Dy rrugët e Qeverisë për zgjidhjen e problemit të Demarkacionit

Politika

Dy rrugët e Qeverisë për zgjidhjen e problemit të Demarkacionit

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 13 mars 2018 Në ora: 09:50
Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 13 mars 2018 Në ora: 09:50
Qeveria

Ndonëse, është paralajmëruar se seanca për miratimin e marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, do të mbahet brenda kësaj jave, përfaqësuesit politik në vend përkatësisht kryesia e Kuvendit të Kosovës, ende nuk ka marrë vendim për caktimin e saj.

Shkak për këto vonesa, është bërë kundërshtimi i Listës serbe dhe Lëvizjes Vetëvendosje. Njohësit e rrethanave politike në vend, i sugjerojnë Qeverisë, që të gjej një kompromis me Lëvizjen Vetëvendosje për Demarkacionin. Kjo sipas tyre, do të ishte zgjidhje më e mire se sa një kompromis me Listën serbe, që do të rrezikonte mbarëvajtjen e shtetit.

Përveç Lëvizjes Vetëvendosje, që janë deklaruar se do të votojnë kundër marrëveshjes aktuale të demarkacionit, edhe Lista Serbe nuk ka premtuar një votë pro. Të dielën Kryeministri Ramush Haradinaj, ka deklaruar se do të bindë Listën Serbe për të votuar pro demarkacionit duke gjetur një gjuhë të përbashkët me ta.

Gjatë javës së shkuar, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti ka ftuar kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj për të gjetur një zgjidhje për Marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e zi.

Përmes një letër të hapur drejtuar Haradinajt, Kurti ka sugjeruar pesë hapa ku përfshihet debat parlamentar për raportin e Komisionit Bulliqi, një deklaratë për fqinjësi të mirë me Malin e Zi dhe kërkesë për rishqyrtim të marrëveshjes, hetime parlamentar për marrëveshjen, si dhe në mënyrë diplomatike t’i kërkohet Malit të Zi që të niset një proces i ri i demarkimit. 

Qeveria deklarohet për propozimin e Kurtit

Lidhur me këtë propozim të Kurtit “Bota sot” ka kontaktuar me zyrën për Komunikim Publik në kryeministrin e Kosovës, ku në përgjigjen e tyre thuhet se janë të gatshëm të bashkëpunojnë me opozitën.

“Qeveria e Republikës së Kosovës është e gatshme të bashkëpunoj me opozitën”, thuhet në përgjigje.

Për më tepër, thuhet se janë të interesuar që të përmbyllet kjo marrëveshje.

“Ne jemi të interesuar që kjo marrëveshje të përmbyllet, duke i implementuar korrigjimet e parapara në raportin Bulliqi dhe aneksin e marrëveshjes nga dy presidentët (Thaçi – Vujanoviç)”, thuhet në përgjigjen me shkrim të Qeverisë së Kosovës.

Por, Qeveria Haradinaj, nuk përmendi se cila mund të jetë kjo zgjidhje, apo kushtet që mund të kërkoj Lista Serbe ndaj qeverisë.

Politologu, Gurakuq Kuqi  ka shpjeguar, se letra e Kurtit, nuk është sinjal që VV-ja po ndryshon qëndrim ndaj demarkacionit dhe që do ta votojë atë.

Image
Gurakuq Kuqi

Ai ka thënë, se është thjesht një rrugë ndryshe për zgjidhjen e çështjes se demarkacionit dhe liberalizmit të vizave.

“Madje, Kurti dyshoj që do të ndryshoj qëndrim dhe do synoj të mbetet lideri i vetëm kundërshtues i shënimit të kufirit sipas komisionit të udhëhequr nga Meha. Kalimi i demarkacionit pa përkrahjen e z. Kurtit dhe me ndonjë votë eventuale nga deputetët që janë zgjedhur dhe kanë dalë nga VV-ja, vetëm sa do forconte imazhin e z. Kurti, ku realisht ne kemi një deklaratë nga BE-ja që nuk ka liberalizim në mënyrë automatike me kalimin e demarkacionit, por vetëm se përafron shumë marrjen e liberalizmit të vizave dhe këtu po hedhë zaret kryetari i LVV-së”, ka thënë Kuqi.

Më tutje, ai ka shtuar se Kurti me pesë hapat për zgjidhje të këtij problemi vetëm sa ka shtuar një alternativë për zgjidhje të mundshme politike dhe pragmatike, përtej presioneve.

“Por nuk ka hapësirë deklarative për interpretim që VV-ja po ndryshon qëndrim, ashtu si nuk ka hapësirë për interpretim që ne do marrim liberalizim të vizave pa plotësuar edhe kushtin për luftimin e krimit dhe korrupsionit. Edhe pse klasa politike vendore po mundohet ta vakumizoj këtë kriter dhe ta shes veten si akt stabiliteti para bashkësisë ndërkombëtare, do ishte krim edhe më i madh ndaj qytetarëve nëse bashkësia ndërkombëtare e pranon këtë karrem dhe pastaj që tu vazhdohet mandati atyre që thirren në emër të stabiliokracisë”, ka përfunduar Kuqi për “Bota sot”.

Zogaj: Kurti ka lëshuar pe

Analisti politik, Skender Zogaj ka thënë për “Bota sot” se Kurti ka lëshuar pe dhe po shprehet i gatshëm për t`u arritur një zgjidhje për demarkacionin.

Image
Skender Zogaj

“Albin Kurti kur vëren  ndonjë shans të përfitimit politik, vërsulet sikur tigër, mirëpo, di ta luaj edhe rolin e maces. Këtë lloj teatri e ka luajtur Albini në rastin e marrëveshjes së demarkacionit dhe të Asociacionit të komunave serbe, duke shprehur kreshperim  ekstrem, mirëpo, ditëve të fundit ka lëshuar pe dhe po shpreh gatishmëri që të arrihet një zgjidhje e demarkacionit!”,ka theksuar ai për “Bota sot”.

Po ashtu, ai ka thënë se kjo letër është dëmshmi për ndryshimin e qëndrimit të demarkacionit dhe se ka sinjalizuar së duhet të zgjidhet kjo çështje.

“Letra publike drejtuar Ramush Haradinajt dhe lavdërimi i Presidentit Thaçi për marrëveshjen e re me presidentin Malazez, është dëshmia, ndryshimit  të qëndrimit të Albinit përkitazi me demarkacionin që Kurti me gjasë ka filluar ta mirëkuptojë dhe tashmë ka sinjalizuar së duhet të zgjidhet! Mirëpo, kjo është situatë hipotetike sepse, Albini ka edhe tiparet e Neronit dhe, në çastin më të papritur mund t’ia vë flakën Romës! E mira do të kishte qenë që Albin Kurti seriozisht dhe sinqerisht të angazhohet për të mirën e Kosovës!”, ka deklaruar Zogaj për “Bota sot”.

“Ramushi më mirë të bëj kompromise me shqiptarët VV se sa me serbët”

Kurse, Njohësi i çështjeve politike, Faton Mehmeti në një prononcim për “Bota sot” e ka quajtur këtë paralajmërim të kryeministrit Haradinaj si kompromis të dëmshëm për vendin.

Image
Faton Mehmeti

“Paralajmërimi i kryeministrit Haradinaj, është paralajmërim për kompromise të dëmshme për vendin. Si mundësi shihet shtimi i komunave serbe, pastaj rritja e kompetencave për komunat ekzistuese që do të kompletohen me rastin e votimit të asociacionit. Ramushi më mirë të bëj kompromise me shqiptarët VV se sa me serbët”, thekson analisti Faton Mehmeti.

Ai thotë më tutje, se është e frikshme që kjo qeveri është në gjendje të bëj çdo gjë për të shpëtuar veten, pasi mos-kalimi i demarkacionit do shënonte edhe fundin e saj.“Gjykoj të gabueshme qasjen e qeverisë karshi proceseve të mëdha për të cilat duhet konsensus nga gjithë partitë shqiptare, mbi të gjitha Kosova është e shumicës shqiptare dhe të tjerëve. Në këtë sens besoj se Kosova duhet të ketë një ujdi për tema madhore. Varja e vendit nga Lista Srpska është dështim për vendin”, vlerëson ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat