Profesori ndërkombëtar tregon cili është rreziku për Kosovën nëse Demarkacioni nuk kalon brenda 10 ditëve

Politika

Profesori ndërkombëtar tregon cili është rreziku për Kosovën nëse Demarkacioni nuk kalon brenda 10 ditëve

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 13 mars 2018 Në ora: 16:40
Kuvendi i Kosovës, foto arkvi

Mungesa e votave për ratifikimin e Demarkacionit me Malin e Zi duket se po pengon sjelljen e kësaj marrëveshje në Kuvend.

Kjo pikë u hoq nga rendi i ditës dhe ende nuk dihet se kur do të sillet.

Derisa VV vazhdon të jetë kundër që nga legjislatura e kaluar, nga Lista Serbe kanë thënë se kjo marrëveshje duhet të zgjidhet nga partitë politike shqiptare.

E lidhur me gjithë këtë, profesori i të drejtës ndërkombëtare dhe publicisti Enver Bytyçi thotë s kjo marrëveshje është bërë mollë sherri që prej 3 vitesh dhe ata që dikur ndiznin Kuvendin me gaz lotsjellës, tani janë në pushtet.

“Marrëveshja për shënimin e kufirit të Kosovës me Malin e Zi është një marrëveshje e ndërmjetësuar nga ndërkombëtarët dhe që nga ana tjetër dëshmon se procesi i shtetësisë vazhdon të jetësohet në vend. Kjo marrëveshje është shndërruar në mollë sherri prej gati tri vitesh, që prej ajo u nënshkruara në vitin 2015 nga ish-ministri i Jashtëm, tash presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Para më shumë se një viti parlamenti i Kosovës u ndez flakë prej bombave me lotsjellës, me qëllim që të mos lejohej miratimi i kësaj marrëveshjeje. Tani një pjesë e mirë e atyre që dogjën parlamentin për ta ndaluar këtë marrëveshje janë në pushtet dhe protagonist të ratifikimit të saj”, është shprehur Bytyçi për gazetën “Bota sot”.

Image
Prof.Dr.Asc. Enver Bytyçi

Sipas tij, duhen votat e VV-së apo të Listës Serbe, por kjo e fundit e bëjnë politikën e kulaçit, ndërsa VV ishin dhe janë kundër.

“Megjithatë, deri tani demarkacioni nuk po sillet në rend dite. Debatet janë të shumta, por shkaku themelor i mosparaqitjes është mungesa e votave për ratifikim. Mazhoranca nuk është solide dhe bashkë më deputetët e LDK-së nuk arrin numrin e nevojshëm të votave. Ndaj shumicës i duhen bashkuar deputetët e VV ose ata të Listës Srpska. Ka përpjekje të shumta që marrëveshjen ta votojnë deputetët serbë e të minoriteteve të tjera, sepse kjo shihet si tërheqje e këtyre deputetëve në njohjen e kufijve e për pasojë edhe të shtetësisë së Kosovës. Së paku formalisht. Por serbët bëjnë politikën e kulaçit, kërkojnë koncensione. Ndërkohë deputetët e Vetëvendosjes janë në pjesën më të madhe kundër marrëveshjes. Në këtë pozicion ishin kur hidhnin në sallën e parlamentit gaz lotsjellës dhe të tillë janë edhe sot”, vlerëson profesori.

Por, ai mendon se një pjesë e deput0etëve, ata që janë kundër Kurtit, do të votonin marrëveshjen por kanë frikë se akuzohen për bashkëpunim me PDK-në.

“Një pjesë e këtyre deputetëve, pra pjesa kundërshtare e politikave të Albin Kurtit, mund ta votonte demarkacionin. Por kanë frikë nga akuza e “bashkëpunimit me PDK-në”, akuzë e cila do të delegjitimonte në një farë mase kauzën e ndarjes nga Grupi Parlamentar i Vetëvendosjes. Në këto kushte ende nuk kemi një konsensus për të cilin veçmas flet rëndom Veseli, kryetar i Parlamentit të Kosovës”, është shprehur Bytyçi.

Profesori vlerëson se nëse marrëveshja nuk sillet, nuk ka si të votohet e nëse nuk sillet e votohet në Kuvend edhe dhjetë ditë, Kosova nuk do të ketë liberalizim për këtë vit.

“Sa kohë që kjo marrëveshje nuk sillet në parlament, aq kohë mungon konsensusi. Aq kohë deputetët e pakicave ose të VV-së nuk do të jenë të gatshëm që ta votojnë atë. Dhe sa kohë nuk do jetë arritur ky konsensus, aq kohë marrëveshja nuk do të sillet në parlament, sepse do të shpallej si përpjekje e dështuar. Nëse kalojnë dhe dhjetë ditë ose dy javë dhe marrëveshja nuk ratifikohet, atëherë liberalizimi i vizave nuk do të ndodhë për këtë vit. Kjo do ta vështirësojë edhe procesin e shtetësisë së Kosovës. Ndërkohë është në ndërgjegjen e deputetëve të Kosovës, nëse ata janë ose jo të vetëdijshëm për humbjen ose jo të territoreve, debat që zhvillohet prej kohësh në Kosovë. Por besoj se deputetët kundër të çdo kategorie më shumë refuzojnë të votohen për kredo e kapital politik, sesa sipas bindjes që ata kanë për humbjen ose jot ë territorit nga ana e Kosovës”, ka deklaruar profesori Enver Bytyçi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat