim i tillë do të ishte tradhti sipas kushtetutës  

Ndërsa, njohësi i çështjeve politike Ismet Haziri, ka thënë Kosova është në një proces të bisedimeve me Serbinë dhe Bashkësia Ndërkombëtare dhe në veçanti sponzoruesit e shtetësisë së Kosovës e kanë idenë e epilogut përfundimtar të bisedimit dhe natyrën e marrëveshjes.

Image
Ismet Haziri

Ai ka thënë se në këtë pikë po punohet natyrshëm, duke zbatuar regjionin e tyre në Bruksel rreth pjekurisë së kushteve dhe përgatitjen e politikës dhe të popullit për të pranuar marrëveshjet që tanimë i kanë në sirtarët e tyre në Bruksel.

“Sa i përket idesë se shkëmbimit të territoreve, dihet mirë se mund ta bëjnë vetëm dy shtete që janë me njohje reciproke. Në kontekst të këtij fakti, ideja e shkëmbimit të territorit është e pamundur ngase Serbia nuk e ka njohur Kosovën, që domethënë kjo ide është edhe e pa pranueshme si nga aspekti kushtetues i Republikës së Kosovës, por edhe nga vet sovrani. Në një farë forme për këtë çështje apo për  këtë akt, autoritet nuk ka as vet Presidenti dhe askush, por nëse dikush apo Presidenti e ndërmerr këtë veprim drejt “jo shkëmbimit”, por vetëm të bisedimeve, atëherë sipas kushtetutës ky veprim është një tradhti, ngase këtu nuk do të ketë shkëmbim, por ndarje, që do të thotë domosdoshmërish një lufte e re”, ka thënë Haziri.

Sipas tij, hapësirat mediale sot janë të mëdha dhe spekulimet si nga brenda ashtu edhe nga jashtë, janë çdo herë prezentë për ti dhënë variantet tyre.  

“Në këtë pikë  mendojë se ka edhe spekulime, por edhe si ide nëse është do ta kundërshtoja sepse shteti serb është në favore të shumta të zbatueshmërisë, duke sjellë Kosovën në inferioritet total, politik, diplomatik dhe ushtarak. Dhe pikërisht për këtë dua tua rikujtojë qëndrimin e ‘Grupit të kontaktit’ më 2005, që Kosovën do ta ruajnë me këtë tërësi, pa ndarje dhe pa bashkim” ka thënë njohësi i çështjeve politike Ismet Haziri.

Haziri: SHBA dhe Gjermania do t`i kundërshtojnë planet ogurzeza të Thacit

Opinionisti Nexhat Haziri, ka thënë se ideja për ndarjen e Kosovës është ide që i ka përcjellë raportet shqiptaro-serbe që nga vitet '90, e deri më sot.

Image
Nexhat Haziri

Sipas tij, kjo ide është lansuar dhe mbrojtur nga pala serbe, gjoja si zgjidhje e drejtë dhe e vetme e çështjes së Kosovës ndarja e saj në atë shqiptare dhe serbe.

“Par fat të keq, sot kjo ide ka gjetur mbështetës edhe tek pala shqiptare, që po ashtu për fat të keq bashkëbisedues për këtë çështje është njëra nga figurat më kontroversë të skenës politike në Kosovë siç është Hashim Thaçi. Dhe bisedimet nuk janë edhe pa rrezik, pasi  Hashim Thaçi nuk e ka hallin se si mund të përfundojë çështja e Kosovës në raport me Serbinë. Sepse Thaçit i intereson mbyllja e këtij kapitulli dhe bashkë me të edhe pjesa e errët e tij në gjithë këtë proces të historisë së re të Kosovës. Por shpresa është të partnerët ndërkombëtar të Kosovës, në Gjermaninë dhe të SHBA-së të cilat do ti kundërshtojnë planet ogurzeza të Thaçit. Andaj Kosovës dhe të ardhmes së saj ndarja e Kosovës jo vetëm që krijon probleme zinxhirore në Ballkan, por është edhe kundër luftës dhe përpjekjes së popullit të Kosovës për liri, demokraci dhe shtet të pavarur që fatmirësisht u arrit falë mbështetjes së partnerëve ndërkombëtar”, ka thënë opinionisti Haziri.

Ndryshe zyra për informim e Presidencës së Kosovës, nuk është përgjigjur në pyetjen e gazetës lidhur me shkrimin e Der Standard.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat