Kosova drejt zgjedhjeve të reja, LDK është gati!

Politika

Kosova drejt zgjedhjeve të reja, LDK është gati!

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 13 mars 2018 Në ora: 07:27
LDK

Nuk kaluan as shtatë muaj nga data kur u mbajtën zgjedhjet e fundit në vend dhe kanë filluar zërat që kërkojnë zgjedhje të reja. Është Lidhja Demokratike e Kosovës që vazhdimisht po kërkon një gjë të tillë.

Veç kësaj, kjo parti po synon që të marrë në dorë edhe udhëheqjen e vendit.

Është Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, që ka deklaruar se partia e tij po përgatitet për zgjedhje të reja, pasi ky koalicion që po qeverisë me vendin tashmë është i shpërberë. E deklarime të tilla, ditë më parë, dëgjuam edhe nga nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri.

Nga LDK thonë se subjekti i tyre i ka të gjitha kapacitetet për udhëheqjeje, dhe se vetëm LDK-ja mund ta nxjerrë Kosovën nga kjo keqqeverisje. Por,  nga AAK-ja nuk besojnë se ka opinion të përgatitur për zgjedhje të reja.

Ndërsa, njohësit e zhvillimeve politike në vend konsiderojnë se zgjedhjet e parakohshme janë të pashmangshme dhe se koalicioni aktual e ka humbur edhe fuqinë vendimmarrëse.

Avdyli: Kjo qeveri do ta rrëzojë veten

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haxhi Avdyli, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, thotë se Qeveria Haradinaj, nuk po mundet asnjë nga vendimet e mëdha t’i ecë përpara. Sipas deputetit të LDK-së, kjo qeveri është duke u udhëhequr nga njerëz jo kompetentë dhe nga një kryetar i një parti të vogël.

Image
Haxhi Avdyli

“Gjithmonë qeveritë funksionojnë në bazë të shumicës që kanë në parlament, në një demokraci parlamentare. Kjo qeveri nuk po mundet asnjë nga vendimet e mëdha t’i ecë përpara. Kjo qeveri e pakicës shqiptare, tani edhe e pakicës parlamentare, është duke bërë vendime të gabuara dhe të dëmshme për Kosovën. Kjo qeveri është duke u udhëhequr nga njerëz jo kompetent dhe nga një kryetar i një parti të vogël, që mezi i ka dhjetë deputetë dhe kjo është e pakuptimit të udhëheqë me qeverinë, prandaj çdo ditë e më shumë që kjo qeveri ekziston është humbje për Kosovën. LDK-ja si një parti institucionale me gjithë kapacitetet e veta intelektuale dhe profesionale është gjithmonë e gatshme barrën e udhëheqjes së shtetit dhe avancimin e Kosovës drejt zhvillimit ekonomik dhe proceset integruese”, tha Avdyli.

Ai thotë se Lidhja Demokratike e Kosovës nuk dëshiron një qeveri me dhunë, por, me një proces normal e demokratikë.

“Ne nuk dëshirojmë një qeveri me dhunë sikurse partitë opozitare dikur, duke përdorur mjete të palejueshme, por ne dëshirojmë një proces normal demokratikë, një rrëzim i qeverisë si pasojë e humbjes së shumicës. Një qeveri kur nuk e ka shumicën dhe kur nuk është funksionale, ajo nuk do të duhet të ekzistonte. Por e dimë ne, që në Kosovë ende nuk ka politikan të ndërgjegjshëm që mund të bënin në këtë drejtim. Ne shpresojmë se kjo qeveri do ta rrëzojë vetën dhe Kosova të shkoj në zgjedhje dhe të fitojnë ata që e meritojnë dhe normalisht partitë që e kanë besimin e këtij populli”, tha ai.

Deputeti i LDK-së thotë se janë mëse të përgatitur për zgjedhjet të reja kurdo që mbahen.

“LDK-ja i ka të gjitha kapacitetet. LDK-ja i duhet Kosovës, jo se LDK-ja ka nevojë patjetër për pushtet, por vetëm LDK-ja mund ta nxjerr Kosovën nga kjo keqqeverisje që e ka bërë Haradinaj dhe koalicionin i tij. Ne jemi më së të përgatitur në këtë drejtim për zgjedhjet që kurdo që mbahen dhe të fillojmë me vënien e dëmeve që i ka bërë Haradinaj dhe partia e tij ndaj këtij vendi dhe t’i qesim në vendin e vet, duke filluar nga demi financiar, ekonomik, politikë, prishjen e marrëdhënieve me shtetet mike, pra t’i qesim këto në binare dhe ta zhvillojmë me hapa të mëtutjeshme”, ka përfunduar deputeti i LDK-së, Haxhi Avdyli për gazetën “Bota sot”.

Isufi: Ky është qëllimi i opozitës

Shefi i Grupit Parlamentarë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi, në një prononcim për gazetën “Bota sot” thotë se qëllimi i opozitës është që të korrigjojë qeverinë.

Image
Ahmet Isufi

Sipas Isufit, Qeveria Haradinaj është duke funksionuar mirë dhe me rëndësi të shtuara.

“Qëllimi i opozitës gjithmonë është që të korrigjojë qeverinë dhe të pretendoje që të vije në pushtet, prandaj kjo është dëshira e opozitës, por, konsiderojmë se qeveria është duke funksionuar jashtëzakonisht mirë, me rëndësi të shtuara”, u shpreh Ahmet Isufi.

Ndërsa, lidhur me afrimin e zgjedhjeve të reja, Isufi nuk beson se ka opinion të përgatitur për një gjë të tillë.

“Nuk besojmë se ka opinion të përgatitur për zgjedhje të reja”, ka përfunduar Shefi i Grupit Parlamentarë të AAK-së, Ahmet Isufi për gazetën “Bota sot”.

Haziri: Zgjedhjet janë të pashmangshme

Ndërsa, analisti politik, Nexhat Haziri, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, thotë se zgjedhjet e parakohshme janë të pashmangshme.

Image
Nexhat Haziri

Njohësi i zhvillimeve politike në vend thotë se kësaj qeverie ia kanë vështirësuar jetën teket e Listës Serbe.

“Mendoj se zgjedhjet e parakohshme janë të pashmangshme për faktin se përveç një qeverisje të keqe, koalicioni aktual e ka humbur edhe fuqinë vendimmarrëse për faktin se edhe ashtu kishte një shumicë të thjeshte stabile, por edhe për shkak të divergjencave që kanë mes tyre partnerët e koalicionit. Po ashtu jetën kësaj qeverie ia ka vështirësuar edhe fakti se fati i kësaj qeveri dhe këtij koalicioni varej nga teket e Listës Serbe, roli i së cilës ishte ndjekja e agjendës së përcaktuar nga Beogradi”, tha Haziri.

Haziri thotë se favorite për të udhëhequr me vendin është partia e Mustafës. Sipas tij, kjo parti është më e përgatitura dhe me ambicie për të qeverisur me vendin.

“Mendoj se favorit sikur zgjedhjet të organizoheshin tani, është LDK-ja pasi shohë që qytetarët e sikur kanë filluar të shpresojnë te kjo parti për t’ia kthyer vendit një dinjitet në qeverisje dhe për të filluar normalitet në funksionimin e shtetit. Po ashtu edhe vet LDK-ja kohën e fundit është më e përgjegjshme, më e përgatitur dhe më ambicie për të qeverisur me vendit dhe kujtoj se ka një ekip intelektualeve, njerëz profesionalistësh, më kredibilitet moral e politik për t’iu përgjigjur pozitivisht pritjeve të qytetarëve të Kosovës”, tha ai.

Krejt në fund, Haziri preferon dorëheqjen e qeverise aktuale dhe të formohet një qeveri teknike. Ai tha se Kosova nuk duhet të humbë kohë me proceset integruese.

“Preferoj dorëheqjen e qeverise aktuale, dhe në bazë të një marrëveshje në mes partive parlamentare të formohet një qeveri teknike me mandat të caktuar që t’i përmbushte disa nga obligimet që i ka vendi e që dalin nga agjenda e integrimeve euro-perëndimore në mënyrë që Kosova mos të humbë kohë dhe mos të ngec në këto procese dhe po ashtu kjo qeveri ta përgatit vendin për zgjedhje ndoshta në vjeshtën e vitit të ardhshëm”, ka përfunduar analisti politik, Nexhat Haziri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat