Në Maqedoni pritet me padurim fillimi i zbatimit të ligjit për gjuhët

Politika

Në Maqedoni pritet me padurim fillimi i zbatimit të ligjit për gjuhët

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 18 mars 2018 Në ora: 18:15
Talat Xhaferi dhe Nikolla Gruevski

Miratimi i Ligji për përdorimin e gjuhëve në Kuvendin e Maqedonisë nuk ka kaluar pa tensione, pasi që ish kryeministri i këtij vendi, Nikolla Gruevski u “përkujdes” që të krijojë atmosferë të tensionuar.

Gruevski u ballafaqua edhe me kryetarin e Parlamentit, Talat Xhaferin, ndaj të cilit ka tentuar edhe ta ndalojë hedhjen në votim, duke tentuar që të konfrontohet fizikisht më të.

Por, pas këtyre tensioneve të krijuara në Kuvendin e Maqedonisë është arritur që me 64 vota “për”, pa asnjë “kundër” të miratohet Ligji për përdorimin e gjuhëve. Pjesë e këtij votimi ishin edhe deputetët e komuniteteve të pakicës me 24 vota.

Deputeti i Bashkimit Demokratik për Integrim, Artan Grubi për “Bota sot”, ka thënë se me votimin e këtij ligji është arritur që të rrumbullakësohet pjesa normative e Marrëveshjes së Ohrit.

“Me votimin e suksesshëm të Ligjit për gjuhën shqipe në leximin e tretë dhe përfundimtar u arrit rrumbullakësimi i pjesës normative të Marrëveshjes së Ohrit”, ka thënë ai.

Image
Artan Grubi

Grubi: Tash mbetet zbatimi

Për më tepër, ai ka thënë se votimi i këtij ligji është një hap i jashtëzakonshëm për të gjithë qytetarët, ndërsa meritat ia atributon atyre që luftuan për lirinë dhe se pret zbatimin e këtij ligji.

“Ky hap i jashtëzakonshëm është arritje e madhe jo vetëm për shqiptarët, por për të gjithë qytetarët, ndërsa merita me e madhe ju takon atyre që nuk janë më, dëshmorëve të lirisë dhe barazisë, UÇK-së, por edhe të të gjithë kontribuuesve ndër dekada. Tash mbetet zbatimi”, ka deklaruar Grubi për “Bota sot”.

Kurse, sjelljen e opozitës e ka quajtur patetike, por për të ka rëndësi që nuk u arritë të pengohet miratimi i ligjit.

 “Hapat e opozitës ishin për çdo keqardhje dhe patetike, por me rëndësi, nuk arritën ta pengojnë miratimin e ligjit”, ka potencuar Grubi.

Image
Nijazi Muhamedi

Muhamedi i pakënaqur me ligjin

Ndërsa, analisti i njohur shqiptar nga Maqedonia, Nijazi Muhamedi ka thënë se  miratimi i këtij ligji është poshtërimi i avancuar i gjuhës shqipe, pasi që nuk është njohur nga kushtetuta e këtij vendi.

Po ashtu, ai ka thënë se me këtë miratim të këtij ligji shqiptarët e pranojnë statusin e tyre si minoritete në takën e tyre.

“Ky ligj që u miratua është një poshtërim i "avancuar" i dinjitetit të gjuhës shqipe dhe i shqiptarëve që e flasin gjuhën shqipe, të mosnjohur nga MO dhe në Kushtetutën e Maqedonisë me emërtimin e vet dhe  këtë, sociolinguistët dhe ekspertët e tjerë të glotopolitikës e quajnë edhe mosnjohje në kushtetutë edhe e popullit që e flet atë gjuhë, po shqiptaret trupërisht nuk shqetësohen nga kjo mosnjohje që ia bën një popull i paqenë në gjeografi dhe në histori. Njato "përshëndetje dhe urime” nëpër media që "poshtërimin e avancuar" duan ta tellallisin si “fitore historike” janë furtunë gënjeshtrash dhe mashtrimesh që të mos kuptohet manipulimi politik që DUI dhe partitë e tjera shqipfolëse e votuan këtë "poshtnim të avansuar " e dërgon si sinjal gjoja se shqiptarët, duke festuar përdorimin "publik", e jo zyrtar, të gjuhës së "minoritare" e "ri konfirmojnë" edhe njëherë se gjoja pranojnë statusin e tyre prej minoritari në tokën e vet dhe lejojnë ngritjen dhe legjitimimin "demokratik" të shtetit puro etnik(nacional) të maqedonasve?!”, ka deklaruar ai.

Gjithashtu, ai ka shtuar se është mohuar vet-mohuar legjitimitetin e shqipes  për të qenë bashkë zyrtare me maqedonishten me vleftësi të njëjtë juridike-kushtetuese dhe se me këtë i është bërë shërbim antishqiptar.

“Po, sa të bjerë e fashit "furtuna" mashtrimtare, nuk do të vonojë të dalë në shesh e vërteta e hidhur, edhe atë në rrafsh gjithë shqiptarë, se me zbritjen e statusit politiko-kushtetues të shqipes nga gjuha e dytë bashkë zyrtare me maqedonishten në statusin antikushtetues të saj një nga gjuhet minoritare, pazarxhinjtë e pacipë të dinjitetit të saj, kanë hequr kryenishanin e autoktonisë së shqiptarëve në Maqedoni dhe kanë vet-mohuar legjitimitetin e shqipes  për të qenë bashkë zyrtare me maqedonishten me vleftësi të njëjtë juridike-kushtetuese, legjitimitet që i buron nga autoktonia e saj në territorin e vet, që përbënë principin themelor kur definohet statusi bashkë-zyrtar i dy apo më tepër gjuhëve. Me këtë i është bërë shërbim antishqiptar projektit linguistik pansllav maqedono-serbo-bullgar ne territorialitetin gjuhësor shqiptar që do të reflektohet edhe në "tapitë gjuhësore-territoriale" të këtyre shteteve dhe të Kosovës në OKB”, ka theksuar Muhamedi për “Bota sot”.

Më tutje, ai ka thënë se ky ligj është shkruar nga ekspertët maqedonas të VMRO-s dhe të LSDM-së, e jo shqiptarët dhe se do të do pësojë gjymtime të tjera.

“Kjo do të shkaktojë edhe implikime të mbrapshta jo vetëm simbolike edhe në integritetin jo vetëm territorial të kombit dhe të shtet-kombit shqiptar, në qoftë se nuk pengohet montimi i pjesës tjetër u këtij projekti që bën përpjekje të montohet përmes gjoja "zgjidhjes “së kontestit të emrit të Maqedonisë..!!! Edhe implementimi, pasi është në duart e "eksperteve" maqedonas të zgjedhur nga DUI dhe të paguar me donacionin e UE për implementimin e këtij "ligjposhtnimi" do të pësojë gjymtime të tjera, ndërsa edhe tekstin e këtij ligji e janë shkruar germë për germë "ekspertët maqedonas të VMRO-s dhe të LSDM-së, e jo shqiptarët, ndërsa "lejimin" e tij "si projekt "partiako-shqiptar"(!!!)  e ka bërë një bashkëvendës i Ali Ahmetit, u cili tash për këtë "meritë" zuri vend në Gjykatën Kushtetuese”, ka thënë Muhamedi për “Bota sot”.

Muhamedi: Respekt për këtë gjest të Xhaferit

Ndërsa, për veprimet e Gruevskit karshi kryeparlamentarit Xhaferi, Muhamedi ka thënë se synonte shkaktimin e një tollovie ndëretnike në Kuvend, por kryekuvendari i ka evituar me gjakftohtësi dinjitoze.

“Ajo që synoi Nikolla Gruevski të bëjë për të shkaktuar një tollovi ndëretnike në Parlament, për të shtyrë mosnënshtrimin e ligjit nga ana e kryetarit, u evitua me gjakftohtësi dinjitoze nga Talat Xhaferi, ndaj të cilit gjithherë kam patur konsiderata të veçanta si për aftësitë dhe denjësinë e tij për të qenë në këtë post, si për guximin dinjitoz. Respekt për këtë gjest të tij, që po e çmojnë edhe gjithë ata që e panë atë skenë të qëndrimit të tij dinjitoz”, ka deklaruar Muhamedi për “Bota sot” .

Image
Xhenur Iseni

Ndërsa, politologu Xhenur Iseni ka thënë për “Bota sot” se po të ishte ende në pushtet  Gruevski do të ishim dëshmitarë të episodit të dytë të 27 prillit dhe se më këtë veprim partia e tij  ka dëshmuar edhe njëherë shovinizmin ndaj shqiptarëve.

“Mund lirisht të them se nëse ende do të kishte qenë në pushtet Nikolla Gruevski atë ditë në kuvendin e Republikës së Maqedonisë do të ishim dëshmitarë të episodit të dytë të 27 prillit. Me këtë veprim VMRO edhe njëherë dëshmoi se në këtë parti mbisundon mendësia tribaliste dhe shovinizmi ndaj kërkesave të shqiptarëve”, ka potencuar ai.

Ndërsa, sa i përket ligjit, Iseni ka deklaruar se gjuha shqipe nuk është bërë zyrtare në këtë shtet, por vetëm në disa institucione është avancuar.

 “Të jemi të qartë që edhe përskaj votimit të së mërkurës, gjuha shqipe vetëm se është avancuar në disa institucione, por nuk është zyrtarizuar në nivel republikan. Mos të ekzagjeroj, por gjuha shqipe u betonua si gjuhë e rendit të dytë në Maqedoni, sikur siç ka qenë deri më tani. Por, prapë se prapë shqiptarët iu kanë gëzuar këtij avancimi të paktë të gjuhës shqipe me shpresë që shumë shpejt gjuha shqipe të jetë e barabartë në të gjitha nivelet me gjuhën maqedonase”, ka përfunduar Iseni për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat