Po, hetimit të SHIK-ut

Politika

Po, hetimit të SHIK-ut

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 18 mars 2018 Në ora: 22:28
Foto ilustrim

Dhomat e Specializuara të Kosovës publikuan Listat e Mbrojtësve për përfaqësimin e të dyshuarve, të akuzuarve dhe viktimave, ose të cilitdo personi tjetër që gëzon të drejtën e përfaqësimit juridik, në përputhje me Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Direktivën për Mbrojtësit.

Janë akredituar 40 avokatë derisa pritet që në vazhdim të akreditohen edhe të tjerë.

Juristët konsiderojnë, se Gjykata Speciale është vonuar shumë në ngritjen e aktakuzave.

Mos ngritja e aktakuzave, ka lënë hapësirë për spekulime e dyshime të shumta për atë se kush do të jenë të akuzuarit.

Akreditimi i avokatëve nënkupton se ngritja e aktakuzave nuk është larg. Edhe iniciuesit e shfuqizimit të Speciales tashmë kanë rënë në heshtje. Duket se e kanë kuptuar: Me apo pa dëshirën e tyre, të akuzuarit do të jenë në bankën e të akuzuarve. Çdo gjë është e gatshme për nisjen e akuzave të shumëpritura, derisa iniciativa për shfuqizimin e Speciales, u konsiderua si më e rrezikshmja për shtet ndërtimin e Kosovës.

Është e rëndësishme që ky proces të mbarojë sa më shpejt, për t`i lënë hapësirë çështjeve të tjera të rëndësishme për shtetin. Çdo vonesë, shkon në dëm të Kosovës dhe qytetarëve të saj, pasi është thënë se Gjykata Speciale do të pastrojë edhe skenën e politike në vend.

Lëvizja Vetëvendosje, ka nisur edhe zyrtarisht mbledhjen e nënshkrimeve për hetimin e ish Organizatës, Shërbimi Informativ i Kosovës. Në dhjetëvjetorin e mbylljes së këtij institucioni, Vetëvendosje po e kërkon me të drejtë hetimin. Iniciativa duhet të marr mbështetjen e të gjithëve, pasi SHIK-u akuzohet për veprimtari ilegale madje edhe kriminale.

Për paanshmëri dhe objektivitet të hetimeve, me SHIK-un do të duhej të merrej edhe Gjykata Speciale.

Familjarët e personaliteteve të vrara pas luftës për motive politike, kanë akuzuar shpesh SHIK-un për vrasjet. Për këtë arsye, do të ishte e udhës që vet Gjykata Speciale të merrej me hetimin e veprimtarisë së kësaj organizate, për të cilën ka dyshime të bazuara se nuk i ka sjellë ndonjë të mirë vendit.

Do të ishte gjëja më e duhur për ta pastruar luftën e shenjt të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në këtë mënyrë do të hetoheshin individët dhe do të dihej gjithçka mbi krimet e pasluftës në Kosovë.

Krimet e supozuara të luftës do të hetohen gjithsesi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat