Gashi hedhë dyshimet: Prokurori Schwendiman mund të jetë shkarkuar nga Administrata Amerikane

Politika

Gashi hedhë dyshimet: Prokurori Schwendiman mund të jetë shkarkuar nga Administrata Amerikane

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 19 mars 2018 Në ora: 07:55
Tomë Gashi

Avokati Tomë Gashi, dyshon se Prokurori i Dhomave të Specializuara të Gjykatës Speciale, David Schwendiman është shkarkuar nga administrata amerikane për shkak të mos ngritjes së akuzave deri më tani. Në një intervistë për Gazetën “Bota sot”, Gashi thotë se ka humbur edhe më shumë besueshmëria e qytetareve të Kosovës, në Gjykatën Speciale, pas dorëheqjes se papritur të kryeprokurorit amerikan David Schwendiman, i cili në fund të këtij muaji do të largohet nga ai post. Gashi në këtë intervistë flet edhe për sistemin e drejtësisë në Kosovë, duke konsideruar se drejtësia në Kosovë është shpeshherë një padrejtësi e madhe.

“Bota sot”: Na thuaj për lexuesit e “ Botës sot”  se kush është Tomë Gashi ndjenja e të qenurit avokat, në një shoqëri me plot diversitetet, skandale dhe paradokse?

Tomë Gashi: Sa i përket meje nuk ka qenë dhe nuk është punë e vështirë për të qenë avokat në shoqërinë e vendit me plot diversitetet, skandale dhe paradokse, ngase unë më parë kam qenë gjyqtar për pese vite, dhe para kësaj kam punuar në Prokurorinë e Qarkut në Prishtinë për 3 vite. Këto punë në Gjyqësor dhe në Prokurori i kam kryer deri në vitin 1992, deri kur pushteti i atëhershëm i Serbisë na ka larguar nga puna, sikurse edhe të gjithë shqiptarë tjerë.

Të qenurit avokat është një përzierje në mes të artistit dhe juristit, gjithmonë në favor të klientëve të cilët mbrohen apo përfaqësohen.

Puna ime është shumë interesantë ngase asnjë çështje nuk është e njëjtë të gjitha i kanë specifikat e veta dhe nuk është fare vështirë që të mbrohen të akuzuarit, por çështja më vështirë dhe më e ndjeshme është që të mbrohen apo përfaqësohen viktimat.

Për këtë arsyeje unë në karrierën time, rasti me të cilën krenohem është përfaqësimi i viktimave të Reçakut kundër policisë serbe.

Unë kam qenë pjesë e avokatëve mbrojtës në Tribunalin e Hagës për ish Jugosllavinë për 12 vite, kam qenë pjesë e ekipit mbrojtës në rastin e Ramush Haradinaj, në rastin e Fatmir Limaj, kam qenë avokat i shumë komandantëve-Elitë të UÇK-së, kam qenë avokat në shumë raste të profileve të larta duke mbrojtur ministra dhe kryeministra edhe komandant, por edhe kriminel ordiner, por rasti më i madh dhe më i rëndësishme për mua ka qenë gjithsesi përfaqësimi i viktimave të Reçakut.

“Bota sot”: Pas akreditimit të avokatëve për Gjykatën Speciale, kur mendoni se mund të ngritën aktakuzat e para? 

Tomë Gashi: Unë personalisht nuk kam aplikuar ende që të akreditohem apo që të jem pjesë e avokatëve në Gjykatën Speciale dhe fillimisht duhet të kem klient “ të akredituar” në Gjykatë Speciale, i  cili do të ketë mundësi financiare që ti përballojë shpenzimet e mbrojtjes së tij dhe pastaj fare lehtë do të regjistrohem-akreditohem në Gjykatë Speciale, sepse avokatët mund të regjistrohen në çfarëdo kohë deri sa Gjykata Speciale të ekzistoje.

Unë punoj me dy avokat amerikan Gregor Guy Smith dhe Colleen Rohan, dhe për shkak të përvojë sonë gjatë mbrojtës së klientëve në Tirbunalin e Hagës, ne nuk jemi të interesuar që të humbim vite të tëra në Hagë duke ofruar shërbime juridike për të akuzuarit të cilët nuk kanë mundësi që të na paguajnë në bazë të punës dhe shkathtësive tona.

Ka kaluar koha kur për “para të vogla” mbrohen persona për krime të mëdha!

“Bota sot”: ka muaj që flitet për fillimin e punës në Gjykatën Speciale por ende asnjë rast specifik, si e komentoni këtë?

Tomë Gashi: Gjykata Speciale mjerisht e themeluar nga deputet të Kuvendit të Kosovës është themeluar në gusht të vitit 2015, funksionalë është që nga qershori i vitit 2017, dhe deri më tani nuk kemi asnjë aktakuzë të ngritur edhe pse shumica e hetimeve në raste të caktuar kanë përfunduar dhe mos ngritja e aktakuzave ka bërë që qytetarët e Kosovës të humbin besimin në këtë Gjykatë posaçërisht familjarët e viktimave të vrasjeve politike të pasluftës në Kosovë të cilët shpresojnë se kjo Gjykatë do ti dënoj vrasësit e të afërmve të tyre. Situata edhe me tepër është komplikuar dhe është humbur edhe me shumë besueshmëria e qytetareve të Kosovës, pas dorëheqjes se papritur te kryeprokurorit amerikan David Schwendiman, i cili në fund të këtij muaji do të largohet nga ai post.

Mbetet në sferën e spekulimeve, se a është shkarkuar ky prokuror nga administrata amerikane bash për këto vonesa, d.m.th. për shkak të mos ngritjes së akuzave deri më tani.

Sigurisht që me fillimin e punës së Gjykatës Speciale dhe posaçërisht nëse akuzohen zyrtare të lartë të shtetit apo të partive të caktuara politike mund të kemi edhe ndryshime politike në vend por në asnjë mënyrë nuk do të ketë trazira në Kosovë dhe këtë me drejtpërdrejtë e ka thënë edhe vetë Komandanti i KFOR-it para disa javëve në një intervistë të tij.

“Bota sot”: Na thuaj diçka për gjithë ato insinuatë që u bënë për specialen, nga kush rrjedhën dhe si e sheh veprimin e Speciales? A do ti hap rrugë funksionimit të drejtësisë në Kosovë apo është vetëm një konsum ndërkombëtar për të balancuar veprimet në këtë fushë për ish Jugosllavi?

Tomë Gashi: Sa i përket Gjykatës Speciale, mund të themi se është një Gjykatë panevojshme por tani është punë e kryer kjo është një Gjykatë ndërkombëtare gjykatë një-etnike apo raciste sepse aty do ti akuzojë dhe do ti gjykojë vetëm shqiptarët. Dhe në një luftë ku kanë qenë të përfshirë së paku dy palë, shqiptarët duke mbrojtur vendin nga agresori serb, në këtë Gjykatë do të akuzohen vetëm viktimat-në shqiptarët edhe vet dhuratë e kemi nga mbi 80 deputetë të Kuvendit të Kosovës, të cilët me votat e tyre e themeluan këtë Gjykatë kundër vetvetes dhe kundër shtetit të Kosovës e të cilët nëse akuzohen nga kjo Gjykate nuk kanë të drejtë ta quajnë politike sepse vet e kanë votuar.

Është paksa e çuditshme se si një pjesë e sponsorëve të Gjykatës Speciale tentuan që ta shërbejnë-parandalojnë punën e kësaj Gjykate me 22 dhjetor 2017, dhe që çuditërisht i ndërruan shumë shpejt tri pozicione. Në fillim, ishin për Gjykatën Speciale duke pretenduar në mënyrë ironike se kjo Gjykate do ta pastrojë luftën e UÇK-së pastaj u bënë bashkë kundër kësaj Gjykate dhe lehtësisht u dorëzuan pas 22 dhjetorit të vitit 2017 dhe tani deklarohen se nuk mund ta ndalin punën e Gjykatës Speciale dhe thonë se këto ndryshime të ëndërrimeve të tyre nuk kanë të bëjnë me çështje personale të tyre.

“Bota sot”: A do të jeni ju të përfshirë në mbrojtjen e të akuzuarve nga Gjykata Speciale?

Tomë Gashi: Siç deklarova më lartë, nëse do të kemi klientë, që kanë mundësi që të na angazhojë së bashku me dy avokatet amerikan me të cilët punojmë bashkë sigurisht që po vetëm se unë nuk jam e sigurt se a do të pranojë që ta mbroj dikën në Gjykatën Speciale pa ekipin tim.

“Bota sot”: Si është drejtësia në Kosovë sipas këndvështrimit tuaj?

Tomë Gashi: Drejtësia në Kosovë është shpeshherë një padrejtësi e madhe, ashtu siç i ashtuquajturi Pallat i Drejtësisë shpeshherë mund të quhet Pallati i padrejtësisë më të madhe që bëhet në Republikën e Kosovës.

Drejtësia në Kosovë shpeshherë është e manipuluar, posaçërisht në raste ku ka ndikime politike të çfarëdo lloji drejtësia haptazi shndërrohet në të kundërtën e saj dhe këtë më së miri e dinë ata të cilët e përjetojnë në mënyrë direkt por edhe populli i Kosovës është thuajse krejtësisht i njoftuar për nivelin skandaloz të drejtësisë që e kemi sigurisht që jo në të gjitha rastet, por në shumicën e rasteve ku ka ndikime politike.

“Bota sot”: Sa jemi të pranueshëm për demokracitë perëndimore me një drejtësi të brishtë dhe të kapur në Kosovë?

Tomë Gashi: Bota e civilizuar ka shkuar shumë larg, ndërsa ne kemi mbetur shumë prapa në çdo sferë dhe posaçërisht kjo vërehet në sferën e sundimit të ligjit, i cili është bazament i shtetit, i cili aq shumë kërkohet dhe theksohet nga demokracitë perëndimore, saqë imponimi i sundimit të ligjit dhe luftimi i krimit të organizuar është kushti kryesor për liberalizim të vizave e jo siç po pretendohet kinse kushti kryesor është demarkacioni me Malin e Zi.

Se kjo është e vërtetë mund të vërtetohet edhe me rastin e secilit shtet që i janë hequr vizat ku janë edhe shtete të BE-së, p.sh Sllovenia dhe Kroacia, të cilat ende nuk kanë ratifikuar demarkacionin e kufijve në mes vetë dhe përveç që nuk kanë viza janë pjesë e shteteve të Bashkimit Evropian.

Demarkacionin si kusht për heqjen e vizave si dhe humbjen e mbi 8.200 ha të territorit të vogël të Republikës së Kosovës e kemi “dhuratë” nga Presidenti i Republikës së Kosovës Hashim Thaçi, i cili në vitin 2015 në Vjenë nënshkroi një marrëveshje të tillë me Malin e Zi, me pasoja katastrofale dhe të përjetshme për Kosovën dhe territorin e saj. Kosova definitivisht nuk ka tokë që të jap për heqjen e vizave.

“Bota sot”: Avokati është gjithnjë në arenë dhe sfidë me prokurorët, si është gjendja e Prokurorisë në Kosovë? A është e ndikuar?

Tomë Gashi: Gjendja e Prokurorisë si dhe e Gjykatave në Kosovë mund të themi se është e ndikuar në shumicën e rasteve të profilit të lartë, por për të qenë korrekt ka edhe shumë Prokurorë dhe Gjyqtar që kanë shkathtësi tepër të mira dhe janë në nivelin e të gjithë Prokurorëve të huaj që i kemi pasur në Kosovë që nga paslufta, bile një pjesë e tyre janë shumë më të mirë se ata.

“Bota sot”: A ke ndonjë rast në mbrojtje që të ka zhgënjyer dhe ndonjë rast që ke hyrë pa gjasa në mbrojtje dhe ke triumfuar në fund?

Tomë Gashi: Nga shumë raste që unë kam mbrojtur dhe kam përfaqësuar një prej rasteve më të rënda dhe padrejtësia më madhe që është bërë është rasti kundër Gjeneral Syejman Selimit, rasti i ashtuquajtur “Grupi i Drenicës”, ku padrejtësisht Sylejman Selimi është dënuar pas asnjë provë, vetëm duke u bazuar ne dëshminë e një të sëmuri psikik Sylejman Selimi është dënuar vetëm pse ka luftuar për çlirimin e Kosovës dhe “faji” i tij i vetëm ka qenë që ai ka luftuar dhe ka mbetur gjallë. Këtë disa shqiptare nuk kanë mund të ja falin duke dëshmuar rrejshëm kundër tij dhe EULEX-i nuk ka mundur ta përballojë madhështinë e tij.

“Bota sot”: A mendon se të qenurit Avokat në një shoqëri ku politika është e kriminalizuar dhe ku korrupsioni është kaq i madh është privilegj ngase herdo kurdo drejtësia i sanksionon veprimet dhe fitimet e paligjshme, kurse ata që fitojnë shumë dhe paguajnë shumë për mbrojtje?

Tomë Gashi: Sigurisht që në shoqërinë e Kosovës pjesërisht të kriminalizuar dhe gjithmonë politikisht të ndikuar mund të jesh avokat i pavarur vetëm nëse nuk e ngatërron profesionin me bindje politike, gjithsesi secili klient në bazë të mundësive dhe aftësive të veta thuajse gjithmonë e gjënë avokatin adekuat për vet. Unë nuk kam qenë dhe nuk e konsiderojë vetën person publik që ka ndikim në shoqërinë e vendit por nganjëherë në raste të caktuar klientët më kanë bërë të tillë ashtu siç jam dhe kjo për mua është okej, ngase përputhet me personalitetin dhe temperamentin tim.

“Bota sot”: Në vitet e fundit në një farë forme ke qenë avokat edhe në fushën politike për VV, dhe meqë tani po e shohim shpërbërjen e këtij subjekti politik,  na thuaj se çka ndodhi, u prishën mes veti apo i prishi dikush kaq shpejtë?

Tomë Gashi: Lëvizja Vetëvendosje nuk është shpërberë, dhe kjo nuk do të ndodhë kurrë, derisa interesat e shqiptarëve të Kosovës janë në përputhje me programin politik të Lëvizjes Vetëvendosje!  Dhe derisa Vetëvendosja i mbron interesat e popullit të Kosovës, kjo Lëvizje do të mbetët zëri i arsyeje dhe shpresa e popullit të Kosovës për një të ardhme më të mirë në përputhje me të gjitha standardet ndërkombëtare të një shteti normal dhe me një prej qëllimeve të Bashkimit të Kosovës me Shqipërinë. Ata që janë larguar nga Lëvizja Vetëvendosje sigurisht që i kanë arsyeje e tyre, por përveç dy tre prej tyre, po të mos ishin në Lëvizjen Vetëvendosje nuk besoj që do të ishin Deputetë të Republikës së Kosovës dhe besoj që emrat e tyre nuk do të ishin aq të njohur siç ka qenë derisa kanë qenë në Vetëvendosje!

Unë besoj qe Albin Kurti është mendimtar dhe politikani më i zgjuar i Kosovës, i cili e sheh te ardhmen e Kosovës, derisa një pjese e politikaneve te tjerë as që e kuptojnë trurin brilant të tij, dhe kjo pjese e politikanëve as që kanë guxim që të mundohen që ta deshifrojnë largpamësinë e tij, sepse nuk janë as pak afër mendjes së tij.

“Bota sot”: Rasti “Toka” kalojë tek drejtësia vendore. Si e cilësoni veprimin e gjyqtarit Kalludra? A mendoni se drejtësia në Kosovë nuk ka kapacitetet për tu marr me “ peshqit e mëdhenj”, ngase kemi pasur edhe raste tjera ku është dëshmuar brishtësi e dobësi në drejtësi?

Tomë Gashi: Sa i përket rastit “Toka” unë jam avokat në atë rast dhe besoj që vetëm emri i ish klientit tim, Azem Syla, e ka bërë këtë çështje të nivelit të lartë sepse pa të ky do të ishte një rast me të cilin fare lehtë që nga fillimi do të merreshin Prokuror dhe Gjyqtar vendorë.

Çështja është shumë e thjeshtë fajësia apo pafajësia mund të vërtetohet vetëm me dokumente posaçërisht me ato kadastrale dhe nuk ka shumë vështirësi për ta vërtetuar këtë kështu që krejtësisht ka qenë e panevojshme ndihma e Ramush Haradinajt për Azem Sylën nga foltorja e Kuvendit të Kosovës, sepse është konsideruar si ndërhyrje në punën e Gjykatës.

“Bota sot”: Në fund a ke ndonjë porosi shpresëdhënës për drejtësinë në Kosovë, apo çka po i mungon drejtësisë? A do merresh me ketë veprimtari apo ka gjasa që të kalosh në politikë, meqë thuhet se politika është biznes i mirë?

Tomë Gashi: Unë do të vazhdoj të jem avokat edhe më tutje dhe nëse vijë momenti që të hyj në politik unë sigurisht që do jam me Lëvizjen Vetëvendosje! ngase ajo që kjo Lëvizje përfaqëson dhe pretendon është në përputhje të plotë me mendimet dhe pretendimet e mija për të ardhmen e shqiptarëve në përgjithësi dhe të Kosovës në veçanti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat