Si po shkel Haradinaj mbi djersën e qytetarëve, duke shpenzuar rezervat shtetërore

Politika

Si po shkel Haradinaj mbi djersën e qytetarëve, duke shpenzuar rezervat shtetërore

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 20 mars 2018 Në ora: 14:07
Ramush Haradinaj

Paratë emergjente të Kosovës, të cilat shërbejnë për destinacione tjera bazuar në ligjin për rezervat shtetërore, janë duke u shpenzuar pa asnjë dhimbje për solemnitete të ndryshme nga Qeveria Haradinaj.

Në këtë mënyrë, paratë rezervë po shpenzohen në destinacion të kundërt me ligjin.

Duke folur rreth kësaj çështjeje, analisti politik Hidajet Ahmeti ka thënë për “Bota sot” se Qeveria e Republikës së Kosovës saktësisht i pari i Qeverisë, Haradinaj është përgjegjës për menaxhimin e parasë publike dhe shpenzimin e saj në mënyrë sa më racionale.

Ai ka thënë se çdo tentim për keqpërdorim të parasë publike është shkelje mbi djersën e qytetarëve, të cilët në një formë apo tjetër janë kontribut dhënësit e mbushjes së arkës së shtetit.

Image
Hidajet Ahmeti

“Kodi buxhetor i cili është i destinuar për çështje të caktuar e në këtë rast kodi buxhetor, i cili është i bazuar në Ligjin për rezervat shtetërore nuk duhet t’i ndërrohet  destinacioni, pasi që rreziku nga fatkeqësitë,  potencialisht është në çdo moment edhe duke parë konfiguracionin gjeografik të Kosovës, por mbi të gjitha duhet të kemi rezerva për raste emergjente të cilat janë të paparashikueshme”, ka thënë Ahmeti.

Sipas tij, hipotetikisht, nëse ndodh që Kosova të ballafaqohet me fatkeqësi natyrore apo ndonjë rast tjetër emergjent, institucionet përgjegjëse do të mbesin kokën kthyer nga shtetet mike për të kërkuar ndihmën e jo të tregojnë fuqinë e shtetit të Kosovës.

“Ky veprim i Qeverisë Haradinaj është i pamatur, i pa analizuar, joserioz e aq më pak i sinqertë karshi qytetarëve të Kosovës.  Çdo shpenzim i parasë publike duhet të jetë në harmoni me nevojat e qytetarëve e jo të shpenzohet në disproporcion me nevojat, e duke u mbyllur në raport me publikun. Për çdo veprim politik e jo në harmoni me nevojat qytetare duhet të mbaj përgjegjësi morale, institucionale e politike Qeveria Haradinaj, e posaçërisht i pari i kësaj qeverie Ramush Haradinaj”, ka thënë analisti politik Ahmeti.

Qeveria e Kosovës, ka shpenzuar gati gjysmën e rezervave shtetërore vetëm për tre muajit e parë të këtij viti. Për shpenzimin e këtyre mjeteve shqetësim ka ngritur edhe ministri i Financave, Bedri Hamza duke thënë se “ rezervat janë duke shkuar kah fundi”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat