Lirimi i “Dajës”, dhe kapja e shtetit nga shokët e Azem Sylës!

Politika

Lirimi i “Dajës”, dhe kapja e shtetit nga shokët e Azem Sylës!

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 20 mars 2018 Në ora: 12:11
Azem Syla

“Edhe akuzat, të cilat e kanë ngarkuar me keqpërdorimin e shumë milionave, si krim të organizyar lidhur me stërshitjen e tokave, na lënë të kuptojmë se këtë vepër nuk ka mundur ta kryejë gjithkush, pa qenë i fuqishëm dhe i lidhur me shumë struktura shtetërore. Në këto kohëra, kur shteti është i kapur për fyti nga këta që e udhëheqin shtetin, e që janë shokë të AzemSylës, u dëshmua sikur që u pa, se në seancën e parë të gjyqit vendor, AzemSyla u lirua nga burgu. Është e qartë se me këto struktura udhëheqëse të këtij shtetit, nuk ka shpresë se Kosova do të pastrohet nga krimi i organizuar. Edhe ndërkombëtarët qe sa kohë po kërkojnë që të luftohet krimi i organizuar si kushti i fundit për liberalizimin e vizave”, është shprehur më tej Hajrullah Tërnava.

Gjykatës Themelore në Prishtinë, i kanë mjaftuar vetëm 20 ditëpas marrjes së lëndës nga misioni EULEX,  për të liruar nga masa e paraburgimit Azem Sylën, i cili akuzohet në rastin e njohur si “Toka”.

Gjykata ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë për zgjatjen e masës së paraburgimit ndaj AzemSylës, duke e liruar atë që të mbrohet në liri.

Por, sipas njohësve të çështjeve juridike, sistemi i drejtësisë në Kosovë, është kapur nga politika. Sipas tyre, edhe Policia e Kosovës, është e kontrolluar dhe e dirigjuar nga politika.

Kelmendi: Prokuroria, gjyqësori dhe Policia, të dirigjuara nga pushteti

Duke folur në një prononcim për gazetën “Bota sot”, profesori Muhamet Kelmendi, ka thënë se përpos gjyqësorit dhe prokurorisë, të kapura nga politika, janë edhe Policia e Kosovës dhe institucionet tjera shtetërore.

Ai ka thënë se po vazhdohet praktika e ndjekur nga sistemi i ish-Jugosllavisë, përmes shantazhit dhe lidhjeve të ndryshme mes drejtësisë dhe politikës.

Image
Muhamet Kelmendi

“Ka kohë që e kemi përcaktuar dhe unë për vete kam thënë qëështë një sistem i varur, i kontrolluar dhe i dirigjuarnga pushteti shtetëror. Të kapura janë jo vetëm sistemi i drejtësisë në këtë rast Prokuroria dhe gjyqësori, por të kapura janë edhe Policia e Kosovës dhe institucionet tjera. Kjo ka ardhur përmes faktit se gati të gjithë njerëzit që janë në udhëheqjen e këtyre institucioneve, që në kohën e UNMIK-ut, kanë qenë të kapur nga sistemi i vjetër i ish-Jugosllavisë nga persona të cilët, kanë qenë tëshantazhuar dhe të dëgjueshëm për shkak të kaluarës së tyre shumë të errët apo të rrezikshme dhe lidhjeve të ndryshme që kanë pasur nësystem. Kjo ka vazhduar me EULEX-in qëi ka vendosur prokurorët dhe gjyqtarët dhe pastaj ka vazhduar me pushtetin shterëror të Kosovës dhe sot po vërtetohet se po veprohet kryesisht në bazë të një sistemi të tillë”, është shprehur Kelmendi.

Ai ka theksuar se edhe lirimi i menjëhershëm iAzemSylës nga gjykatat vendore, lë të kuptohet se është vepruar në bazë të këtij sistemi.

“Shembull adekuat i kësaj natyre, është lirimi i menjëhershëm iAzemSylës, edhe pse ndoshta ka fakte për të mbrojtur lirinë e tij, sepse nuk e kemi lëndën që të konstatojmë raste të tilla, por nëse marrim parasysh faktin se deri dje lënda ka qenë në EULEX dhe sot ai është liruar nga gjykatat e vendit, lënë të kuptohet se kjo është e dyshimtë, sikur në rastin që e përmenda edhe më herët”, ka thënë profesori Muhamet Kelmendi.

Procedura gjyqësore ndaj Azem Sylës mund të zgjaste deri në 7 vjet

Edhe sipas njohësit të çështjeve juridike Blerim Burjani, vendimi i Gjykatës dëshmon se drejtësia në Kosovë mbetet e kapur nga politika. Madje ai ka thënë në një prononcim për gazetën “Bota sot”, se nuk ka shpresë për ndryshime, derisa ka përmendur se në Kosovë, asnjë zyrtar i lartë i shtetit, nuk është dënuar ende me aktgjykim të formës së prerë.

Image
Blerim Burjani

“Çështja e rendit dhe ligjit dhe funksionimit të drejtësisë, është temë e cila nuk do të ketë efikasitet dhe as ndëshkim për asnjë njeri që merret me politikë. Kjo drejtësi mbetet e kapur dhe e pa shpresë për ndryshim, përderisa kjo klasë politike vazhdon të qeverisë me shtetin. Pra, deri më tani, asnjë zyrtar i lartë i shtetit, nuk është dënuar me aktgjykim të formës së prerë. Ky është fund. Nuk ka drejtësi dhe as procedurë normale gjyqësore e as vendim meritor gjyqësor. Pra, nuk pres fare efikasitet”, është shprehur Burjani.

Ai ka thënë se në raste si ky e Sylës, procedura gjyqësore ka mundur të zgjaste deri në 7 vjet.

“Në suaza të tilla, ku njerëzit shpallen të pafajshëm, mund të shkonte deri në 7 vjet procedurë, por këtu nuk ka send. Pra, këta njerëz duhet të padisin gjyqësorin, sepse këto janë shkelje të të drejtave të njeriut. Nuk mbahen njerëzit kot dhe në fund të lirohen.

Tërnava: S’ka pastrim të Kosovës, pa u futur në burg shokët e Azem Sylës

Ndërsa, eksperti i sigurisë,Hajrullah Tërnava, ka thënëse institucionet e Kosovës, nuk e kanë forcën për të dënuar të akuzuar si Azem Syla. Sipas tij, tani qartë shihet se kush i ka krijuar institucionet e Kosovës.

“Me skadimin e afatit të EULEX-it, lëndët e pakryera deri më tani iu dorëzohen institucioneve të Kosovës. Edhe atë ditë në rastin e hetimeve të lëndës “Toka”, ku si i dyshuar në procesin e hetimeve ishte AzemSyla, e për këtë lëndë u dha komunikata se ndërpriten hetimet e deritanishme dhe lënda kalon në kompetencë të institucioneve juridike të Kosovës. Në ato momente, mbretëroi një gëzim dhe aplaudimi të dyshuarve, sepse me këtë rast u nënkuptua se institucionet e Kosovës, nuk e kanë forcën për të dënuar këta të akuzuar, në këtë rast AzemSylën. Si të mos gëzoheshin, kur deri tani ishin të akuzuar nga një institucion ndërkombëtar, e tani kompetenca e gjykimit po u ipet vendorëve. Tani qartë dihet se kush i ka krijuar këto institucione të Kosovës, prandaj, pse mos me u gëzua këta që deri tani ishin si dyshuar”, ka thënëTërnava.

Më tej, eksperti i sigurisë ka thënë se akuzat të cilat e kanë ngarkuar Sylën, ka lënë të kuptohet se kjo vepër nuk është mundur të kryhej pa qenë i fuqishëm dhe i lidhur me struktura shtetërore.

Image
Hajrullah Tërnava

Ai ka thënë se shteti i Kosovës, është “kapur për fyti” nga shokët e AzemSylës, duke theksuar se nuk ka shpresë që Kosova të pastrohet nga krimi i organizuar.

“Edhe akuzat, të cilat e kanë ngarkuar me keqpërdorimin e shumë milionave, si krim të organizyar lidhur me stërshitjen e tokave, na lënë të kuptojmë se këtë vepër nuk ka mundur ta kryejë gjithkush, pa qenë i fuqishëm dhe i lidhur me shumë struktura shtetërore. Në këto kohëra, kur shteti është i kapur për fyti nga këta që e udhëheqin shtetin, e që janë shokë të AzemSylës, u dëshmua sikur që u pa, se në seancën e parë të gjyqit vendor, AzemSyla u lirua nga burgu. Është e qartë se me këto struktura udhëheqëse të këtij shtetit, nuk ka shpresë se Kosova do të pastrohet nga krimi i organizuar. Edhe ndërkombëtarët qe sa kohë po kërkojnë që të luftohet krimi i organizuar si kushti i fundit për liberalizimin e vizave”, është shprehur më tej HajrullahTërnava.

Ai ka shtuar se nuk ka luftim të krimit të organizuar në vend, derisa të mos ndërrohet në tërësi struktura udhëheqëse e shtetit.

“Pa u ndërruar në tërësi kjo strukturë udhëheqëse e këtij shteti, nuk ka luftim të krimit të organizuar, sepse çdo luftim ndaj krimit të organizuar, vet të mëdhenjtë e këtij shteti do të gjenden prapa grilave të burgjeve. Prandak, pa ndërrime thelbësore të institucioneve të drejtësisë, e që nuk iu japin llogari sikur tani të mëdhenjëve, por i kryejnë punët e tyre pavarësisht asaj se kush i ka kryer ato veora, nuk mund të flitet për një drejtësi të vërtetë dhe jo si këto të deritanishmet që janë në shërbim të mëdhenjëve të shtetit”, ka përfunduar për gazetën “Bota sot”, eksperti Tërnava.

Ndryshe, Syla akuzohet për vepra penale duke përfshirë Krim të organizuar; Pastrim i parave; Marrje të mitos; Mashtrim i rëndë; Mashtrim në detyrë; Nxjerrje të vendimeve gjyqësore të kundërligjshme; Keqpërdorim i pozitës zyrtare; Legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar dhe Evazion fiskal".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat