Kuvendi jo funksional!

Politika

Kuvendi jo funksional!

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 18 mars 2018 Në ora: 10:38
Kuvendi i Kosovës

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka kërkuar shpërbërjen legjislaturës aktuale të kuvendit.

Kjo kërkesë e tij ka ardhur, pasi që deputetët nuk po marrin pjesë në votim, edhe pse janë në sallë, për të votuar rekomandimet lidhur me vendimin e Qeverisë për rritjen e pagave

“Duhet të procedojmë me shpërbërjen e kuvendit, nëse vazhdohet kjo praktikë. Po shihet që koalicioni qeverisës nuk i ka numrat, prandaj këtu shihet se nuk mund të votohet asgjë tjetër. Nëse vazhdoni me këtë praktikë nuk do të marrim në asnjë votim”,- kishte thënë paralajmëruar Hoti.

Deputetë e analist politik, kanë thënë për “Bota sot” se shpërbërja e Kuvendit është një zgjidhje e mirë, pasi që qeveria aktuale nuk po ka sukses në zgjidhjen e çështjeve të caktuara.

Nisma kundër Hotit

Image
Albulena Balaj

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e NISMA-së, Albulena Balaj,  e pyetur nga “Bota sot” rreth deklaratave të Hotit, ka thënë se grupi parlamentar i LDK-së dhe opozita në përgjithësi, nuk kanë punë tjetër për të bërë.

“Shefi i grupi parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, dhe opozita e Kuvendit në përgjithësi, nuk kanë punë tjetër për të bërë, përveçse të lëshojnë deklarata të tilla. Qe besa edhe kur kanë qenë në pozitë, nuk kanë bërë ndonjë punë tjetër”,  u shpreh Balaj për “Bota sot”.

Zgjedhjet stagnim

Image
Leon Duhanaj

Ndërsa analisti politik, Leon Duhanaj, thotë për “Bota sot”, se duhet të analizohet në thellësi se pse Kuvendi nuk po arrin të jetë funksional.

“Kuvendi, mbi të gjitha e ka për detyrë me qenë funksional. Nëse nuk ka gjasa të qëndrojë në këto suaza, atëherë më mirë është të shuhet. Por, për ta bërë një hap të tillë, kërkohet analizë. Çfarë e bën kuvendin jo-funksional? Janë numrat? Apo është papërgjegjësia politike karshi vendit dhe qytetarëve? Dhe, çka do të prodhonte një shuarje e këtij kuvendi, përkatësisht shkuarja në zgjedhje të reja? Për mendimin tim, problemi qëndron tek papërgjegjësia e politikës karshi detyrimeve që ka. Si ka mundësi, që për asnjë temë, nuk mund të bëhen bashkë, apo të gjejnë konsensus politik”, deklaroi Duhanaj.

Ai shton tutje se puna në Kuvend u ngjason bandave të interesit, të cilat luftojnë pa kompromis për njëra-tjetrën.

“Kjo është e pamundur të ndodhë, por në një shoqëri politike e cila përgjegjësinë e vetë e barazvlerëson me zhvatje ndaj pasurisë së përgjithshme, përderisa puna në kuvend u ngjason bandave të interesit, të cilat luftojnë pa kompromis njëra tjetrën. Ne nuk do lëvizim para, përderisa nuk ulemi për të kërkuar zgjidhje për problemet. Thirrja për zgjedhje të reja për çdo kuartal, nuk sjellë zgjidhje për stagnim”,-tha Duhanaj.

Dështimi i qeverisë në temat e mëdha

Image
Faton Mehmeti

Ndërsa analisti politik, Faton Mehmeti, mendon se kjo qeveri nuk është e dobishme për shoqërinë, dhe se një Kuvend jo funksional nuk i duhet askujt.

“Nuk besoj se kjo qeveri ka një arsye të vetme të logjikshme dhe të dobishme për shoqërinë, që të qëndroj në pushtet, nëse nuk kalon çështjet për të cilat edhe erdhi në pushtet. S’ka sens, që kjo qeveri të vazhdon të qëndroj në pushtet kur nuk po kalon asnjë nga çështjet, në emër të së cilave erdhi në pushtet. Në një gjendje të tille, kur kuvendi s’ka korum dhe dështojnë seancat e një pas njëshme, është krejt legjitime te kërkohet shpërbërja e saj. Një kuvend jo funksional, nuk i duhet askujt, dhe për me tepër shkakton mungesë funksionimi të demokracisë. Në kohen kur vendi po pëson regres, e vetmja mënyrë për të ndalur është që kjo qeveri të shkoj ne shtëpi. Këta nuk dijnë te bëjnë shtet dhe rrjedhimisht vendi po e pëson”,-tha Mehmeti.

“Ai shton se LDK-ja dhe Vetëvendosja, duhet t’i bashkojnë idetë e tyre me qëllim që vendi të ketë një opozitë të fortë.

 Besoj se LDK por edhe VV duhet te sintetizojnë idetë e tyre, me qëllime që vendi te ketë një opozite të fortë dhe e cila mund të ndaloj ketë të keqe që kjo qeveri po ia imponon qytetarëve të vendit. Kosova nuk guxon ne asnjë mënyrë që të jetë viktime e një kryeministri të dështuar. Mendoj se Kuvendi duhet të shpërbëhet, nëse nuk arrin te jete funksional. Besoj se kërkesë e z.Hoti është krejt legjitime dhe e arsyeshme, karshi zhvillimeve aktuale që po ndodhin në vend”,-përfundoi Mehmeti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat