Votat për Demarkacionin, flasin nga PDK dhe AAK

Politika

Votat për Demarkacionin, flasin nga PDK dhe AAK

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 12 mars 2018 Në ora: 12:42
Kosovë

Tashmë janë bërë dy vite e gjysmë që kur u nënshkrua marrëveshja e Demarkacionit me Malin e Zi. Por, kjo çështje vazhdon të jetë e pazgjidhur, e së fundmi u soll në Kuvend në tre seanca, ku u diskutua për të, por që nuk u hodh në votim.

E për këtë duket se janë mungesë votat, 2-3 vota të cilat mungojnë që marrëveshja të kalojë.

Ndërsa tani seanca për Demarkacionin është shtyrë dhe nuk dihet se kur do të sillet sërish në Kuvend, pasi është hequr nga rendi i ditës.

Se kur do të jetë sërish në rend dite kjo marrëveshje, nga Qeveria dhe Kuvendi nuk kanë kthyer përgjigje për gazetën “Bota sot”.

Ndërsa, deputetët dhe analistë kanë folur për këtë çështje. Nga pozita thonë se posa të sigurohen votat kjo çështje do të vije në Kuvend.

PDK i ka votat

Image
Fadil Beka

Deputeti nga PDK, Fadil Beka thotë se nuk e di pse po vonohet kjo çështje, por që duhet të përfundojë sa më shpejt, pasi edhe qytetarët janë lodhur me të që 3 vite.

“Nuk e di pse kjo çështje po vonohet. Por kurdo që të vie në Kuvend, ne si parti e votojmë, e kemi thënë edhe më herët. Votat duhet të sigurohen, kjo çështje është tepruar, i kemi lodhur edhe qytetarët, janë lodhur njerëzit, që 3 vjet demarkacion, demarkacion, demarkacion...Kështu që me një fjalë është tepruar. Konsideroj se duhet të bëhen votat dhe të kalohet kjo çështje, të ecim përpara, të mos mbesim me një temë me 2-3 vjet”, është shprehur deputeti Beka për gazetën “Bota sot”.

AAK në pritje

Image
Time Kadrijaj

Ndërsa, deputetja nga AAK, Time Kadrijaj, ka thënë se qeveria po punon intensivisht ashtu siç është deklaruar dhe pritet të sigurohen votat e të sillet në Kuvend.

 “Po pritet që të sigurohen votat. E dini që demarkacioni duhet të kalojë me 80 vota dhe unë mendoj se qeveria po punon intesivisht dhe ashtu siç janë deklaruar. Janë negociata që të bashkërendohen veprimet dhe votat dhe që të sillet në Kuvend”, është shprehur Kadrijaj për “Bota sot”.

“Albin Kurti po lëshon pe”

Image
Skënder Zogaj

Kurse analisti politik Skënder Zogaj, thotë se marrëveshja për demarkacionin nuk mund të sillet bë Kuvend pa u siguruar votat dhe për këtë Vetëvendosje ka rol kryesor.

 “Marrëveshja për demarkacionin nuk mund të sillet në Kuvend pa u siguruar numri i nevojshëm i votave për ta miratuar! Përpjekja për të siguruar numrat është në kulmin e angazhimeve ndërmjet të gjitha partive politike, që tashmë janë pro marrëveshjes. Vetëvendosja ka rol kryesor, sepse me disa vota të saj zgjidhet çështja e demarkacionit”, ka deklaruar Zogaj.

Më tej, ai thotë se Kurti po lëshon pe dhe ky është varianti më i lehtë për të ratifikuar Demarkacionin, që do të bëhet shpejt por Kosovën e presin detyra më të rënda.

“Albin Kurti e ka kafshuar gjuhën e vet dhe po lëshon pe, dhe kjo ia hap derën hyrjes së marrëveshjes në Kuvend dhe aprovit të saj! Ky është varianti kryesor dhe me i lehti për t’i shpërla gafat e partive politike dhe për të arritur te ratifikimi i marrëveshjes së demarkacionit! Pra “mishi do të piqet por duhet që edhe helli të mos digjet! Kjo nënkupton se demarkacioni kryhet shpejt, por pas tij Kosovën e presin detyra edhe më të rënda”, është shprehur Skënder Zogaj për "Bota sot".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat